Qefulli – peshku me 12 emra shqip

Hajro Ulqinaku

Qefulli i ka 12 lloje: vjeshtak, gushtak, gurcak, veshar, baltak, cumërr… (Cafo Ishmaku)
Unë i numërova, me temen (timen), dolën 12 e kusur emra.
QEFULL, -I, sh. QEFUJ m. iktiol. (lat. mugli cephalus; it. cefalo, kroat. cipol, skakavica); ulqinakët i numërojnë disa lloje: majuk, gushtak, gurc (gurcak, gurqak, guracak, guraqak), baltak (baltuk, baltaçak), veshar, cumërr, brufull; mrazicë, qefull vjeshte, qefulli: del nga deti, hyn në Bunë, e derdh, lëshon putargën, del në det.
CUM/ËRR, -RRA, f. 1. iktiol. (lat. mugil cepha-lus) qefull i ri, me krye të vogël, shtat trupalec, i shkurtër e i trashë, me bisht të vocërr; shih: qefull.
KURSTULLESH/Ë, – A f., iktiol., cumërr (cumër), qefull (femër) që i është prishur putarga (ikra) dhe, në vend që ta rrahë nëpër gurë, zhavorr, e derdh duke ecur, andaj meshkujt i shkojnë pas dhe ia marrin vezët në gojë (Beto Kashoxha); shih: qefull.
RRUFAK, – U, (RRUFEL, – I) m. iktiol., 1. qefull rrufel i cili e ka rrahur, e ka derdhur putargën; peshk i lëshuar, është bosh (pa ikër), është i cilësisë së dobët.
VESHAR, -I m. iktiol., (lat. liza aurata; kroat. zlatac, zlatorepka, plaznik) jeton vetëm në det, në hyrje të deltave të lumenjve; qefull i ri, i pranverës, i cili në kapakët e veshëve ka nga një pullë të artë, prandaj quhet kështu: vesh-ar; vesh-verdhë.
BALTAK, -U m. iktiol., qefull që hyn nga deti në lumë, liqen (në kohën kur rrihet) dhe ushqehet në vende me baltë, andaj i vjen era baltë dhe e merr emrin e tillë; shih: qefull.
GURC, – I (GURCAK, -U, GURACAK, -U) m. iktiol., qefull i hollë (i vogël) që ushqehet nëpër gurë, nga e ka marrë edhe emrin; shih: qefull.
MAJUK, – U m. iktiol., qefull që kthen në maj, del prej Bune e bie në det; zihet në maj; shih: qefull.
VJESHTUK, – U m. iktiol., peshk vjeshte, peshk për së m(b)ari, i madh, i mirë, cilësor; shih: qefull.
PATARIQ, -I m. iktiol., një peshk, p.sh. një qefull ose kubël e madhe nja 2-3 kg.; nga patare (gur, peshë).
GUSHTAK, -U m. 1. iktiol. (lat. mugil cefalus) qefull i madh, shumë cilësor që del në gusht.

(Hajro Ulqinaku, “DET I MIRË+” (impresione & glosa), dorëshkrim, 2024)

Të fundit

më të lexuarat