Ulqin – Pas Gjirokastrës, Ulqini ka qenë qyteti i dytë shqiptar në kuadër të turit ballkanik të Orkestrës Simfonike “West Coast Symphony Orchestra” nga Vankuveri i Kanadasë, njëra prej orkestrave më të mira të këtij vendi, e udhëhequr nga dirigjenti shqiptar Bujar Llapaj.
Për rreth 90 minuta, 50 muzikantët e kësaj orkestre luajtën me profesionalizëm të enjten mbrëma për publikun jo të shumtë në numër në sallën e Qendrës së Kulturës në Ulqin, pjesë të njohura simfonike nga kompozitorë shqiptarë, kanadezë dhe ballkanikë. Në repertor ishin pjesë si “Goca e Kaçanikut” nga kompozitori Rauf Dhomi, pastaj nga Çesk Zadeja dhe G. Sviridov “Kuvendi i Pajtimit” dhe “Kavaleria” nga muzika e filmit “Skënderbeu”, “Suitë me këngë popullore kanadeze” nga Morley Calvert, “Ergen” për solo kuartet nga Marko Videnoviq, “Koncert” për soprano, saksofon dhe orkestër nga Stefan Hintersteininger, si dhe premierat “Equinox” për kuartet dhe orkestër nga Elizabeth Knudson, “Koncert” për klarinet, trombon dhe orkestër nga Kreshnik Aliçkaj dhe “Qyteti” nga West Coast Suitë nga kompozitori Jim Hopson.
Programi i koncertit ishte ideuar shumë mirë nga presidenti dhe menaxheri i orkestrës Paul Mc Ewen dhe dirigjenti Bujar Llapaj, për të promovuar vlerat e muzikës klasike shqiptare, ballkanike dhe asaj kanadeze, nga vjen vetë orkestra.
Dirigjenti Bujar Llapaj ka qenë dirigjent i Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë dhe pedagog në Akademinë e Arteve në Tiranë, ndërsa prej 15 vitesh jeton në Kanada, ku ka vazhduar karrierën e tij muzikore si dirigjent.
Koncerti u zhvillua në kuadër të turit ballkanik që “West Coast Symphony Orchestra” nga Vankuveri i Kanadasë zhvilloi në disa qytete shqiptare në Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni. Kjo është hera e parë që kjo orkestër u prezantua në Ulqin, ndërkohë që është hera e dytë që ndodhet në një turne ballkanik.
Koncerti u organizua nga Komuna e Ulqinit, Organizata Turistike e Ulqinit dhe Qendra për Kulturë – Ulqin. i. k.
