Portali për kulturë, letërsi dhe art “ObserverKult” organizoi më 21-25 janar 2026 edicionin e katërt të Festivalit Poetik të Prishtinës.
Dita e parë e këtij edicioni i është kushtuar në tërësi letërsisë shqipe në Malin e Zi, si pjesë e pandarë dhe e rëndësishme e letërsisë shqipe.
Drejtoresha e Festivalit, poetja dhe studiuesja e letërsisë Donika Dabishevci ka thënë se ai (festivali) nuk është menduar vetëm si një ngjarje letrare në kalendarin kulturor, por si një hapësirë reflektimi estetik, kritik dhe kulturor, ku poezia dhe letërsia shqipe vihen në dialog me kohën, kontekstet dhe vetveten.
Ajo ka treguar edhe arsyen se pse edicioni i sivjetshëm i Festivalit është hapur me letërsinë shqipe në Malin e Zi.
“Nuk flasim për një fenomen anësor apo për një prodhim letrar të përcaktuar vetëm nga konteksti gjeografik e politik, por për një pjesë përbërëse të korpusit të letërsisë shqipe që ka ndërtuar në kohë një kontinuitet të qëndrueshëm krijues dhe ka dhënë kontribute të rëndësishme në formësimin e prirjeve estetike dhe poetike të vetë letërsisë shqipe”, ka thënë Dabishevci.
Programi tematik dhe përfaqësues kushtuar letërsisë shqipe në Malin e Zi ka filluar me një homazh artistik në nderim të poetit, studiuesit dhe profesorit universitar Basri Çapriqi, me prezantimin e një dokumentari të shkurtër për të, leximin e poezisë “Dritaren lëre hapur” të Çapriqit nga aktori Artan Geca, si dhe të një poezie përkushtuese nga kolegu dhe miku i tij – poeti dhe profesori Sali Bashota.
Një vlerësim kritik dhe studimor për letërsinë shqipe në Malin e Zi ka bërë Dr. Haxhi Shabani.
Në kumtesën e tij ai ka nënvizuar se rrënjët e shqipes së shkruar janë pikërisht në trevat ku sot jetojnë shqiptarët në Malin e Zi.
Shabani ka folur për dy anët e letërsisë shqipe në Malin e Zi.
“Janë rreth dhjetë shkrimtarë që kanë krijuar letërsinë shqipe në Malin e Zi (është fjala për ata të cilët kanë jetuar e jetojnë në trevat e tyre autoktone: kryesisht në Ulqin e Tuz). Këta autorë që nga vitet e shtatëdhjeta e deri më sot kanë krijuar një anë të letërsisë shqipe, që duhet marrë parasysh në mozaikun e letërsisë së tërësishme shqipe sepse është pjesë e saj”, ka thënë ai.
Në anën tjetër, ai i ka cilësuar shkrimtarët shqiptarë me origjinë nga Mali i Zi por që krijimtarinë e tyre e kanë zhvilluar në Kosovë (Esad Mekuli, Rexhep Qosja, Hajro Ulqinaku, Mehmet Kraja dhe Basri Çapriqi) si pesëshen e artë të letërsisë shqipe.
“Por kjo anë, gem apo filiz, pjesë e letërsisë shqipe, sido që ta quajmë, ka edhe brilantet e saj. Letërsia shqipe është studiuar dhe do të studiohet nga aspekte të ndryshme, por sidomos ajo e krijuar në Kosovë, nuk mund të anashkalojë pesë autorë, të cilët ndonëse punën dhe veprën e tyre e kanë bërë kryesisht në Prishtinë kanë lindur në vendet e kësaj ane të letërsisë shqipe dhe kush më e shumë e kush më pak ka pasur lidhje me ambientin letrar të saj”, ka thënë studiuesi Shabani.
Programi ka vazhduar me lexime poetike nga krijimtaria e Esad Mekulit dhe Rexhep Qosjes, si dhe me Orën e madhe poetike, ku kryesisht poezi apo edhe prozë kanë lexuar për publikun shkrimtarët Hajro Ulqinaku, Nikollë Berishaj, Mark Pashku, Ali Daci, Nevila Nikaj, Gjergj Filipaj, Flutur Mustafa dhe Ardita Rexha.
Në mesin e krijuesve, studiuesve, dashamirëve të letërsisë dhe të kulturës, të pranishëm kanë qenë edhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Petrit Malaj, dhe ai i Malit të Zi, Bernard Çobaj, i cili në fjalën e rastit ka theksuar se letërsia për të është një prej formateve më të qëndrueshme të diplomacisë kulturore, e cila lidh shtetet, shoqëritë, identitetet, kujtesat përtej kufijve.
Ai ka falënderuar organizatorin e Festivalit që ka krijuar hapërisë për prezantimin e letërsisë shqipe në Malin e Zi.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, në fjalën e rastit ka paraqitur një panoramë të përgjithshme të kulturës shqiptare në Mal të Zi, përfshirë zhvillimin, problemet dhe sfidat, duke u përqendruar në rolin dhe kontributin e Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe shoqatave të ndryshme për zhvillimin e kulturës.
Në këtë kontekst, ai ka nënvizuar faktin se ndonëse të paktë në numër, kjo pjesë e trungut shqiptar i ka dhënë shumë letërsisë shqipe dhe kulturës kombëtare në të gjitha dimensionet e saj.
Pjesë e programit të kësaj nate kanë qenë edhe aktorët dhe artistët: Naim Berisha, Shpëtim Selmani, Denik Prizreni, Astrit Stafai dhe Artan Rexhepi, ndërsa programi është moderuar nga poetja Aketa Gashi – Fazliu.
Gjatë pesë ditëve të Festivalit janë organizuar aktivitete të ndryshme si: takime poetike, debate tematike, promovime librash, mbrëmje autoriale, dokumentarë, video-poezi dhe video-performanca, kumtesa shkencore, orë poetike me autorë të përzgjedhur etj., sipas organizatorit me idenë që ta bëjnë Festivalin një hapësirë të hapur komunikimi letrar dhe kulturor.
I. Kallaba
Kryeministri Albin Kurti priti një grup krijuesish shqiptarë në Malin e Zi
Një grup krijuesish letrarë shqiptarë në Malin e Zi, pjesëmarrës në Festivalin Poetik të Prishtinës, është takuar me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me të cilin kanë biseduar për çështje të ndryshme që lidhen me shqiptarët në Malin e Zi, me fokus të posaçëm në fushën e letërsisë dhe kulturës, si mjete kyçe për ruajtjen e identitetit kombëtar.
Duke e falënderuar për mbështetjen që jep Qeveria e Kosovës përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Podgoricë, ata kërkuan nga kryeministri Albin Kurti mbështetje më të madhe institucionale për projektet kulturore dhe shkencore me rëndësi kombëtare të shqiptarëve në Malin e Zi.
Po ashtu kërkuan që edhe shqiptarët në Malin e Zi të jenë pjesë e kalendarit kulturor Shqipëri-Kosovë dhe e nismave tjera të përbashkëta, që kanë për qëllim unifikimin e hapësirës kulturore shqiptare dhe në fusha të tjera.
