
Poezia është forma tradicionale e artit të shkruar, në të cilën gjuha njerëzore përdoret për ato cilësi estetike në të ose në vend të përmbajtjes së saj. Varësisht nga preferencat e poetit, poezia në disa raste e përdor rimën, por autorët modernë nuk kujdesën shumë për të (rimën). Kjo vërehet shumë qartë edhe te poeti Jaho Kollari.
Me poezi autori shpreh ndjenjat, ndjeshmëritë e momentit, por nga ana tjetër edhe vështrimin e tij për ndonjë dukuri apo ngjarje me një gjuhë të fuqishme artistike. Kjo në “Rabiat” të poetit Jaho Kollari shihet shumë qartë.
S’dua të thur legjenda,
mbi qytetin tim,
ku njerëzia s’u beson as të vërtetave
gjithandej gjurmët e gjyshit tim
më e madhja
është pllakosur nga miti
që kafshon për vdekje botën e sendeve
(poezia Qyteti im).
Poeti në një varg të një poezie tjetër shprehet: “Mitet shëmtojnë qetësinë time” (poezi e vitit 1981), varg që le të mendosh thellë domethënien e tij si dhe të gjithë kësaj poezie.
Qyteti pa nënë apo pa baba, jetim pa njërin apo të dy prindërit. Me truallin trashëguar nga babai e gjuhën nga nëna. Qyteti mijëvjeçar u ka bërë ballë stuhive, ka ruajtur gjuhën, traditën, truallin. Poeti Jaho Kollari këtë na e deshmon në vargjet e tij. Ai thotë se i shpurpurisha skutat e shtëpisë për të gjetur fletorët e vjetra të shkollës. Dhe pa asnjë dyshim kjo shpurpurisje na dëshmon se kurrë nuk i ka braktisur këto kthina ku ka gjetur fletoret e vjetra e siç shprehet ai janë thesar i çmuar. Me të drejtë e ka poeti Jaho Kollari këtë konstatim. Unë do të thoja sa autori është kthyer në kohë dhe hapësirë.
Kam ikur,
Pa pasur fuqi të kthehem prapa
Për të shikuar për herë të fundit
Të kënaqur buzëqeshnin pas meje
Duke i shtrirë duar në zbrazëti
Unë me faqe të përlotura
Nuk ktheva kryet prapa
E sa kisha pasur dëshirë t’i shikoja
e pranoj s’mund
s’mund të eci nëpër këtë tokë
e sa bukur kundërmonte ajo
(poezia Kjo tokë, 1981).
Vuan ai për vendin e tij që e do aq shumë. Kjo bie në sy dhe nga lexuesi i vëmendshëm dhe që di ta lexojë poezinë.
Mbetem rrugash më tha miku im ndërsa shmangëm sho-shoqin,
mbetëm të ngujuar në ulësen e vetme të parkut që ndante botën mëdysh,
mbetem zemerpërvëluar që s’arritëm t’i kthehemi shtëpisë… (poezia Miku im dhe unë, 2022).
Në Ulqin nuk po del moti,
si duket na ka harrua Zoti.
Këto dy vargje të bëjnë të thellohesh pse ndodhë kështu.
Ose
Ulqini ka sall një rrugë kryesore
E njerëzia mësyjnë rrugicat e ngushta
Të cilat të nxjerrin në det
Në të cilin mund të mytësh
Por edhe të shpëtosh…
Qetësim apo shqetësim. Njërëzit që vrasin mendjen për gjera kinse jetike, i shqetëson e pavërteta apo më tepër se e verteta i qetëson ajo. Renkojnë e parakalojnë shkronjat nga fundi në krye të fjalës. Këto janë disa nga fletoret e vjetra të skutave që autori na i shton sot në sofrën e dijes.
Urrejtja dhe dashuria janë nën një çati dhe flijohet zhgjëndra për ëndërr (Çaste flijimi, poezi e vitit 1985). Mua në rend të parë si lexues i poezisë më rezulton se: Poezia e Jaho Kollarit ka një shtrirje interesante estetike shumë dimensionale me një brendi bashkëkohore, me të cilën qartas thuren vargjet në kohë dhe hapësirë. Ky varg i poezisë së Kollarit mbijeton gjithmonë, është aktual në kohë dhe hapësirë. Këto vlera janë vargje psikoanalitike të gërshetuara me psikologjinë e kohës kur janë krijuar, të cilat nënkuptohen me një të lexuar nga publiku artdashës, lexues që i fle në shpirt fjala e bukur poetike, dhe jo vetëm.
E kam një tufë fjalësh,
Që bëjnë një vaster mendimesh
E që sajojnë duaj veprimesh
Patjetër t’i shkohej për fije fjalës
(poezia Fjala).
Duke lexuar poezitë në përmbledhjën “Rabiat” të poetit Jaho Kollari, lexuesi arrin që të bindet se vargjet e tij janë shprehje të fuqishme ndjenjash dhe inspirimesh që formulojnë idenë e botëkuptimit i cili përmban palcën e mendimit filozofik të udhëtimit tonë nëpër shekuj.
Te Detarët Ulqinakë poeti shprehet:
Pas një dridhjeje pas të cilës guri mbi gur s’mbeti
pas një shiroku me topa që vetëm gryka e Valdanosit i bën ball
pas një thatësire që as Fiku as Ulliri se mbajnë në mend
U duk një anije në hapësirën e pafund të Detit.
Nëse lexuesi i vëmendshëm vëren strukturën e vargjeve të poezive të Jahos, pa mëdyshje arrin të bindet për vlerat e rralla artistike, autoktone gjithsesi.
Për rrugaçë s’është shkruar pak
Andaj nuk po shtoj gjë
Të mos shpushpurishej plehu kotnasikoti
(poezia Rrugaçi).
Në bazë të këtij vështrimi të kësaj përmbledhjeje, pa drojë mund të themi që poeti Jaho Kollari është një krijues i kompletuar, i cili në fushën e krijimeve poetike, dhe jo vetëm, disponon me një bagazh të shprehjeve artistike letrare me shumë nocione filozofike të krijimeve tradicionale dhe bashkohore. Poezia e Kollarit është e kapshme për çdo nivel lexuesi. Sot me përurimin e kësaj përmbledhjeje, krijimtarisë letrare shqipe, dhe jo vetëm, po i shtohet edhe një xhevahir, përmbledhja “Rabiat” e Jaho Kollarit. Në sofrën e dijes, lexuesit i shtrohet një ushqim i rrallë, në të cilën ëmbëlsirë janë gatuar me nektar mjalti dhe qumshti i bletës.
Nuk ka njeri që nuk ka kufizime
Virtyti më i madh është
Të qenit i vetëdijshëm
Mbi ekzistencën e tyre
(poezia Virtyti).
Ky mesazh më bëri përshtypje, andaj edhe e lash për fund.
Faleminderit Jaho Kollari që na mblodhe sonte. Faleminderit Gazmen Çitaku për organizimin e aktivetiteve që po bën tash sa vjet këtu në këtë ambient kulturor. Faleminderit ju të pranishëm që patët durim të më dëgjoni. Uroj Jahon të ketë, në rend të parë shëndet, mbarësi në familje dhe në jetë dhe të na dhurojë edhe shumë vepra tjera si kjo.
(Fjala e mbajtur me rastin e përurimit të përmbledhjes me poezi “Rabiat” të poetit Jaho Kollari, mbajtur në Ulqin më 21.6.2023)
