Rrëfimi i mësuesit Alban

Ali Gjeçbritaj

Trazirat e mëdha të fundshekullit të kaluar kishin kapluar pothuaj gjithë truallin e ish-shtetit që po jepte shpirt. Ishte në grahmat e fundit të jetës. Shkëndija lufte dukeshin në horizont gjithandej. Krye kasapi i Ballkanit kishte mprehur shpatën për ta gjakosur tokën. Mëngjeset e luftës po agonin. Ftesat e njëpasnjëshme për mobilizim ushtarak s’kishin të ndaluar. Në horizont era shpërndante re të zeza. Korbat në tubë vërsuleshin mbi cofëtina. Ata lajmëronin kohën e trazuar që po na priste. Mësuesi Alban , diplomuar në shkollën shqipe të mësuesisë në Gjakovë me përkushtim kishte punuar për shumë vite shkollën e vendlindjes nën shpatitë e Rumisë. Mësuesi shembullor në punë, në shoqëri. I tillë ishte Albani. E donin të gjithë, nxënësit, kolegët, prindërit, rrethi shoqëror. Kishte Albani edhe një humor të mprehtë, gjë që e pasuronte edhe më shumë bagazhin e tij intelektual. Besa të them të vërtetën ishte edhe trim e patriot që nuk i trembej syri.
Diferencimet politike të viteve të tetëdhjeta nuk e anashkaluan mësuesin tonë. Mori disa vërejtje nga organizatat e atëhershme shoqërore të monizmit dhe gjithnjë përcillej nga syri i fshehtë i sigurimit. Bile edhe në shkollë mori vërejtjen e fundit para përjashtim nga detyra. Mësuesi patriot nuk u përkul në asnjë çast as edhe më këtë rast. Nuk kishte edhe pse të brengosej shumë. Punën e kryente me rregull. Mësimin e zhvillonte gjithmonë në bazë të plan programit duke përdorur metodat bashkëkohore të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Përgatitjet shkollore i kryente me përpikëri. Shfrytëzonte mjetet mësimore bashkëkohore. Në vazhdimësi përcillte risitë në lëmin për të cilin ishte shkolluar, Administratën pedagogjike e mbante më rregull. Në këtë mënyrë, mbikëqyrësit nga organi përkatës i arsimit gjatë vizitës në orët e mësuesit mbetnin pa fjalë. Në raportin vjetor të tyre mësues Albani merrte vlerësimin më të lartë në shkollë. Kjo e burrëronte, e bënte që edhe më shumë të thellohej në procesin edukativo-arsimor më nxënës. Jo të gjithë kishin simpati për te dhe punën e veprimtarinë e tij në shkollë. Ata të cilët ia kishin zili mësuesit të shkollës sime nuk rrinin duarkryq dhe në tubimet e ndryshme sekrete të zonës nuk linin pa sajuar diçka që ta nënvlerësojnë punën e tij në shkollë. Ndër të tjera thoshin se shumë po i jep rëndësi gjuhës, kulturës, traditës, më një fjalë historisë kombëtare. Nga njëra anë edhe “kishin të drejtë” sepse gjithmonë në organet profesionale, mësuesi Alban fliste për programet mësimore të identitetit kombëtar. Ai të gjithëve ua bënte më dije se gjuha, historia, ari figurativ dhe kultura muzikore nuk janë në përputhshmëri më realitetin. Ne, ndër të tjera tha ai në një mbledhje të Këshillit të arsimtarëve mësojmë histori të popujve tjerë e për historinë tonë nuk mësojmë asgjë, nxënësit tanë mësojnë këngët e huaja e jo të tyre, mësojnë letërsi sllave e jo shqiptare. Aq u desh dhe dikush të gjitha këto fjalë mbase edhe të trilluara i çoi në organet shtetërore të sigurimit. Nuk shkoi gjatë dhe mësuesit i arriti ftesa për mobilizim ushtarak. Duhej shkuar në front atje diku në Kroaci, mbase edhe në Vukovar. I brengosur pa masë Albani u desh të marrë familjen dhe të emigrojë në Suedi. Rruga deri atje ishte plot rreziqe. Më familje dhe nënën në moshë të thyer u vendos atje dhe u vu nën mbikëqyrje të organizatave humanitare. I shpëtoi luftës, por një brengë e madhe e mundonte gjithë kohën sa ishte në emigracion. A do t’ia dalë të mbijetojë, të ambientohet në një rreth të ri. Si do të integrohej në një shtet që nuk njeh as gjuhën, as kulturën e tij. Qëndroi atje derisa lufta përfundoi. U përpoq që të bëjë letrat por nuk pati sukses. Mbase edhe do t’i rregullonte më vonë por “për hatër të nënës plakë” vendos të kthehet. Kështu dhe veproi. Pas