Reflektim serioz mbi kohën dhe hapësirën

Në tekstin e parathënies së librit, përkthyesi Dr. Lazër Radi vë në dukje se në mjaft prej këngëve popullore të asaj treve dhe të asaj kohe, Mark Milani shfaqet me gjithë staturën e një luftëtari të rreptë, si kundër turqve po ashtu edhe ndaj shqiptarëve, me ashpërsinë tipike sllave, megjithëse urrejtja e tij nuk arrin të shkojë deri në patologji ndaj shqiptarëve, siç ndodh rëndom te sllavët e jugut

Shaban Hasangjekaj

Shqipëruesi dhe përkthyesi i librit “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve” (nga origjinali “Život i običaji Arbanasa”) të autorit Mark Milani, Dr. Lazër Radi, në fillimin e parathënies thekson se emri i Mark Milanit, i mirënjohur si Marko Miljanov Popoviq, nuk është i padëgjuar dhe as figurë e panjohur ndër shqiptarët, e në mënyrë të veçantë ndër shqiptarët e përtej Drinit. Ai në vazhdim shton se Mark Milani shfaqet në periudhën më delikate të historisë së Gadishullit, pikërisht në ato kohë kur luftohej për çlirim nga zgjedha turke, gjë e cila ishte problemi themelor i asaj kohe, si dhe krijimi i fizionomisë së shteteve të reja ballkanike, që lindën pas këtij çlirimi. Sigurisht, shprehet shqipëruesi Radi, fizionomia e shteteve të reja mbartte në vetvete luftën midis fqinjëve për të zgjeruar kufijtë në kurriz të njëri-tjetrit. E në këtë ndërthurje interesash, ku gjithnjë ishin të pranishme si lufta ashtu edhe intrigat e Fuqive të Mëdha, shfaqet figura e Mark Milanit, një figurë sa e thjeshtë aq dhe komplekse, sa e ndjeshme aq edhe njerëzore, sa e ashpër aq edhe luftarake, sa e arsyeshme aq edhe e paarsyeshme.
Në tekstin e parathënies së librit Radi vë në dukje se në mjaft prej këngëve popullore të asaj treve dhe të asaj kohe, Mark Milani shfaqet me gjithë staturën e një luftëtari të rreptë, si kundër turqve po ashtu edhe ndaj shqiptarëve, me ashpërsinë tipike sllave, megjithëse urrejtja e tij nuk arrin të shkojë deri në patologji ndaj shqiptarëve, siç ndodh rëndom te sllavët e jugut. Në përplasjen e gjatë midis vendasve të mbirë në këto male dhe ardhacakëve të zbritur nga stepat e veriut, përmblidhet gjithë tradicionalja e kësaj lufte të pafund, ku një hallkë e rëndësishme e saj është edhe vojvoda i Malit të Zi, i quajtur Mark Milani.

Edhe pse ishte autodidakt i thjeshtë, në moshën 50-vjeçare mësoi të shkruajë dhe lexojë, ia doli të shkruajë katër vepra letrare: “Fisi i Kuçit në këngët dhe tregimet popullore”, “Shembuj trimërie dhe burrërie”, “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve”, pjesë nga e cila janë edhe shqipërimet dhe përkthimet e këtij botimi, si dhe vepra e katërt “Kujtime nga lufta”, e cila ka humbur në dorëshkrim, që përbëjnë opusin e krijimtarisë së Mark Milanit


