Promovohet projekti i turizmit rajonal

Tiranë – Unioni i Bashkive dhe Komunave Shqiptare në Rajon ka mbajtur të enjten e kaluar takimin e radhës në Tiranë, në qendër të të cilit ka qenë rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë së COVID-19.
Takimi ka nisur me mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme, pjesë e së cilës ishin 15 kryetarë bashkish dhe komunash të qyteteve shqiptare në rajon, për të vijuar më pas me punimet e Forumit Ekonomik Rajonal, në fokus të të cilit ishin “turizmi, të rinjtë dhe ngritja e një strategjie funksionimi të prekshme për qytetarët e të gjitha vendeve anëtare”.
Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon ka prezantuar projektin për promovimin e turizmit rajonal, me moton “Eja n’shpinë tënde”. Në qendër të projektit janë turizmi rajonal dhe bashkëpunimi me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, i cili përfshin të gjitha qytetet shqipfolëse.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në cilësinë e mikpritësit, ka deklaruar se temat e takimit janë fokusuar te rimëkëmbja ekonomike, kryesisht nëpërmjet turizmit pas pandemisë.
“Duhet të sigurohemi që mbijeton ekonomia e vendeve tona që bazohen te turizmi, ndaj edhe turi ‘Eja në shtëpinë tënde’ ka rëndësi. Kemi idenë e skemës së kufijve të hapur për të siguruar që paratë e turizmit të mbeten në xhepat e shqiptarëve, të mbeten në strukturat turistike të qyteteve tona”, ka thënë ai.
Në takim kanë marrë pjesë edhe kryetari i Komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, dhe kryetari i Kuvendit të Komunës së Gucisë, Bujar Hasangjekaj.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Aleksandar Daboviq, ka thënë ndër të tjera se gëzohet që Ulqini është pjesë e këtyre nismave dhe projekteve.
Ndërkaq, në një postim në profilin e tij në Facebook, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka thënë se në këtë takim është vendosur që përveç selisë në Tiranë, Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon të ketë zyrat e veta edhe në Tuz, Prishtinë, Tetovë dhe Preshevë.
Pjesëmarrësit e takimit morën pjesë edhe në pritjen zyrtare për hapjen e sezonit turistik në qytetet shqipfolëse të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ky aktivitet ishte konceptuar si një takim mes autoritetesh të disa vendeve të rajonit, të cilët u pritën nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me të ftuar të tjerë si: ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, si dhe kryetarë e përfaqësues të të gjitha qyteteve anëtare të UBSHR-së etj. Gjatë këtij aktiviteti u ndanë mirënjohje të UBSHR-së për disa figura publike që kanë dhënë kontribut në promovimin e turizmit rajonal.
Takimi i UBSHR-së përkoi me ditën kur përkujtohet Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat