Pse festohet Dita e gjuhës angleze më 23 prill?

Luljeta Avdiu – Cura

Kjo ditë u zgjodh, sepse mendohet se është ditëlindja e Shekspirit dhe përvjetori i vdekjes së tij. Përveçse ishte dramaturgu më i famshëm në gjuhën angleze, Shekspiri pati gjithashtu një ndikim të madh në anglishten moderne. Në kohën kur ai shkruante, në shekujt 16 dhe 17, gjuha angleze po kalonte shumë ndryshime dhe krijimtaria e Shekspirit me gjuhën nënkuptonte se ai kontribuoi me qindra fjalë dhe fraza të reja që përdoren ende sot.
Në lidhje me këtë ngjarje Erik Beuerman (vullnetari i Korpusit të Paqes), ka përgaditur një historiat të shkurtër të gjuhës angleze. Ai bukur u spjegon nxënësve se gjuha angleze ka një histori 1500-vjeçare që përfshin katër periudha: anglishtja e vjetër (450–1100), anglishtja e mesme (1100–1500), anglishtja e hershme moderne (1500–1900) dhe anglishtja moderne (1900–tani). Anglishtja e vjetër kishte rasa dhe gjini gramatikore, por anglishtja e mesme pa një rënie të lakimeve dhe rregullave gramatikore. Drejtshkrimi është një nga ankesat më të mëdha në lidhje me anglishten nga folësit jo-amtarë dhe folësit amtarë. Historia tregon se gjuha angleze dhe drejtshkrimi u ndikuan shumë nga shumë gjuhë të huaja. Këto ndikime përfshijnë pushtimet e shumta të Anglisë, një ndryshim 400-vjeçar në shqiptim të quajtur “Great Vowel Shift” (zhvendosja e zanoreve në shqiptim), shpikja e shtypshkronjës, botimi i fjalorëve dhe shtrirja e Perandorisë Britanike. Shumë njerëz dhe organizata janë përpjekur të reformojnë drejtshkrimin në anglisht pa sukses.
Në epokën moderne, globale, anglishtja është bërë një lingua franka dhe mund të përshkruhet si “anglishtet botërore”, të cilat janë varietetet e anglishtes që fliten në të gjithë botën: anglishtja si gjuhë amtare, anglishtja si gjuhë e dytë dhe anglishtja si gjuhë e dytë, gjuhë e huaj.
Aktivitetin e shoqëroi edhe një mini-ekspozitë me foto të Mbretëreshës së Alpeve Shqiptare Edit Durham dhe fotoja e Lord Bajronit me kostumin shqiptar.
Ajo ishte etnografe dhe publiciste angleze. Edit Durham u lind në Hanover Square të Londrës (Angli) më 15 nëntor të vitit 1863. Ishte vajza më e madhe ndër tetë fëmijët. Bijë e kirurgut të mirënjohur Artur Eduard Durham dhe mbesa e pedagogut të shquar William Ellis.
Prej të gjithë udhëtarëve britanikë që erdhën ose kaluan në Shqipëri, Meri Editt Durham ishte padyshim më e spikatura dhe mbeti më e lidhura me Shqipërinë, shqiptarët dhe çështjen e tyre.
Në këto udhëtime, Meri Edit Durham u mor me studime historike, etnografike, antropologjike të traditës, folklorit e të zakoneve tona dhe shkroi disa libra për to, midis të cilëve mund të përmendim “Lufta për Shkodrën”, “Origjina e disa fiseve”, “20 vjet ngatërresa Ballkanike”, “Kulti i Diellit dhe Hënës në Ballkan”, “Shqipëria e sipërme”, “Brenga e Ballkanit”, etj.
Ajo punoi shumë për Institutin Antropologjik (Royal Antropological Institute)në Londër dhe ishte një anëtare e tij për një kohë të gjatë. Koleksioni i saj i paçmueshëm i përbërë prej tekstileve ballkanike gjendet edhe sot i ruajtur në Bankfield Museum Halifax, Angli.
