
Secili e ka Trojën e vet – ka thënë poeti.
Trojës, Olimpit mitik, u kënduan epope, himne e ode që nga antika. Në letërsinë shqiptare, poetët e kanë qytetin – kalanë jetike. Kështjella e Rozafatit, në Shkodër, është legjenda më e përhapur shqiptare. Në të këndohet edhe për Bujenën e Valdanuzin.
… Ato ishin (janë) këngë të heroizmit.
Në letërsinë artistike shqipe, Naimi, si poet i parë, shkroi vargun romantik për Ulqinin:
- Burrat tuaj aq trima do ta lënë vall’ Ylqynë!
Gjermani Kurt Hazert, në udhëpërshkrimin e tij, shënon: - Dulcigno, Olcinium i romakëve, Ulcinj i sllavëve dhe Olgun i shqiptarëve, përbëhet nga qyteti i vjetër dhe i riu. I pari është ndërtuar në shpatet e Malit të Bardhë, që pjerrtë lëshohet drejt detit, ka një pamje piktoreske të shtëpive të rrënuara të shpërndara dhe fsheh për arkeologë thesare të vlershme. Ka pasur së paku pesë sundimtarë: romakët, bizantinët, serbët, venedikasit dhe turqit, deri sa nuk i është dhënë Malit të Zi si kompensim për viset e Gucisë dhe të Plavës. Këtu ka edhe zezakë.
Shabatai Cevi e zgjodhi Ulqinin, kusarët e të cilit nuk lodheshin fare as për perandorinë, as për Zotin, – ligjëron Zuvdija Hoxhiq – Berisha në Ylli i Davidit.
Çeku, Josif Jan Svatek, tregon: - Romantikë më të madhe Ulqinit i jep Qyteti i Vjetër (Kalaja!) – Në Ulqin do të hasni një përzierje të të gjithë popujve të mundshëm, fiseve dhe ngjyrave, religjioneve. Një popullatë e cila kurrë nuk ka dashur t’i nënshtrohet dorës së fortë.
Valdanosin e përshkuan kësodore: - Edhe më të bukur është ullishta qindravjeçare në anën tjetër të Ulqinit, në veriperëndim, kah shkon rruga e moçme. Shëtitëm deri atje një mbrëmje dhe na dukej se kemi hyrë në një peizazh biblik. Shkuam ta shihnim atë gjirin e mrekullueshëm të quajtur Val-di-Noçe, për të cilin poetët tanë, kur kanë ardhur këtu, i kanë kënduar ode.
- Asnjëherë s’më ka shkuar mendja /T’ia kushtoj ndonjë varg /Poezi ishte vetë /Tash duhet t’ia shkruaj një këngë /Që ta kujtoj siç ishte – ia këndon miniaturën Valdanosit të baladave, poeti modern ulqinak, Jaho Kollari.
- Gjëja e parë që i kujtohem në jetë është Plazhi i Madh i Ulqinit, – mrekullohet Balsha Bërkoviqi dhe shton:
- Plazhi i Madh është me një gjatësi për të mos e besuar prej pesëmbëdhjetë kilometrash, me një rërë të mirë, të imët, çfarë as që mund ta merrni me mend. Një copë e Parajsës që rastësisht ka rënë në tokë, pikërisht në këtë vend.
Dushko Milaçiqi, ardhës nga Mostari, gazetar i dashuruar në Ulqin e Bunë, që e mori me vete, thotë: - Ulqini është vetëm një kënd i mrekullueshëm i tokës së lënë, një parajsë e lënë, – dhe ekzalton:
- E Ulqini, o mbreti im, pasha t ‘madhin Zot, është i mrekullueshëm! Zoti ia ka dhuruar Ulqinit të gjitha, ndërsa njerëzit, asgjë. O Zot, se çfarë është ky Ulqini dhe njerëzit e tij!
Me zhvillimin e turizmit Ulqini bëhet Mekë e vizitorëve, nga mbarë bota, sidomos nga Kosova.
Madhështia e Kalasë, deti i hapur, ambientet ekzotike: Ullishta, Valdanosi, Krruçi, Porti i Gjeranave, Zalli, Buna, Shasi … – s’i lënë indiferentë mysafirët, udhëpërshkruesit, poetët. Ata thurin vargje ndër më të ndryshmit, varësisht nga vokacionet, përjetimet dhe preokupimet e tyre.
(Një udhëpërshkruese pohon se qielli mbi Ulqin ka më shumë yje se asnjë qytet në Botë).
Në Ulqin: - Të gjitha rrugët /bien në det, /Nëpër rrugët e tua /unë gjeta rrugët e mia. /Këtu unë s’ kam shtëpi /dhe nuk ndihem i huaj. /Shtëpi ku unë mora frymë /tek ti do të kthehem, – përsiat arbëreshi Vorea Ukjo.
- O Zot i madh! Kaq shumë e ke dashur Ulqinin tim, sa e ke bërë aq mahnitës! Aq të mrekullueshëm që i ke dhuruar aq shumë piktura! Piktura blu dhe piktura me ngjyrën e përjetshme të ullinjve! – mahnitet me vendlindjen nxënësja Liridona Bushati.
Zef Skiro di Magjo i këndon me dashuri:
Anija ime Ulqin ngre spirancën e ka një cak.
Ulqini është qytezë që nuk druan
as erërat as detin.
“Toka shqiptare të huajve nuk u shitet”.
Qëndroi Ulqini edhe nga tërmeti katastrofal i 15 prillit 1979. E dridhi, e rrënoi, por qëndroi. U ringrit Kalaja jetike. E vazhdon jetën.
Nuk kisha shumë besim se mund ta bëj një përmbledhje kaq të madhe me poezi e proza, llojesh më të ndryshme kushtuar vendlindjes time, por ja, dashuria, admirimi, mrekullia e shkrimtarëve qenka e madhe për Ulqinin antik, ekzotik dhe turistik.
Krijuesit vazhdojnë të bëjnë vepra të reja për Ulqinin – pikturë (su)realiste.
Ulqini është Itaka ime.