tri vjetësh mërgimi kthehet në vendlindje. Shtëpia e pret krahëhapur. Edhe bashkëvendësit po ashtu. Po ku të vejë tashti mësuesi Alban? Familja është e madhe, duhej ushqyer, duhej veshur e mbathur. Kërkon punë, por nuk gjen dot. Ende strukturat e vjetra nuk e kishin dorëzuar stafetën. E refuzonin si reaksionar, nacionalist. Ende shërbëtorët e kasapit i mbante shpresa se do të qeverisin me metodat e vjetra. Nuk e kishin ende të qartë se ajo kohë ka perënduar. Nuk e dinin se muri i Berlinit ka kohë që ishte shembur. Koha po ndryshon shpejt. Atyre po u vinte fundi. Një reze shprese doli në një mëngjes shtatori mbi malin Cukal. Drejtori i ri i afron mësuesit një vend pune në një paralele të ndarë të shkollës. E ftoi në bisedë në zyrë dhe i kumton se mund t’ia nisë punës që në fillim të shtatorit. E njofton se mësimi në atë shkollë zhvillohet në gjuhën joamtare, edhe pse nxënësit janë të kombësisë shqiptare. Dy orë në javë mësojnë edhe gjuhën shqipe, shkrim lexim si lëndë fakultative (e pa obligueshme). Nevoja për punë e bëri mësuesin që ta pranojë ofertën e drejtorit. E di se nuk do ta kesh lehtë por ke kujdes e porositi drejtori se këtu ende nuk janë “shkulë” rrënjët e njëmendësisë. Këtu sa shoh unë tha drejtori sistemi që vdiq ka mbetur i gjallë. S’ka gjë që i shmang këta nga e kaluara. Këta integrimin në shoqëri e duan pa identitet. Mësuesi e falënderoi drejtorin për mundësinë që iu afrua dhe vendosi që punës do t’ia nisë dhe do t’i përkushtohet asaj me gjithë qenien e tij. Erdhi shtatori dhe puna në shkollë nisi. Klasat ishin të kombinuara. Paralelja numëronte nëntë nxënës, dy fillestarë, dy të tjerë në klasën e dytë, tre në klasën e tretë dhe në të katërtën po ashtu dy nxënës. Rinisi të ushtroja profesionin pas një ndërprerjeje trevjeçare me shpresë se do të kontribuojë si edhe më parë në arsimimin e brezit të ri. Në këtë drejtim mësuesi edhe ia arrin qëllimit. Nxënësit me dëshirë të madhe ndjekin mësimet. Tek ata vullneti për të mësuar gjuhën e tyre ishte shumë i madh. Si edhe mos të ishte kurrë në shtëpi, në rrugë e gjetiu komunikonin shqip. U bënin përshtypje të madhe kur mësuesi u lexonte ndonjë vjershë ritmike apo ndonjë këngë popullore të trevës. Bile mësuesi i vyeshëm edhe në orën e kulturës muzikore nxënësve u mësonte dhe ndonjë këngë me kolonë zanore shqip të kapshme për moshën e tyre. Nga ana tjetër mësuesi Alban edhe në orët tjera ku mësimin i duhej ta zhvillonte në gjuhën joamtare, për të qenë sa më i qartë në mësimdhënie, ai përdorte edhe fjalë shqipe në mënyrë që nxënësit ta përvetësojnë sa më mirë lëndën. Por disa prindërve kjo formë e punës nuk pëlqehej nga ata .
Për të qenë çudia edhe më e madhe disa anëtarë të Këshillit të prindërve nuk u pëlqente mënyra e mësimdhënies të mësues Albanit, sidomos qasja që ai i bënte mësimit të gjuhës amtare edhe pse ajo ishte lëndë joobligative. Koha çan rrugën e vet, mësuesi Alban u bë edhe më i dashur për nxënës. Si edhe të mos ishte. Ai u mësonte atyre gjuhën e nënës, gjuhën e të parëve të tyre. Tërthorazi nga individ dashakeq nganjëherë kishte edhe kërcënime verbale, por ai vazhdonte misionin e tij fisnik.
Një ditë ndodhi çudia më e madhe që mund t’i ndodhë një mësimdhënësi. Në oborrin e shkollës ishin grumbulluar një grup prindërish. Ata kishin mësuar se atë ditë në shkollë do të vinin mbikëqyrësit. Nuk e di kah e kishin mësuar, por siç duket ua kishte kumtuar shoferi i minibusit që barte nxënësit deri në shkollë. Shkolla kishte një minibus që transportonte nxënësit dhe mësimdhënësit deri në shkollë dhe anasjelltas. Shoferi në fjalë kishte bërë fushatë të madhe në teren, ende ishte i veshur me njëmendësi, bile kishte grumbulluar edhe nënshkrime të falsifikuare që shkolla mos të jetë shqipe. Duket ai kishte frikë mos mbetej i papunë, ngase mësuesit mund të ishin të vendit, shqiptarë e jo nga jashtë.