Për meritat e saj tërësisht të merituara, populli shqiptar, e veçanërisht ai i krahinave të Veriut, asaj i dha emrin duke e quajtur “Mbretëresha e Malësorëve”. Për punën dhe veprimtarinë e saj në dobi të njohjes së çështjes shqiptare dhe në shërbim të Shqipërisë, Edit Durham në vitin 1928 me dekret të posaçëm vetë Mbreti Zog I i akordoi asaj dekoratën e lartë “Oficeri i madh i Urdhrit të Skënderbeut”. Me gjithë këto merita, emri, veprimtaria dhe puna e saj mbetën në hije gjatë gjithë kohës së regjimit të diktaturës komuniste.
Vetëm në vitet e ndryshimit dhe demokracisë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Sali Berisha i akordoi asaj dekoratën e lartë “Urdhrin e Flamurit Kombëtar” me motivacion “Ju kushtua me devotshmëri çështjes së kombit dhe shtetit shqiptar, veprimtaria e saj është një himn, një përmendore e popullit shqiptar” (shkëputur nga artikulli” Anglezja Meri Edit Durham, një zonjë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët”, me autor Kastriot Frashëri).
Edit Durham mori një udhëtim me avulloren Austrian Lloyd përgjatë bregdetit Dalmat “duke përshkruar labirintet ujore midis ishujve të vegjël të atij deti pakrahasueshmërisht të kaltër dhe vezullues, fillova të ndjeja se në fund të fundit jeta mund t’ia vlente ta jetoj…”. E magjepsur prej bukurive të peizazhit, ajo ndërmori disa ekskursione të guximshme në Mal të Zi, së bashku me motrën e saj Nelli. Meqenëse kishte parë disa shqiptarë “të veshur mahnitshëm”, ajo mori pastaj rrugën drejt Shkodrës, qytetit të tyre. “Në doganën e Hanit të Hotit, më thanë se nuk kisha nevojë për pasaportë se ishte gëzim i madh për Shkodrën që unë ndieja se mund të shkoja atje vetëm”. Miss Edit Durham endej e pashoqëruar në pazarin e vjetër të Shkodrës, përballë liqenit të bukur, të kristaltë, i cili për të mbeti gjithmonë një burim mahnitjeje. Ajo vizitoi disa herë edhe Kalanë e lashtë të Rozafës dhe u njoh me historikun e saj…! Ajo zbuloi gjithashtu se tregtarët shkodranë ishin “njerëz të mirë, njerëz të ndershëm dhe të sjellshëm, megjithëse paratë e tua mund të zhdukshin pas qoshes, kusuri të vjen tamam në fund”. Ndonëse përpirë nga çuditë dhe bukuritë e këtij vendi, ajo tashmë kishte kuptuar se përpjekja e Shqipërisë për pavarësi “ishte më e vështira e lindjes” dhe se nuk kishte zgjidhje të lehtë. Editi del dhe përsëri del për të vizituar Kalanë e Rozafës, nga ku vrojtonte gjithë Shkodrën me rrethinat, liqenin e bukur dhe piktoresk. Këto pamje madhështore shtojnë jetë, por edhe të bëjnë të mendosh se si ky popull ndër shekuj ka punuar e luftuar për pavarësi të plotë. Shqiptarët, “kurrë nuk i kanë rënë kujt në qafë, por kanë qenë të tjerët që u kanë rrëmbyer lirinë dhe pavarësinë e tyre”, shtonte Edit Durham, disi e shqetësuar. Ajo nuk largohej dot nga Kalaja e Shkodrës (Rozafati) dhe soditjet përreth, por mbas pak filloi të binte shi, siç e ka gjithmonë zakon në Shkodër. Ajo dëshironte të qëndronte aty përsëri. Nuk largohej dot! Ishte ditë e shtunë, 30 maj 1903. Duke zbritur nga Kalaja ajo tha: “Këtu do të vij përsëri e përsëri, në këtë vend të mahnitshëm të shqiponjave…!(Shkëputur nga artikulli me autor Albert Vataj).
