Guci – Punët në ndërtimin e trotuarit pranë rrugës magjistrale Guci-Plavë, në vendbanimin Dosugje, nuk kanë kryer në afatin e paraparë. Këtë e kanë konfirmuar përgjegjësit në Komunën e Gucisë, duke përkujtuar se punimet është dashur të përfundojnë para fillimit të dimrit.
“E saktë është se ka qenë paralajmërimi që punimet të kryhen deri në fund të shtatorit të vitit të kaluar, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të vështirësive të caktuara me të cilat është ballafaquar kryerësi i punimeve. Por, shpresojmë se mu kur kushtet kohore të mundësojnë, do të vazhdojnë, dhe se do të kryhen para fillimit të sezonit turistik veror”, kanë theksuar nga administrata lokale.
Kanë sqaruar se bëhet fjalë për shtegun e këmbësorëve me gjatësi 1877 metra, që shtrihet prej lokalitetit Kriva Vrba, jo larg Gucisë, deri te vendbanimi Cirikaçe, duke shtuar se punimet i financon Ministria e Punëve Publike dhe se kryerësi i punimeve është SHPK “Asfalt-Beton Gradnja” – Podgoricë.
“Edhe me këtë projekt Komuna e Gucisë vazhdon përpjekjet që përmes modernizimit të infrastrukturës të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve të vet dhe të krijojë kushte për zhvillim të qëndrueshëm dhe fuqizim të ofertës turistike”, janë shprehur në qeverisjen lokale, duke shtuar se vlera e punimeve në ndërtimin e trotuarit në vendbanimin Dosugje është 355 mijë euro.
Ky projekt konsiderohet me rëndësi për jetën e përditshme të qytetarëve dhe për zhvillimin e mëtejmë të Gucisë si destinacion i rregulluar e modern dhe tërheqës e joshës për turistët.
Sh. Hasangjekaj