Papandehur shoferi me drejtorin dhe dy këshilltarë ia arritën në shkollë. U përshëndetëm. U uroj mirëseardhje. Nuk kisha asnjë lloj njoftimi se do të inspektohej shkolla ime dhe puna ime në të gjatë këtyre muajve. Pa përtuar në shkollë hynë edhe prindërit që më parë qëndronin në një kënd të oborrit. Për mirësjellje ndaj kompetentëve dhe prindërve punëtorja teknike vuri xhezvet për t’i qerasur të gjithë me nga një kafe. Ishte edhe radhë që të gostitën mysafirët, të ftuar dhe të paftuar. Ky truall thotë mësuesi e ka pasur traditë mikpritjen djalë pas djali. Në bisedë e sipër me këshilltarë – mbikëqyrës dhe drejtorin e shkollës njëri nga prindërit u drejtohet atyre: “Unë i kam thënë mësuesit (uçiteljit, srb.)kur të vijë ora e Gjuhës Shqipe (albanski) fëmijën tim nxirre jashtë nga klasa. Të tjerët heshtën. Kam përshtypjen se nuk e ndanin atë mendim me të. Ai këtë e i edhe njëherë duke e arsyetuar se “shqipja nuk na duhet hiç. Ajo veç deri në Viri pi ujë”. Nëpër trupin tim më kaluan drithërime të papërshkueshëm. Nuk e përmbajta veten dhe reagova menjëherë. Urdhërova punëtoren të mos përgatisë kafe, t’i mënjanojë xhezvet nga shporeti dhe iu drejtova të gjithë atyre që nuk e kishin vendin në atë moment në shkollë që të dalin jashtë sa më parë, me ta të dalë edhe shoferi. Drejtori i cili ishte njëri i mirë mu lut që mos të veproj ashtu, por unë iu drejtova atij dhe mbikëqyrësve që të vijnë pas meje në orë nga se orarit të mësimit i kishte ardhur koha për të filluar. Unë, mbikëqyrësit dhe drejtori hymë në klasë. Nga dritarja pamë se në oborrin e shkollës ishte vetëm shoferi i cili i binte oborrit anekënd me duar pas dhe xhaketë të çuar, ku në brez (shok) i dukej edhe arma që e mbante me vete. Këtë e panë edhe mbikëqyrësit. Ora nisi. Mësuesi zhvilloi mësimin sipas orarit. Mbikëqyrësit pasi kontrolluan ditarët e punës, përgatitjet për orë dhe administratën tjetër, pothuaj në gjysmë të orës u çuan, kërkuan falje dhe shkuan.
Koha kaloi shpejt. Nuk pata më asnjë kërcënim e as edhe pengesa nga Këshilli i prindërve. Me pa durim prisja raportin e këshilltarëve. S’vonoi shumë dhe ai kishte arritur në shkollë. Në mbledhjen e Këshillit të Arsimtarëve u lexuan raportet. Raporti i mësuesit Alban ishte më i miri. Ata e kishin vlerësuar punën e mësuesit vetëmohuese. Dashakëqijtë e gjuhës shqipe mbetën me gisht në gojë. Bile kur drejtori citoi një thënie të njërit nga mbikëqyrësit u skuqen nga zilia.
Jeta ka baticat dhe zbaticat e veta. Mësuesi Alban e përfundoi karrierën e tij me nder. Përfundoi punën mbi dyzetvjeçare dhe doli faqebardhë në pension. Sot në shkollë të Albanit nuk ka më nxënës. Godina është shndërruar në gjysmë gërmadhë. As fshati nuk ka më të rinj, bile as të moshuar të gjithë janë shpërngulur. Me vete kanë marrë mësimet e gjuhës që ua pati dhënë me dashuri mësuesi i tyre. Mësuesit Alban, pasi doli në pension iu desh që ta lëshojë edhe ai vendlindjen për t’iu bashkuar fëmijëve në Amerikë. Atje ish-nxënësit e tij e pritën me dashuri dhe respekt. Për fat të keq mësuesi Alban nuk jeton më. Ai iku në amshim, por mbeti vepra e tij
Të tillë si mësues Albani janë të gjithë mësimdhënësit e brezit të tij që kontribuuan në ruajtjen e gjuhës, kulturës, trashëgimisë, traditës, ruajtjes së qenies kombëtare përmes mësimdhënies në shkollën shqipe.

Të fundit

më të lexuarat