Me një atmosferë festive dhe pjesëmarrje të gjerë, të enjten mbrëma (20 nëntor 2025) në Ulqin u hap zyrtarisht edicioni i radhës i maratonës kulturore “Ditët e Kulturës së Pakicave në Malin e Zi”. Programin e mbrëmjes e hapi vogëlushja Vesa Hoxha, e cila me disa fjalë të ngrohta theksoi rëndësinë e kulturës dhe artit për fëmijët dhe brezat e rinj.
Kjo ngjarje tradicionale, e cila prej vitesh promovon dhe ruan trashëgiminë kulturore të komuniteteve pakicë në vend, po zhvillohet në disa qytete të Malit të Zi dhe jashtë kufijve, me synimin për të afirmuar vlerat, identitetet dhe kontributet e larmishme kulturore që pasurojnë shoqërinë malazeze.
Që prej vitit 2003, manifestimi mbështetet nga Ministria për Mbrojtjen e të Drejtave të Pakicave dhe organizohet nga Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave, e drejtuar nga Gzim Hajdinaga, e cila me përkushtim të vazhdueshëm ka ruajtur frymën dhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje kulturore.
Këtë vit u shënua edhe një jubile i rëndësishëm, që simbolizon vite angazhimi dhe bashkëpunimi në promovimin e kulturës së popujve pakicë.
Gjatë ceremonisë solemne, të pranishmit ndoqën edhe fjalën përshëndetëse të drejtorit të Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi, Gzim Hajdinaga, i cili theksoi se “ruajtja e identitetit kulturor është një vlerë që na bashkon dhe na pasuron të gjithëve”, duke nënvizuar rolin e veçantë të pakicave kombëtare në mozaikun e kulturës malazeze.
Program artistik i pasur dhe paraqitje të larmishme
Pas pjesës zyrtare, mbrëmja vazhdoi me koncertin solemn, ku u prezantua një program i pasur artistik. Në skenë u paraqitën seksioni folklorik i Shkollës së Muzikës dhe Baletit nga Ulqini, grupi muzikor “Espressivo” nga Ulqini, grupet folklorike “Dolcinium” nga Ulqini, “Boka” nga Tivari dhe “Rozhaje” nga Rozhaja, që sollën motive dhe tradita të komuniteteve shqiptare, boshnjake, kroate dhe të pakicave të tjera në Malin e Zi. Ndërkaq, kori i Shkollës së Mesme “Vëllazërim-Bashkim” solli këngë të bukura shqiptare.
Programet muzikore dhe skenike përfaqësojnë segmentin më të njohur dhe më të vizituar të Ditës së Kulturës së Pakicave të Malit të Zi. Gjatë viteve, koncerte dhe shfaqje të shumta skenike kanë prezantuar shprehje autentike muzikore të popujve pakicë, si dhe interpretime bashkëkohore të melodive dhe motiveve tradicionale.
Trashëgimia folklorike zë një vend të veçantë në programet e Ditëve të Kulturës së Pakicave të Malit të Zi. Përmes shfaqjeve të ansambleve folklorike, festivaleve të valleve popullore, shfaqjeve të kostumeve popullore, zanateve dhe zakoneve të vjetra, ringjallen shprehjet e lashta të kujtesës kolektive dhe identitetit.
Atmosfera e mbrëmjes u karakterizua nga emocionet, ngjyrat kulturore dhe përfshirja e brezave të rinj në një aktivitet që promovon mirëkuptimin dhe bashkëjetesën.
Në periudhën e ardhshme planifikohet që Ditët e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi të organizohen rregullisht, në të njëjtën periudhë dhe në më shumë qytete, me qëllim që të vazhdojnë të lidhin mjedise të ndryshme dhe komunitete kulturore në mbarë vendin.
Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi e ka ftuar publikun e pranishëm në Qendrën e Kulturës – Ulqin, që të marrë pjesë më 5 dhjetor 2025, në premierën e filmit dokumentar “Kryekapiteni Haxhi Aliu”, në të njëjtin vend, në orën 19:00.
Në përfundim, organizatori i falënderoi pjesëmarrësit, mysafirët dhe artistët, duke theksuar se aktivitetet e “Ditëve të Kulturës së Pakicave” do të vazhdojnë në qytete të ndryshme të Malit të Zi gjatë ditëve në vijim.
D. Teliqi