Në vitin 1905 Durham vizitoi Ulqinin dhe ka qëndruar disa herë në qytetin tonë. Ajo ka bërë disa skica me pamje të qytetit.
Në nderim të Edit Durham një rrugë në Ulqin mban emrin e saj miratuar nga Kuvendi i Komunës së Ulqinit më 20.7.2015.
Shkrimtari i njohur dhe i dashur për shqiptarët, Xhorxh Bajron, u lind në Londër më 22 janar 1788 në një familje aristokrate. Kur ishte dhjetë vjeç, me vdekjen e xhaxhait të tetë, Bajroni trashëgoi titullin Lord dhe pallatin e çifligun Newstead Abbey.
Do të ishte pikërisht bukuria dhe e veçanta e këtij kostumi, që në verën e vitit 1813 do ta shtynin piktorin Tomas Filips që të realizonte portretin e famshëm të Lord Bajronit veshur me kostumin shqiptar.
Portreti titullohet Portrait of a Nobleman in the dress of an Albanian (portret i një fisniku me veshje shqiptare) dhe paraqet Bajronin me një veshje ku ndërthuren e purpurta dhe e arta e jelekut me vizat gri e blu të një një turbani që i përngjan më shumë një shalli; e bardha e këmishës dhe e fustanellës me të zezën e kadifenjtë të një xhakete.
Ai mban në duar një jatagan i cili ka një këllëf të purpurt e të argjendtë. Portreti u vendos asokohe në Royal Academy dhe tani është i vendosur në ambasadën britanike në Athinë. Megjithatë, ky nuk ishte i vetmi portret që piktori i bëri Bajronit.
Midis veprave letrare të tij, një vend të rëndësishëm zë poema “Çajld Harolds” (Childe Harold’s Pilgrimage, 1812-1817), shkruar në bazë të përshtypjeve nga udhëtimet e poetit në Spanjë, Greqi, Shqipëri, Zvicër, Itali, etj. Poemën e përshkruan patosi i luftës për liri të popujve të shtypur e të robëruar. Në të, Xhorxh Bajroni u këndoi traditave dhe zakoneve burrërore të shqiptarëve, trimërisë dhe dashurisë së flaktë të tyre për lirinë. Hyrja e Shqipërisë në panteonin e letërsisë evropiane filloi vetëm në fillim të shekullit të 19-të. Pelegrinazhi i Çajld Haroldit shërbeu si udhërrëfyes i udhëtarëve nga e gjithë Evropa. Tani ata ndjekin gjurmët e Bajronit.
Është interesante një pjesë nga një letër për nënën e tij: “Kam disa veshje shqiptare madhështore – thotë Bajroni – që janë i vetmi mall i shtrenjtë në këtë vend. Ato kushtojnë pesëdhjetë monedha gini secila dhe kanë aq shumë flori, sa mund të kushtonin në Angli edhe dyqind”.
Shembuj të tillë ku permenden prezantimet e kulturës shqiptare në Evropë, ndihmojnë nxënësit të kuptojnë se edhe evropianët kanë shfaqur interesim për gjuhën, kulturën dhe trashëgiminë tonë. Shembuj të tillë forcojnë lidhjet kulturore dhe ngrisin lart vlerën e komunikimit ndërkulturor.
Prandaj Dita ndërkombëtare e gjuhëve të huaja nuk mund të kremtohej pa përmendur edhe lidhjet që pat kultura jonë me evropianët anglishtfolës, dhe anasjelltas. Këto lidhje vazhdojnë edhe sot. Këta nxënës neser do të interesohen të dinë dhe mësojnë më shumë për figurat e lartpërmendura, por edhe për figura të tjera që përmes veprave të tyre na prezantuan në forma të ndryshme.

Të fundit

më të lexuarat