Rikthimi i teatrit për fëmijë pas pandemisë

“Kënaqësia më e madhe është profesionalizmi i fëmijëve, të cilët premtojnë shumë për një të ardhme të suksesshme në fushën e artit dhe kulturës”, shprehet regjisorja Edina Mustafiq

Ulqin – Teatri i Fëmijëve i Qendrës së Kulturës ka shfaqur të hënën mbrëma në sallën e kësaj qendre pjesën e njohur “Hirushja”, ku me lojën e tyre të bukur dhe mjeshtërore, aktorët e rinj kanë kënaqur publikun.
Shfaqja është vënë në skenë nga regjisorja Edina Mustafiq, me skenografi dhe kostumografi të Jetmira Hoxhës, si dhe me koreografi të Musa Hoxhës. Teksti i shfaqjes është adaptuar nga regjisorja Mustafiq dhe skenografja Hoxha.
Rolet i luajnë Mervana Muçaj, Arbër Seferi, Diandra Koçan, Anesa Veliq, Reina Fici, Anes Kurti, Fiona Avdiu, Imran Sadriu, Eron Draga, Eldar Muçaj, Dorart Çitaku dhe Isar Kaca. Megjithëse në moshë të re, disa prej fëmijëve që kanë luajtur rolet kryesore janë të sprovuar tashmë në fushën e aktrimit pasi që edhe më parë kanë luajtur në shfaqje të tjera.
Regjisorja Mustafiq ka treguar se përgatitjet për shfaqjen kanë filluar në muajin shkurt, por për shkak të pandemisë disa herë është dashur të ndërpriten provat, duke iu përshtatur masave epidemiologjike.
Ajo shprehet e kënaqur që më në fund kanë arritur të shfaqin me sukses premierën e kësaj shfaqjeje dhe që është mirëpritur nga publiku.
“Kënaqësia më e madhe është profesionalizmi i fëmijëve, të cilët premtojnë shumë për një të ardhme të suksesshme në fushën e artit dhe kulturës”, thotë regjisorja.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat