Rikthimi i “Bërbili”-t te rrënjët e veta

“Edhe pse kam jetuar në Arbanas, edhe pse gjyshja dhe gjyshi kanë folur arbënisht, nuk kanë kënduar derisa nuk i kam pyetur. Dhe kur i kam pyetur, ata atë fshehtësi ma kanë dhuruar. Dhe ja sot i interpretoj (këngët) si një dhuratë të çmuar që kam fituar prej tyre”, është shprehur Dina Bushiq

Muzika krahas gjuhës është një prej elementeve më të rëndësishme identitare të një populli, që dëshmon për lashtësinë, traditat dhe veçoritë e tij. Arbëreshët e Zarës, të larguar prej gati tre shekujsh nga trevat e tyre mbi liqenin e Shkodrës, sot mund të thuhet se e kanë humbur gjuhën, ngase të rrallë janë ata që flasin arbënisht. Megjithatë, ata vijojnë të ruajnë dhe kultivojnë disa tradita nga vendi i origjinës, që i veçojnë nga populli shumicë (kroatët) dhe vendi ku jetojnë sot. Bashkë me veçoritë tjera të kësaj pakice, kanë humbur edhe këngët e vjetra arbëreshe. Megjithatë, një pjesë e tyre janë ruajtur falë punës së dy muzikologeve nga Zara, sopranos Dina Bushiq dhe kitaristes Melita Ivkoviq. Këtë thesar muzikor, pothuajse të humbur, ato e kanë vjelur në momentet e fundit, përpunuar dhe regjistruar në albumin “Bërbili” – këngë të harruara të arbëreshëve të Zarës, i cili është publikuar në vitin 2020 nga Shtëpia Muzikore “Nota Bene” – Zagreb. Këto këngë, pothuajse tërësisht të harruara, u prezantuan më pas përmes koncerteve të organizuara në vende të ndryshme – Kroaci, Itali, Bullgari, Gjermani, Hungari, Kosovë, Shqipëri etj.
Ulqini ishte qyteti i radhës që i mirëpriti dy muzikantet nga Zara, koncerti i të cilave (të hënën mbrëma, më 21 gusht 2023) zgjoi nostalgji dhe emocione te publiku i pranishëm për këngët e vjetra arbëreshe, tekstet me fjalë arkaike shqipe etj.
Emocionet e saj i ka shprehur edhe këngëtarja dhe muzikologia Dina Bushiq në prezantimin e tyre para publikut.
“Vijmë nga Zara, pra vijmë nga Arbanasi. Dhe ja, gjatë gjithë ditës sot flasim për atë se në njëfarë mënyre jemi kthyer më afër që kemi mundur vendeve tona që kur para 300 viteve kanë udhëtuar në tri periudha në Zarë nga vendet që ndodhen këtu, pas nesh, nga Shestani, Brisku dhe Ljarja dhe janë vendosur në Zarë”, ka thënë ajo.
Dina Bushiq dhe Melita Ivkoviq, të njohura shkurt si Dina dhe Mel, kanë mbaruar Akademinë e Muzikës në Universitetin e Zagrebit dhe janë aktive në fushën e kulturës dhe muzikës në vendlindjen e tyre në Zarë. Dina, e cila nga nëna është arbëreshe, është drejtuese e Sekretariatit për Kulturë të Zarës. Qëllimet studimore e kanë çuar atë në zbulimin e thesarit muzikor të mbetur të arbëreshëve të Zarës, 23 vjet më parë.
Ajo ka treguar se derisa ishte studente në Akademinë e Muzikës, për të parën herë i ka dëgjuar këngët në gjuhën arbëreshe.
“Edhe pse kam jetuar në Arbanas, edhe pse gjyshja dhe gjyshi kanë folur arbënisht, nuk kanë kënduar derisa nuk i kam pyetur. Dhe kur i kam pyetur, ata atë fshehtësi ma kanë dhuruar. Dhe ja sot i interpretoj (këngët) si një dhuratë të çmuar që kam fituar prej tyre”, është shprehur Dina Bushiq.
Ajo i ka regjistruar këngët e dëgjuara nga gjyshërit e saj. Me këtë punë të saj janë dokumentuar këngë në gjuhën shqipe, të ruajtura që nga ardhja e arbëreshëve të parë në Zarë.
“Melita dhe unë, në mënyrën tonë i kemi përpunuar të gjitha ato këngë”, ka thënë ajo.
Këngët e regjistruara para 23 vitesh i kanë kënduar njerëzit që kryesisht nuk jetojnë më.
“Kështu që në njëfarë mënyre janë shpëtuar në momentin e fundit”, ka thënë Dina, duke treguar se kënga e vetme arbëreshe që është shënuar me nota është “Netët”, tekstin e së cilës e ka shkruar Daro Kallmeta.
Repertori i duetit Dina dhe Mel përbëhet kryesisht nga këngë arbëreshe të Zarës, por duke qenë se numri i tyre është i kufizuar, ato kanë përfshirë edhe disa këngë të arbëreshëve të Italisë.
“Në Arbanas janë ruajtur vetëm 10-15 këngë, ndërsa ne i kemi zgjedhur ato që na përshtaten neve. Kemi përfshirë edhe dy këngë të bukura të arbëreshëve të Italisë”, ka thënë Dina.
Ato e kanë filluar koncertin me këngën e njohur “Arbëneshit vendit tem”, të cilën e ka shkruar Bruno Moroviq Grishpa, një abëresh që është larguar nga Arbanasi, për ta përfunduar me këngën “Zogu i verës”, që mendohet se është kënga më e vjetër të cilën arbëreshët e kanë sjellë në Zarë nga treva e Krajës. Gjatë koncertit Melita ka luajtur në kitarë edhe disa pika instrumentale.
Koncerti është organizuar nga Komuna e Ulqinit dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi.
Në fjalën përshëndetëse në emër të organizatorit, sekretari për Kulturë, Rini dhe Sport i Komunës së Ulqinit, Artan Çobi, ka thënë se “këto ura lidhëse na vlejnë që t’i vazhdojmë, sepse ky komunitet don mbështetje, don që të jetë sa më afër, sidomos trevave dhe vendeve nga kanë lëvizur, janë shpërngulur”.
Koncerti “Bërbili” ishte në njëfarë mënyre rikthim përmes muzikës i duetit Dina dhe Mel te rrënjët e të parëve të vet.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat