
Një nga pesë shtyllat kryesore të fesë islame është edhe agjërimi i muajit të bekuar të Ramazanit. Për këtë arsye, muaji i Ramazanit mbartë në vete vlera të mëdha dhe bekime të panumërta. Agjërimi i këtij muaji ndërkaq është ibadet dhe adhurim i veçantë dhe i dalluar nga adhurimet e tjera, që kërkon bindje dhe sakrificë më të madhe nga besimtarët myslimanë, sepse me të duhet të largohemi – në kohë të caktuara, pra nga imsaku e deri në iftar nga gjërat që në esencë i kemi të lejuara.
Zoti xh.sh. në Kuranin fisnik, thotë:
”O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”.
Së këndejmi, muaji Ramazan është muaji i shenjtë. Prandaj dhe ditët, netët, orët dhe minutat e tij patjetër që kanë një vlerë më të madhe në raport me të njëjtët jashtë këtij muaji. Edhe veprat që bëhen në Ramazan kanë vlerë më të madhe, por edhe shpërblimi do të jetë më i madh. Agjërimi në të vërtetë e forcon njeriun, e kalit, e edukon dhe mbush me pozitivitet.
Se ç’vlera ka agjërimi i këtij muaji, flasin një numër i madh i thënieve (haditheve) të Pejgamberit a.s., ndër të cilët po veçojmë hadithin të cilin e transmeton Ebu Hurejra r.a. nga Pejgamberi a.s. të ketë thënë: “Agjërimi është mbrojtës dhe (agjëruesi) le të mos kryejë vepra të turpshme e të këqija, nëse dikush e sulmon ose e fyen le t’i thotë dy herë:” Unë agjëroj!” Pasha Atë që shpirti im është në duart e Tij, aroma e gojës së agjëruesit është më e këndshme te All-llahu sesa aroma e parfumit. Agjëruesi e len ushqimin, pijen dhe kënaqësitë për Allahun. Prandaj dhe Allahu thotë se agjërimi është i Imi dhe Unë dhe për secilën vepër të mirë do të ketë shpërblimin e dhjetëfishuar.
Ardhja e Ramazanit është shpresë se mëshira e Zotit xh.sh. do të bjerë mbi ne, se bekimet e Zotit do të derdhën mbi botën mbarë, ngase Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush falet me devotshmëri në Ramazan dhe besim të vërtetë që atë që ka obligim duke llogaritur në shpërblimin e All-llahut do t’i falen mëkatet e mëhershme të bëra (ndaj All-llahut)”.
Agjërimi zhvillon te njeriu ndjenjën e mëshirës, rillogaritjen e vetes, kujdesin e shtuar ndaj anëtarëve të familjes, edukimin e tyre duke shfrytëzuar ditët e Ramazanit si mundësi. Ai ka edhe një efekt shumë domethënës tek edukimi i të rinjve dhe tek lidhja psiko-socile e tyre në raport me fenë e tyre.
Falë agjërimit njeriu kupton më mirë vlerën e begative, duke pasur parasysh se ai e privon vetveten nga këto begati për një periudhë të caktuar, por njëkohësisht e shpërblen për mundin e bërë. Këtë më së miri e sqaron ngjarja e Pejgamberit tonë të dashur Muhamedit a.s. me beduinin, kur ky i fundit kishte thënë:
- “O i dërguar i Allahut, më informo se ç’më ka urdhëruar All-llahu prej namazeve?”
- “Pesë (kohët) e namazit, përveç nëse ti dëshiron diçka vullnetarisht” – qe përgjigjur Pejgamberi a.s.
- “Më informo se ç’më ka urdhëruar All-llahu prej agjërimit?”
- “Muajin e Ramazanit, përveç nëse ti dëshiron edhe diçka vullnetarisht”.
- “Më informo se ç’më ka urdhëruar All-llahu prej zeqatit?”
Kur Pejgamberi a.s. e informoi me të gjitha obligimet islame, nomadi tha: “Pasha Atë i cili të ka nderuar (me pejgamberllëk) nuk do të shtoj vullnetarisht asgjë, por edhe nuk do të shkurtoj (nuk do të pakësoj) prej asaj që më ka obliguar All-llahu”.
Pejgamberi a.s. (me atë rast) tha: “Nëse ka qenë i sinqertë ka për të hyrë në Xhenet”.
Agjërimi i muajit të Ramazanit, sikurse dihet, është obligim për çdo besimtarë mysliman, qoftë mashkull apo femër që ka mbushur moshën e pubertetit dhe ka zhvillim mendor normal. Po ashtu ngritja në syfyr për të ngrënë para se të hyjë koha e agjërimit, është e preferuar ngase Pejgamberi a.s. ka thënë: “Hani syfyr, sepse në syfyr ka bereqet”. Ushqimi në syfyr i jep forcë besimtarit që të durojë agjërimin gjatë ditës. Koha e syfyrit është njëra nga kohët kur duaja pranohet nga Allahu. Këndimi i lutjes së më poshtme në kohën e iftarit është synet: “Allahu im, për hirin Tënd agjërova, ty të besova, te Ti u mbështeta dhe agjërimin tim me riskun Tënd e hapa. Dhe bëra nijet të agjëroj edhe ditën e nesërme të Ramazanit. M’i fal gjynahet e kaluara dhe gjynahet në të ardhmen!” .
Në këtë muaj më së shumti duhet të ketë vend ibadeti: leximi i Kuranit fisnik, pastaj krahas namazeve të detyrueshme të falim edhe nafile, të shtohet dhikri-përmendja e Zotit xh. sh., të bëhet dua, të ndahet lëmoshë, të pendohemi tek Zoti xh.sh., ta falënderojmë Atë për të gjitha mirësitë që na i jep, si dhe të lexojmë literatura të dobishme në mënyrë që agjërimi ynë të ketë kuptim të plotë.
Duke ua uruar të gjithë besimtarëve myslimanë dhe në veçanti lexuesve të gazetës Koha Javore muajin e Ramazanit, e lusim Allahun xh. sh. që lutjet dhe adhurimet tona të na i pranojë dhe mbi ne të derdhë mëshirën dhe rahmetin e Tij të pakufishëm! Paqja dhe harmonia qoftë mbi banorët e gjithë botës mbarë!
