Redaktori Gazmend Çitaku theksoi se në numrin 16 të revistës “Dija” ka shumë autorë të rinj dhe se “Dija” fillon me një njeri të madh, poetin e ndjerë Dritëro Agollin, ku në fillim të revistës janë botuar poezi kushtuar Agollit me rastin e vdekjes së tij, dhe përfundon me një njeri të madh – piktorin e ndjerë vendas Rudi Goga
Ulqin – Me një veprimtari të organizuar të premten mbrëma në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin, Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi shënoi 15-vjetorin e themelimit të tij dhe bëri përurimin e numrit 16 të revistës për shkencë, kulturë, art “Dija”, që botohet nga kjo shoqatë.
Për punën e deritashme të BKSHMZ-së foli kryetari prim. dr. Gani Karamanaga, i cili nënvizoi disa nga aktivitetet kryesore të kësaj shoqate.
Ai tha ndër të tjera se “në kushte të vështira financiare kemi punuar dhe mbijetuar tërë këto vite”.
Karamanaga përkujtoi se Kuvendi themelues i BKSHMZ-së është mbajtur më 16 nëntor 2002, pas kësaj menjëherë është themeluar revista “Dija”, si organ i saj, dhe se deri tani janë botuar 16 numra.
Sipas tij, me rëndësi është të përmenden dy veprimtari në Tiranë. E para, në prill të vitit 2014, kur në Bibliotekën Kombëtare kanë prezantuar revistat në gjuhën shqipe që botohen në Malin e Zi, dhe e dyta, më 17 nëntor 2017, ku në organizimin e Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës dhe Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë janë prezantuar veprat e nëntë autorëve shqiptarë nga Mali i Zi. i.k.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “792” të revistës Koha Javore
