Tuz – Më 7 mars 2025, në Ditën Kombëtare të Mësuesit dhe për nder të kësaj date të rëndësishme, Qendra Kulturore-Informative “Malësia” organizoi edicionin e katërt të garës në recitim me moton “Poezia na bashkon”, për nxënësit e ciklit të parë, të dytë dhe të tretë, të të gjitha shkollave me mësim në gjuhën shqipe në Mal të Zi.
Në fjalën përshëndetëse, drejtori i QKI “Malësia”, Vasel Berishaj, i cili është dhe ideator për jetësimin e këtij aktiviteti, u shpreh se data 7 Mars është një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
“Jemi bashkuar për të festuar hapjen e shkollës së parë laike shqipe. Përmes kësaj gare në recitim, ne jo vetëm që kujtojmë këtë ngjarje madhore por, edhe nderojmë mësuesit e parë që me përkushtim dhe sakrificë, i hodhën themelet e arsimit në gjuhën tonë amtare”, u shpreh Berishaj.
Ai më tej tha se kur e nisën këtë garë para katër vitesh, kishin synim që ta shndërronin atë në një traditë të bukur.
“Dhe ja ku jemi sot duke mbajtur për të katërtën herë radhazi, si një dëshmi e angazhimit dhe dashurisë sonë për gjuhën dhe kulturën tonë shqipe. Kjo garë është një homazh për të gjithë ata që me mund dhe përkushtim kanë mbrojtur të drejtën për arsimim në gjuhën shqipe duke na lënë një trashëgimi të paçmuar që na obligon të ecim përpara me përgjegjësi dhe krenari”, u shpreh Berishaj.
Ai theksoi se Mësonjëtorja e Parë shqipe e hapur më 7 mars të vitit 1887 në Korçë, shënoi një epokë të re për arsimin kombëtar “duke qenë një institucion laik që sfidoi kohën dhe rrethanat e vështira. Megjithëse përballoi mbyllje e rihapje të shumta, qëndresa e saj simbolizon forcën e dijes dhe përkushtimin për arsimimin e brezave të rinj”.
Juria e përbërë nga kryetarja Farah Laleviq dhe anëtarët Pashka Gjonaj, Idriz Gjokaj dhe Gabriel Camaj, në fund të kësaj gare recitimi dhanë vlerësimet dhe çmimet përkatëse.
Nga cikli i parë, vendin e parë e fitoi Blerona Dragoviq nga shkolla fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” – Ostros me poezinë “Leta dhe njeriu prej bore” e Odhise Grillos.
Vendi i dytë i takoi nxënëses Belkisa Gjokoviq nga shkolla fillore “29 Nëntori” – Dinoshë me poezinë “Zogu dhe djali” nga Naim Frashëri. Me vendin e tretë u vlerësua nxënësja Diana Micakaj nga shkolla fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”- Triesh, me poezinë “Librat rrinë radhë-radhë” nga Mimoza Gjokutaj,
Ndërkohë, nga cikli i dytë vendin e parë e zuri Brejdina Rexha nga shkolla fillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë me poezinë “Duaje jetën” nga Nënë Tereza. Vendi i dytë i takoi nxënësit Ajllin Kollari nga shkolla fillore “Marshall Tito” – Ulqin me poezinë “Pse nuk ha t’i mëmë” nga Fatos Fidani dhe vendi i tretë nxënëses Eva Gjonaj nga shkolla fillore “Mahmut Lekiq”- Tuz me poezinë “Lamtumirë vendet e mija” nga Gjergj Fishta.
Ndërkaq, nga cikli i tretë me vendin e parë u shpërblye nxënësi Agron Gojçaj nga shkolla fillore “Mahmut Lekiq”- Tuz me poezinë “Liria” nga Ndre Mjeda. Vendi i dytë i takoi nxënësit Isar Kaca nga shkolla fillore “Marshall Tito”- Ulqin, ndërsa me vendin e tretë u vlerësua nxënësja Zehra Gjokaj e shkollës fillore “29 Nëntori”- Dinoshë, me poezinë “Gjuha shqipe” nga Gjergj Fishta.
Në këtë garë recitimi morën pjesë nxënës nga Shkolla fillore “Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu” – Ostros, “Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu” – Triesh, “Mahmut Lekiq” – Tuz, “Marshall Tito” – Ulqin, “29 Nëntori” – Dinoshë, “Bashkimi” – Skorraq dhe “Bedri Elezaga”- Katërkollë.
Organizimi i kësaj gare recitimi ka për qëllim të mbledhë dhe të promovojë nxënësit e talentuar nga të gjitha shkollat fillore që zhvillojnë mësimin në gjuhën shqipe në Malin e Zi.
t. u.