Roman i fateve prekëse

Shkrimtari Muzafer Çaushi, i cili edhe e ka përkthyer librin, ka thënë se romani i dytë është shkruar më me mjeshtëri sesa libri i parë i autores, sepse për nga tematika ato janë të përafërt. Ai ka thënë se autorja e ka kaluar me sukses sfidën e romanit të dytë, pasi që pritjet e lexuesit janë të mëdha pas librit të parë

Ulqin – Në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin, të mërkurën mbrëma është bërë përurimi i romanit “Tragovi koji ostaju” (përkthim i romanit “Gjurmë që mbesin”) i autores Edita Nimanbegu.
Për shkrimtarin Muzafer Çaushi, i cili edhe e ka përkthyer librin, autorja e ka kaluar me sukses sfidën e romanit të dytë, pasi që pritjet e lexuesit janë të mëdha pas librit të parë.
“Thonë se secili fillim është më i vështiri. Megjithatë, kur bëhet fjalë për krijimtarinë, posaçërisht për atë letrare, por edhe në muzikë, i ashtuquajturi libri i dytë është më i vështiri… Kjo është ajo shkalla që duket kaluar. Duhet të tregosh se ai suksesi i parë nuk ka qenë i rastësishëm, se nuk ka ndodhur në një moment frymëzimi, por që vërtet rrjedh nga një njeri i talentuar, nga njeriu i cili ka vërtet diçka për të thënë”, ka thënë ai.
Sipas Çaushit, ky libër është punuar më me mjeshtëri sesa libri i parë i autores, sepse për nga tematika ato janë të përafërt.
“Struktura e romanit, struktura e fjalive, është e harmonizuar shumë më mirë, më e rregulluar dhe më me mjeshtëri”, ka thënë ai, duke shtuar se të dy romanet e Nimanbegut përshkruajnë jetën e vështirë të femrës, temë të cilën ajo e njeh më së miri.
Në fjalën e saj, profesoresha e letërsisë jugosllave Lirija Mujiq, me origjinë nga Ulqini, është përqendruar në tematikën e romanit.
“Duke lexuar këtë roman, unë jam kthyer në rininë time. Në atë kohë kur si gjimnaziste kam kaluar ditët, sepse unë jam e lindur ulqinake dhe shumëçka përreth meje ka qenë ajo çfarë kam lexuar në libër”, ka thënë ajo.
Mujiq ka theksuar se në roman periudhën e jetës bashkëkohore shkrimtarja e lidh me të kaluarën.
“Kjo është ajo çfarë më ka kënaqur në roman – nuk lejon që të harrohet, por na sugjeron që atë duhet megjithatë ta lëmë mënjanë”, është shprehur ajo duke nënvizuar se kemi të bëjmë me një roman të shkurtër, të cilin mund ta klasifikojmë në romanet shoqërore, por që në fakt është roman i dashurisë.
Publicisti Ajdin Rakiq nga Tuzi ka thënë se “Gjurmë që mbesin” është më shumë se një roman.
“Edita përshkruan një periudhë kohore në të cilën, siç thotë vetë, ‘zakonet e mjedisit i vendosin kufijtë dhe lindin paragjykime’. Në roman janë përshkruar më shumë gjenerata, që nga gjenerata e parë që ka qenë tejet patriarkale deri te gjenerata më e re e cila i përshtatet rrjedhave bashkëkohore”, ka thënë ai.
Rakiq ka theksuar se romanet e Nimanbegut janë të frymëzuar nga rrëfimet e vërteta.
“Dhe jam i sigurt se Edita ka edhe shumë rrëfime të tjera të bukura nga Ulqini që do t’i shndërrojë në roman dhe do t’i bëjë që të ketë qasje opinioni i gjerë lexues”, ka thënë ai.
Udhëheqësja e përurimit dhe e Bibliotekës së Qytetit në Ulqin, Ardita Rama, ka thënë se librat kanë gjithmonë një tipar karakteristik që i dallon nga njëri-tjetri dhe se ky tipar është tema e shtjelluar në romanin e Nimanbegut.
“Libri ‘Gjurmë që mbesin’ është një novelë fatesh prekëse, fatesh femërore të cilat i ndjek dhimbja dhe vuajtja e thellë shpirtërore e femrës ulqinake për gjenerata me radhë. Edita e vazhdon luftën e saj kundër paragjykimeve, nënvlerësimit të femrës, edukimit të rreptë patriarkal, të cilin e filloi me librin e saj të parë ‘Shtigjet e fatit’, të botuar në vitin 2015”, është shprehur ajo.
Autorja Edita Nimanbegu ka falënderuar pjesëmarrësit në përurim, duke thënë se ata i ka gjithmonë forcë mbështetëse kur i ka pranë vetes.
Gjatë përurimit janë lexuar fragmente nga libri, ndërsa nxënësi i Shkollës së Muzikës në Ulqin, Endrit Pelingu, ka shoqëruar lexuesit në kitarë.
Libri “Tragovi koji ostaju” është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. Ndërkaq, përurimi i librit është organizuar nga Biblioteka e Qytetit – Ulqin në bashkëpunim me autoren.
Edita Nimabegu është autore e romaneve “Shtigjet e fatit” dhe “Gjurmë që mbesin”, të dy të përkthyer edhe në gjuhën malazeze.
Në kuadër të këtij aktiviteti, në mjediset e Bibliotekës është hapur ekspozita e punimeve të punëtorisë figurative me femra, të cilën e udhëheq piktorja Vahida Nimanbegu.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat