“Kohë në shtjellë” titullohet vëllimi poetik i autorit Atë Pashko Gojçaj, njëherësh provincial i Provincës Françeskane “Zoja Nunciatë” në Shqipëri dhe Mal të Zi, me seli në Shkodër, i cili u promovua të shtunën mbrëma, më 13 dhjetor 2025, në Qendrën Pastorale “Shën Ndou” në Tuz, në prani të një numri të konsiderueshëm të publikut nga sfera të ndryshme jetësore, përfshirë kryeipeshkvin e Argjipeshkvisë së Tivarit – Imzot Rrok Gjonlleshajn, Imzot Zef Gashin dhe motrat e nderit.
Fillimisht, të pranishmit i përshëndeti patër Mirash Marinaj, i cili theksoi se botimet françeskane, siç është rasti edhe me këtë vëllim poetik, por edhe ribotimet, po i japin kulturës shqiptare një gjallëri të jashtëzakonshme.
Mbi këtë vëllim poetik, i cili përpara lexuesit shpalos përjetime të thella personale, shpirtërore dhe kombëtare, të shprehura përmes vargjeve të fuqishme poetike të autorit, një vështrim paraqiti Prof. as. Dr. Vinçens Marku, pedagog në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, i cili tha se koha për autorin e vëllimit “Kohë në shtjellë” nuk është një nocion abstrakt, por momenti i vështirë nëpër të cilin po kalon mbarë njerëzimi në këto kohë shumë problematike për mbarë globin.
“Shtjella është një metaforë që e ripërforcon edhe më tepër shkallën e lartë të vështirësisë në të cilën gjendemi”, u shpreh ndër të tjera Marku.
Ai u ndal në analizën e njërës nga poezitë e librit – “Shkodra ka”, ku autori ka treguar atë që ka qyteti i Shkodrës, më saktësisht se ky qytet ka gjithçka, ose siç e ka përshkruar autori “s’ka çka s’ka”.
“Ju keni sjellë një vëllim poetik shumë cilësor për këto ditët tona. Është një vëllim që do t’i bëjë njerëzit të mendojnë mirë për gjendjen në të cilën janë”, theksoi mes tjerash Marku.
Studiuesi dhe kritiku letrar Anton Gojçaj, në vështrimin dhe analizën e tij të detajuar mbi librin “Kohë në shtjellë”, tha se motivet kryesore të poezive janë ato fetare, atdhetare, refleksive, përshkruese, socio-historike etj.
Ai theksoi se ky libër paraqet kulmin e krijimtarisë së deritanishme letrare të këtij autori.
“Poeti Pashko Gojçaj e pasuron ndjeshëm letërsinë shqipe në Malin e Zi (por edhe në nivelin e mbarë poezisë bashkëkohore shqipe), sidomos me llojin e poezisë së përshpirtshme, që është ndoshta motivi më i vjetër i lirikës shqipe, pa i nënvlerësuar aspak edhe motivet dhe shtresat e tjera që poezinë e bëjnë poezi e artin art. Ky nuk është një libër fetar në vargje, por është një vepër letrare motivesh të ndryshme, mes të cilëve motivi i përshpirtshmërisë është i pari në mes të barabartëve”, tha Gojçaj.
Ndërkohë, motra Ollga Dulaj, provinciale e Motrave Françeskane të Zojës së Papërlyer me seli në Cetinë, veçoi poezinë “Pasuria e skamjes”, për të cilën tha se është një nga shtyllat më të thella shpirtërore të këtij libri, një poezi që, siç tha, ngrihet mbi dramën e ekzistencës njerëzore dhe e kthen skamjen në pasuri të brendshme.
“Na kthen tek vetvetja pikërisht në këtë vorbull. Ajo është dëshmi e një bote ku njerëzit kishin pak në duar, por shumë në zemër, një botë të rrahur nga varfëria por të mbajtur në këmbë nga dinjiteti, besimi dhe vlerat që brezat i ruajtën si trashëgimi të shenjtë”, theksoi ndër të tjera ajo.
Motra Dulaj tha se autori nxjerr në pah thesarin e pasur të vlerave edhe kur jeta mezi u jepte frymë.
“Poezia rrëfen paradoksin e shenjtë të kulturës sonë se vlerat e mëdha lindën pikërisht në barkun e urisë, aty ku kishte pak bukë në sofër, por shumë shpirt në shtëpi. Aty ku s’kishte send të trashëguar, trashëgoheshin virtytet. Aty ku kushtet ishin të pamundura, qëndresa bëhej e domosdoshme”, theksoi Dulaj.
Ndërkaq, patër Vitor Demaj, duke folur për këtë vepër të rëndësishme letrare, nxori në pah kontributin që Patër Pashko Gojçaj ka dhënë ndër vite me krijimtarinë e tij letrare, veçanërisht kontributin e dhënë në Kuvendin Françeskan të Tuzit, si famullitar i Tuzit, për botimet e tij si revista “Zani i Sh’na Ndout”, si dhe aktivitetet e tij kulturore etj.
“Pra, qysh i ri u shfaq ai talenti i tij i poetit për poezi të ndryshme e në mënyrë të veçantë e frymëzoi Nanë Tereza”, tha ndër të tjera Demaj.
Autori i librit, Patër Pashko Gojçaj, duke falënderuar të gjithë të pranishmit në këtë promovim, theksoi frymëzimin dhe rrugëtimin e këtij vëllimi poetik, i cili, siç tha, ka pritur disa vite për të dalë në dritë, përkatësisht që nga viti 2009.
Ai theksoi se atë që e ka shkruar në këtë libër, e ka shkruar me zemër.
Në mungesë, në promovim u lexua vështrimi për librin i Prof. Dr. Anton Nikë Berishajt.
Patër Pashko Gojçaj ka botuar deri tani disa vepra letrare dhe vëllime poetike: “Takimi i kohëve”, “Zvonici sjene” (Kompanjelat dhe hijet), “Zani i Zanit”, “Sytë e shenjtneshës” dhe një Foto Album.
t. u.