Ai u lind më 1833 në Medun, fshat i krahinës së Bjeshkëve të Kuçit, që ndodhet në kufirin midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, krahinë kjo e cila ka qenë me popullsi shqiptare të besimit katolik, por më vonë e asimiluar në malazeze-ortodokse, në një krahinë ku përzierja midis shqiptarëve dhe malazezëve anonte nga këta të dytët. Megjithatë, shprehet shqipëruesi i tekstit të librit Lazër Radi, askush nuk mund ta mohojë origjinën e tij të largët shqiptare, por as edhe faktin se pjesën më të madhe të jetës, ai e kaloi duke luftuar pikërisht kundër tyre (shqiptarëve).
Mark Milani ishte njeri i thjeshtë dhe mjaft popullor, pohon shqipëruesi Radi, dhe në vazhdim shton se edhe pse i pashkollë dhe i panxënë në akademitë ushtarake të Lindjes apo Perëndimit, ai ishte një njeri me bonsens dhe me shpirt të veçantë luftarak, falë të cilit, u ngrit deri në nivelin e një prej vojvodëve më në zë të Malit të Zi. Fillimisht ai shfaqet si vojvodë te princ Danilloja, deri në vitin 1860, pra deri në moshën 27-vjeçare, dhe më pas ai do të shërbejë me devotshmëri në oborrin e Knjaz Nikollës, me atributet e një luftëtari të rreptë, deri tek ato të një komisioneri për çështje kufitare, pikërisht në kohën kur shqiptarët po organizoheshin për çlirimin kombëtar dhe krijimin e shtetit të tyre. Deri në vitin 1882, kur ende s’qe shuar Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ai do të vazhdojë të luftojë pranë Knjaz Nikollës, në një nga periudhat më kyçe për historinë e Malit të Zi.
Shqipëruesi dhe përkthyesi i librit Dr. Lazër Radi thekson se nuk dihet arsyeja e vërtetë e largimit të tij (Mark Milanit) nga oborri i Knjazit, por siç duket, intrigat dhe prapaskenat e kundërshtarëve të tij bënë që Knjazi ta “degradojë” dhe ta largojë për në Medun “për arsye shëndetësore”, ku iu caktua edhe një pension i vogël, vetëm sa për të jetuar. Në këtë kohë, Mark Milani ishte vetëm 49 vjeç, një luftëtar me mjaft përvojë dhe pjekuri të fituar në beteja, me dëshirë që të vazhdonte më tej rrugën e nisur. Megjithatë, shprehet përkthyesi Radi, vitet e fundit të jetës ai u detyrua t’i kalonte në Medun (në vendlindje), si pensionist i harruar, bile thuhet se atje ka qenë i internuar.
Në shtypin vendas është zhvilluar një polemikë e ashpër midis historianëve, të cilët ende sot mendojnë se nuk është hedhur dritë e plotë mbi rolin dhe personalitetin historik të Mark Milanit. Bile thuhet se kjo është edhe arsyeja e përfoljeve të shumta rreth marrëdhënieve të tij me Knjaz Nikollën. Ende nuk është marrë vesh nëse ftohja mes tyre erdhi si rezultat se “Vojvoda nuk qe dakord me konceptet kushtetuese të Knjazit”, apo ngaqë “Vojvodën më të madh të Malit të Zi” po e zhyste në fatkeqësi zilia dhe egoizmi i Knjazit!
Pas gjithë këtyre të dhënave, përkthyesi Lazër Radi bën me dije se Mark Milani jetoi edhe për 19 vjet aty në Medun, deri në vitin 1901, ku vdiq i mplakur, i harruar dhe i braktisur. Ai nënvizon se deri në moshën 50-vjeçare, Mark Milani kishte qenë vetëm një luftëtar që e kishte mësuar artin e luftës, drejtpërdrejt në fushat e betejës. Pas kësaj moshe shihet tek ai që me pasion djaloshar i përvishet punës për të mësuar gjuhën e shkruar dhe artin e të treguarit. Katër veprat e tij janë dëshmi jo vetëm e këmbënguljes së tij, por edhe një reflektim serioz mbi kohën dhe hapësirën, në të cilën ai jetoi e luftoi e të cilën u përpoq ta pasqyronte besnikërisht në veprën e vet.
Mark Milani ishte një autodidakt i thjeshtë, dinte përmendësh qindra këngë popullore, njihte mirë “Kurorën e maleve” të Njegoshit si dhe tridhjetë shenjat e “Abetares” së Vuk Karaxhiqit. Duke qenë kështu diçka më shumë se një fillorist, ai arriti falë këmbënguljes së tij të krijojë një vepër të plotë e solide, pasi kishte shkruar më parë historinë e vendit të vet me pushkë në krah.
Edhe pse ishte autodidakt i thjeshtë, në moshën 50-vjeçare mësoi të shkruajë dhe lexojë, ia doli të shkruajë katër vepra letrare: “Fisi i Kuçit në këngët dhe tregimet popullore”, “Shembuj trimërie dhe burrërie”, “Jeta dhe zakonet e shqiptarëve”, pjesë nga e cila janë edhe shqipërimet dhe përkthimet e këtij botimi, si dhe vepra e katërt “Kujtime nga lufta”, e cila ka humbur në dorëshkrim; që përbëjnë opusin e krijimtarisë së Mark Milanit. Besohet se vepra “Kujtime nga lufta” do të ketë qenë me mjaft interes pasi luftërat e tij kanë qenë dydimensionale: luftë çlirimtare kundër turqve dhe luftë pushtuese për zgjerimin e kufijve të Malit të Zi në dëm të shqiptarëve. Sigurisht në këtë vepër duhet të jetë përfshirë edhe periudha e Lidhjes së Prizrenit, kur Kongresi i Berlinit kërkonte t’i aneksonte Malit të Zi Plavën dhe Gucinë, ndërkohë shqiptarët u ngritën në luftë kundër këtyre vendimeve të cilat u shoqëruan me vrasjen e Maxhar Pashës dhe të Abdullah Pashë Drenit në Gjakovë.
Janë këto ngjarje, të cilat Mark Milani duhet t’i ketë përcjellë drejtpërdrejt, pasi në këtë kohë ai ishte “i përkëdheluri” i oborrit të Knjaz Nikollës. Është kjo periudhë me fitoret dhe humbjet e Mark Milanit, aq shumë të kënduara në këngët popullore, e cila nuk pasqyrohet në veprat e tij të botuara. Ai hesht ndaj disfatave të tij dhe të serbo-malazezëve, sikur ato të mos kishin ndodhur kurrë. Kësisoj, përkthyesi Radi është i mendimit se vepra e humbur “Kujtime nga lufta” mbetet me mjaft interes, jo vepër për të ndjekur objektivitetin e autorit, por edhe për të parë vlerësimin e qëndrimin e tij, si për fitoret ashtu edhe për humbjet, që ishin veçanërisht të lidhura me shqiptarët.
(vijon)

Të fundit

më të lexuarat