Ostros – Në Shtëpinë e Kulturës në Ostros, të mërkurën e kaluar (27 shtator 2023) është shfaqur premiera e filmit dokumentar “Kraja – sa afër, aq larg”, i realizuar sipas skenarit dhe me regji të Dr. Haxhi Shabanit. Në fjalën e tij, autori ka thënë se këtë film që, sipas tij, “i kushtohet një prej trevave etnike shqiptare vërtet të lavdishme, me një histori të bujshme, po fatkeqësisht me një realitet të dhimbshëm”, e ka bërë me shumë dashuri dhe me shumë dëshirë. “Kam dashur që në këtë film të përfshihen krajanët, Kraja, sepse kjo është normale më në fund”, ka thënë Shabani. Ai ka lavdëruar lojën e tre narratorëve të rinj krajanë që për të janë artistë të vërtetë, ndonëse nuk kanë kryer shkollë aktrimi, si dhe ka vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm të bashkëbiseduesve. “Të gjithë në mënyrën e vet kanë kontribuar që Kraja të dalë në të gjitha aspektet e saj. Dhe kur del Kraja në të gjitha aspektet e saj, del një pasuri që ne e kemi, e shohim përditë, sidomos krajanët por edhe ne anamalasit, por nuk e çmojmë sepse e kemi kaq afër. Dhe ky është apeli im me këtë film, që duhet të çmojmë një histori të jashtëzakonshme, një potencial të jashtëzakonshëm që e ka kjo trevë, që nga Rumia e deri te liqeni. Dhe në këtë drejtim mendoj që ky film ka bërë diçka për të vënë një gur më shumë”, ka theksuar Shabani, duke shtuar se atë që kanë ditur si ekip realizues, beson se e kanë shprehur në këtë film. Përpos Shabanit, pjesë e ekipit realizues të dokumentarit janë edhe bashkëpunëtori i skenarit Ali Gjeçbritaj, narratorët Teuta Gjeçbritaj, Adnan Gjençaj dhe Beisa Haxhimurati, kameramanët Allmedin Suka, Amir Suka dhe Arian Bejta, ndërsa montazhin e ka bërë Allmedin Suka. Njëri prej pjesëtarëve të ekipit që e ka realizuar dokumentarin, Allmedin Suka, ka thënë se për të ka qenë kënaqësi e veçantë që ka punuar në këtë film dokumentar, duke i parë nga prizmi i tij bukuritë që ka treva e Krajës, të cilat lënë për të dëshiruar, dhe që në këto troje “të kthehen të gjithë ata që kanë emigruar dhe t’i shijojnë ato bukuri”. Për vlerat e dokumentarit “Kraja – sa afër, aq larg” kanë folur gazetari Ismet Kallaba dhe regjisorja Edina Mustafiq – Avdiu. Duke rikujtuar se për Krajën janë realizuar edhe më herët reportazhe dhe dokumentare të ndryshme, qoftë nga gazetarë ose autorë vendas dhe nga jashtë, të cilët kanë vlerë të pamohueshme, sepse flasin dhe ndriçojnë aspekte të ndryshme të kësaj treve, Kallaba ka thënë se Kraja nuk është një temë apo subjekt i panjohur. “Por ajo që ka rëndësi është këndvështrimi i autorit që të na sjellë në një dritë të re një temë të njohur për ne”, është shprehur ai. Sipas tij, Kraja vjen në këtë dokumentar në mënyrën më të mirë dhe më të bukur përmes rrëfimit të vetë krajanëve. “Autori ka shfrytëzuar lirinë që të jep kjo formë e shprehjes duke përdorur gjuhën filmike për të përçuar idetë e veta dhe mesazhin tek audienca. Për dallim prej dokumentarëve klasikë, autori ka zgjedhur që përmes narratorëve të na tregojë Krajën me të gjitha dritëhijet e saj… Elementet artistike të inskenimit të skenave të ndryshme përmes lojës së tre të rinjve (narratorëve) shpërfaqin dramën e Krajës – dramën e shpërnguljes, e shtëpive dhe fshatrave të boshatisura. Përkundër kësaj drame, autori duket sikur përmes këtyre narratorëve dhe aktorëve të rinj në mënyrë simbolike përçon mesazhin se jeta në Krajë do të vazhdojë”, ka thënë Kallaba, duke nënvizuar se “ky dokumentar është promovimi më i mirë që i bëhet Krajës dhe krajanëve”. Regjisorja Edina Mustafiq – Avdiu ka thënë se “autori i filmit dokumentar ‘Kraja – sa afër, aq larg’, Haxhi Shabani, gërsheton me mjeshtëri çdo detaj, çdo pasuri të kësaj treve, në disa minuta të vetme, një rrëfim i cili për Krajën do mund të zgjaste me orë të tëra deri në mëngjes”. Sipas saj, ajo që e bën këtë film të veçantë është mënyra e rrëfimit. “Ajo çka e veçon z. Shabanin si autor të dokumentarëve është rrëfimi i tij përmes narratorëve, ku e shohim saktë qasjen e tij ndaj kësaj teme dhe kështu na e bën edhe neve si publik më të përafërt dhe më të prekshme situatën aktuale”, ka theksuar ajo. Realizimi i filmit dokumentar është mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, Shoqata “Kraja” – Nju Jork dhe Bashkësia Lokale Ostros. Kryetari i Bashkësisë Lokale – Ostros, Beqir Berjashi, ka thënë se kanë mbështetur dhe do të mbështesin edhe në ardhmen të gjitha projektet me vlerë që kanë të bëjnë me Krajën, arsimin dhe kulturën shqiptare. “Urime autorit dhe ma merr mendja se ka me qenë një shtysë për shumë autorë të tjerë në të ardhmen që të na dhurojnë punime për këtë trevë etnike shqiptare dhe mbështetjen tonë të gjithë intelektualëve kudo që janë që të kemi një qëllim të përbashkët për Krajën tonë të dashur”, ka theksuar ai. Filmi dokumentar “Kraja – sa afër, aq larg” është mirëpritur nga publiku i pranishëm që ka mbushur përplot sallën e Shtëpisë së Kulturës në Ostros.
i. k.
