Promovim i diversitetit kulturor

Në këtë aktivitet shumëdisiplinësh u lexuan vargje poezish, u interpretuan tinguj muzikorë dhe u shpalos një ekspozitë me piktura nga të rinj të talentuar nga Malësia në fushat përkatëse

Manifestimi i parë multikulturor, i titulluar “Urat e kulturës”, u organizua të enjten mbrëma më 21 gusht 2025 në Gjimnazin “25 Maji” në Tuz, i cili shpalosi për publikun e pranishëm krijimtari nga fusha e muzikës, letërsisë dhe artit pamor.
Organizatorja e këtij aktiviteti, Katrinë Lucaj – Ulaj, për gazetën “Koha javore” tregon mbi idenë, synimin dhe rëndësinë që ka ky aktivitet për komunitetin vendas.
Ajo u shpreh se ideja ka lindur vetvetiu, pasi sipas saj çdo ditë gjithnjë e më shumë ka të rinj dhe njerëz të moshave më të vjetra që merren me art dhe kulturë.
“Ne konsideruam se arti në Malësi është pak i përfaqësuar para publikut të gjerë dhe nga kjo lindi ideja që të organizohet një manifestim i tillë, natyrisht me praninë e mysafirëve të cilët me origjinë i përkasin Tuzit, pra vendlindjes sonë”, u shpreh ajo.
Kjo ngjarje, shtoi ajo, ka karakter multikulturor për zhvillimin dhe afirmimin e kulturës në vend.
“Tuzi është një mjedis multikulturor dhe qëllimi ynë ishte të ndërtojmë ato vlera, t’i ruajmë nga harresa dhe të dërgojmë një mesazh brezave të rinj se multikulturalizmi është pasuri e një shoqërie”, u shpreh organizatorja.
E pyetur se çfarë vlere sjell ky gërshetim artistik, ku morën pjesë talente të kombësive të ndryshme, Ulaj – Lucaj thotë se organizime të tilla sjellin dashuri, bashkëpunim dhe vlera që bashkojnë.
Duke u përgjigjur në pyetjen se nëse mendojnë që këtë nismë ta shndërrojnë në një traditë të përvitshme dhe çfarë synimesh kanë për të ardhmen, ajo theksoi se planifikojnë që “Urat e kulturës” të bëhen tradicionale.
“Pjesëmarrja e të rinjve ishte e shkëlqyer dhe shpresojmë që në të ardhmen të jetë edhe më e madhe, sepse tani jemi të hapur gjatë gjithë vitit për bashkëpunim dhe marrëveshje”, u shpreh ajo.
Mesazhi kryesor i kësaj mbrëmjeje është, shton ajo, lidhja e njerëzve dhe përhapja e dashurisë mes të gjithë neve.
Organizatorja shprehu një falënderim të veçantë për fyelltarin Shtjefën Ujkaj, me të cilin, siç theksoi ajo, ia dolën për të dhënë një kontribut maksimal për zhvillimin dhe afirmimin e kulturës.
Në këtë aktivitet shumëdisiplinësh u lexuan vargje poezish, u interpretuan tinguj muzikorë dhe u shpalos një ekspozitë me piktura nga të rinj të talentuar nga Malësia në fushat përkatëse.
Ajo paralajmëroi se takimet dhe aktivitetet do të vazhdojnë edhe në mjedise të tjera gjatë vitit dhe se të gjithë pjesëmarrësit janë të gatshëm që të nisë ‘karvani multikulturor’.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat