Të premten, më 5 mars, në moshën 77-vjeçare vdiq arsimtari i Gjuhës dhe letërsisë serbokroate Rexhep Kokaj.
Ai u lind në fshatin Brajshë – Komuna e Ulqinit, më 1 janar 1944. Rrjedh nga një familje arsimdashëse. Shkollën fillore e kreu në Katërkollë, ku u dallua si nxënës i mirë dhe i rregullt. Shkollën Normale e ka regjistruar në Prishtinë, por vetëm pas disa muajsh i transferuan në Gjakovë, ku pas pesë viteve merr diplomën e mësuesit.
Gjatë shkollimit në Normalen e Gjakovës është dalluar si aktivist, veçanërisht në lexim dhe krijimtari letrare. Poezitë dhe prozat e tij poetike botoheshin në shtypin periodik të Prishtinës dhe Shkupit, si në revistat “Zëri i rinisë” dhe “Jeta e re”, gazeta “Flaka e Vëllazërimit” etj. Bashkë me Xhevdet Hamzën do të vlerësoheshin si krijuesit më të mirë në takimin letrar në Landovicë. Talentin e tij për krijimtari letrare do ta tregojë edhe në shumë konkurse letrare për shkollat e mesme në Kosovë, ku madje edhe u vlerësua me Çmimin për vendin e parë.
Krahas talentit në gjuhë dhe shkrim, gjatë shkollimit në Gjakovë do të dëshmojë talentin edhe në aktrim, ku bashkë me shokët e tij nga Ana e Malit, Musa Maxharri e Musa Gjoni, si dhe shokë e shoqe gjakovare do të vendosin në skenë një komedi të Molierit dhe një dramë tjetër, në vitin 1965, së bashku me aktorët e Teatrit Popullor.
Me shkrime do të vazhdojë të merret edhe si student në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren. Për të mbetet e paharruar paraqitja me grupin e poetëve të rinj në Mitrovicë (1970). Por përkundër talentit të tij për letërsinë, nuk ka botuar ndonjë libër.
Pas diplomimit në Shkollën Normale të Gjakovës, kthehet në vendlindje dhe punësohet në Katërkollë, si mësimdhënës në klasë të larta, ku dha me sukses lëndët Histori e Gjeografi. Pas një viti punë shkon në shërbimin dyvjeçar ushtarak, kurse pas kryerjes kthehet përsëri në punë, por tani si shumë mësues të tjerë, transferohet në paralelen e ndarë në Sukubinë, ku dha mësim në klasë të katërt dhe të pestë.
Duke e parë nevojën për një arsimtar të gjuhës serbokroate, në tetor të vitit 1969 e lëshon vendin e punës, për të vazhduar studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, për Gjuhë e letërsi serbokroate. Studimet i kreu në afatin rekord dhe kthehet në vendin e punës si arsimtar i diplomuar i Gjuhës dhe letërsisë serbokroate, në qershor të vitit 1971. Si arsimtar i diplomuar për këtë gjuhë punoi deri në vitin 1977/1978, kur zgjidhet drejtor i Shkollës Fillore “Bedri Elezaga” me mandat katërvjeçar.
Periudha si drejtor i shkollës përkoi me shumë vështirësi, sidomos për shkak të rrethanave që krijoi tërmeti i vitit 1979, i cili i shkatërroi objektet shkollore. Për këtë arsye, mësimi për nxënësit e shkollës amë u desh të organizohej në terrenet sportive të Shkollës së Vjetër në Katërkollë, kurse shkollat e terrenit e zhvilluan mësimin në shtëpi private derisa u meremetuan objektet shkollore.
Ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë do të kenë ndikim edhe te shqiptarët në Malin e Zi, ndaj të cilëve u ndoq fushata e diskriminimit. Në ballë të sulmit u gjenden punonjësit e arsimit, në mesin e të cilëve edhe Rexhep Kokaj. Për këtë, shkas u bë seminari për punonjësit e arsimit, i organizuar nga Ministria e Arsimit, më 26 dhe 27 shtator 1981 në Ulqin, ku u diskutua për çështjen e planprogrameve të lëndëve me mësim në gjuhën shqipe. Në këtë seminar, Rexhep Kokaj ishte në mesin e atyre që folën kundër padrejtësive në arsimin shqip në Malin e Zi. Për këtë arsye, në vitin shkollor 1981/1982 bashkë me tre mësimdhënës të tjerë të Shkollës Fillore “Bedri Elezaga” do të përjashtohet nga Lidhja Komuniste dhe nga vendi i punës, me akuzën për nacionalizëm, separatizëm dhe irredentizëm.
Pas shpërbërjes së sistemit monist, në nëntor të vitit 1991 rikthehet si arsimtar i Gjuhës dhe letërsisë serbokroate në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga”. Disa vite punoi edhe në Shkollën Fillore “Marko Nuculloviq” në Shtoj, për plotësimin e ngarkesës mësimore. Kthehet përgjithnjë në Shkollën Fillore në Katërkollë, ku punoi me orar të plotë deri në pension. Gjatë kësaj kohe ka ndihmuar edhe në përgatitjen dhe botimin e revistës shkollore “Shkëndijat”.
Së bashku me bashkëshorten e tij, Syme Kokaj, arsimtare e Gjuhës dhe letërsisë shqipe, kanë dhënë një kontribut të çmuar për arsimin shqip në Anën e Malit dhe arsimin shqip në Malin e Zi në përgjithësi.
Rexhep Kokaj ishte një njeri me ide përparimtare, gjithmonë në humor, i dashur si mësimdhënës dhe për të gjithë brezat.
U varros të shtunën, më 6 mars 2021, në vendlindjen e tij në Brajshë.
(Kohapress)
