(Allmir Çausheviq, “Pakicat shqiptare në Mal të Zi, Midis bashkëpunimit dhe nënshtrimit”, botoi “Art Club” 2021)

Autori i librit “Pakica shqiptare në Mal të Zi – Midis bashkëpunimit dhe nënshtrimit” , Allmir Çausheviq, ia ka arritur qëllimit të bëjë një studim tejet serioz për pakicën shqiptare si dhe partive politike shqiptare si përfaqësues autentikë të kësaj popullate autoktone në Mal të Zi.
Autori në këtë punim në veçanti i gjurmon fenomenet politike dhe juridiko-politike të funksionimit të partive politike shqiptare prej fazave më të hershme të zhvillimit të tyre e deri më sot. Këto fenomene shoqërore autori i vë në pah përmes një qasjeje serioze hulumtuese ku jepen kahjet për zhvillimin e partive politike shqiptare, demokracisë dhe formës së përfaqësimit politik.
Autori, Allmir Çausheviq ka bërë përpjekje që t’i identifikojë problemet e pluralizmit politik në Mal të Zi dhe të nxjerrë konstatime të qëndrueshme për problemet e realizimit të pluralizmit në këtë vend. Ai jep një pasqyrë historike të paraqitjes së partive gjatë viteve të 90-ta, zhvillimin e tyre historik dhe tendencat bashkëkohore në këtë drejtim. Në mënyrë të veçantë merret me analizën e veprimit të partive politike shqiptare, duke argumentuar konstatimin se pikësynimet dhe zhvillimi i tyre ende gjenden në fazën fillestare dhe nuk ka një ecuri të qëndrueshme.
Autori me të drejtë pohon se partitë politike shqiptare në Mal të Zi, që participuan në pushtetin qëndrorë gjatë veprimit të tyre politik nuk ia arritën qëllimit që të imponojnë ndryshime të karakterit fundamental për avancimin e të drejtave të popullatës shqiptare në Mal të Zi, me këtë, edhe jetësimi i tendencave të partive politike shqiptare të parshikuara me aktet normative të tyre.
Sipas autorit një ndër faktorët kryesorë për mosrealizimin e pikësynimeve të partive politike shqiptare që participuan në Qeverinë e Malit të Zi ka qenë bashkëpunimi dhe mbështetja pa kushte të Partisë Demokratike të Socialistëve e cila ushtroi pushtetin qëndror për tri dekada, duke dëshmuar naivitetin e tyre politik, duke besuar më shumë sesa që duhet në vlerat e demokracisë dhe duke harruar se politikisht duhet të luftojnë dhe të bashkëpunojnë me një përfaqësim politik intrigant që disponon me aftësi manipuluese që ta prezentojë “të bardhën si të zezë dhe të zezën si të bardhë”. Por nuk duhet harruar edhe faktin që potencon autori se ka munguar, me qëllim ose pa qëllim edhe sensi i partive politike shqiptare pjesëmarrëse në Qeveri. Asnjëherë nuk ka pasur gatishmëri të sinqertë për një bashkëpunim ndërmjet opozitës dhe pozitës shqiptare për çështjet me rëndësi të veçanta kombëtare.
Rëndësi të veçantë në libër autori i kushton pjesëmarrjes së partive politike shqiptare në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi, duke na dhënë një pasqyrë shumë të qartë të rezultateve të partive politike shqiptare që garuan në të gjitha ciklet zgjedhore në Mal të Zi, që janë mbajtur me 9 dhjetor të vitit 1990 e deri më sot në praktikë ka ndryshuar disa herë varësishë nga rrethanat shoqërore dhe interesat e pushtetit. Në rastin konkret në pozitë më të pavolitshme kanë qenë shqiptarët, si e vetmja popullatë josllave, ku ende nuk kanë arritur të reailzojnë në praktikë përfaqësimin autentik të popullatës shqiptare, subjektet politike shqiptare garuan në të gjitha zgjedhjet parlamentare. Në këtë drejtim autori është i mendimit se ligji aktual zgjedhor është diskriminues ndaj shqiptarëve dhe se ky ligj duhet të pësojë ndryshime, ku shqiptarët duhet të kenë zonën e veçantë zgjedhore në të cilën do të marrin pjesë në zgjedhje vetëm partitë nacionale shqiptare, sepse vetëm në këtë mënyrë do të kemi përfaqësim autentik, konform standardeve ndërkombëtare, që vlen edhe për popujt tjerë pakicë në këtë mjedis.
Në fund dëshiroj të theksoj se autori i librit gjatë hulumtimit lidhur me përfaqësimin e pakicës shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi, nuk shërbehet me metodën bardhezi por ka një qasje më kritike ndaj partive nacionale shqiptare dhe veprimit të tyre në praktikën shoqërore. Prandaj, në këtë libër gjejmë edhe fakte që tregojnë për mosrealizimin e kërkesave që bëhen nga ana e deputetëve të pakicës shqiptare në Parlamentin e Malit të Zi, në vendimarrje dhe suksesit të dobët në mosmiratimin e amandamenteve të propozuara edhe pse ishin pjesë e koalicionit në pushtet.
Autori nga hulumtimi që ka bërë në terren, në lidhje me veprimin politik të përfaqësuesve të partive shqiptare në aktivitetet parlamentare nxjerr edhe konkluzione të qëndrueshme shkencore e që kanë të bëjnë me rënien e e besimit tek partitë politike shqiptare nga shkaku si mungesë e mosrespektimit të marrëveshjeve, por edhe të unitetit politik programor dhe funksional të partive politike shqiptare, në veçanti të atyre me mandate në Parlamentin e Malit të Zi, të cilat vrapuan të përkrahin dhe të bëjnë koalicione me Partinë Demokratike të Socialistëve dhe me disa parti të tjera malazeze manipuluese, të cilët kurrë nuk kanë treguar vullnet të mirë për avancimin dhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi.
Si faktor tjetër me rëndësi që ka ndikuar në rënien e mbështetjes të elektoratit shqiptar për partitë shqiptare, autori e sheh në mosunifikimin dhe bashkëpunimin e partive politike shqiptare, për çështjet madhore, në mosdhënien e llogarisë për emancipimin e trupit votues shqiptar, duke devalvuar gjithnjë votën shqiptare për interesa të ngushta partiake dhe personale.
Marrë në përgjithësi, libri “Pakica shqiptare në Mal të Zi” paraqet një kontribut të dalluar shkencor të autorit në studimin e pakicës shqiptare dhe të partive politike shqiptare si përfaqësues autentik të shqiptarëve në shtetin malazez. Botimi i këtij libri do të pasurojë literaturën politike shqiptare dhe do të zgjojë kurreshtjen e studiuesve të rinj për t’u marrë me aspektet tjera të kësaj problematike.
Ndonëse ky libër është i pari i kësaj natyre për autorin, ai ka arritur të dëshmohet si një studiues i mprehtë dhe i zellshëm, me një aftësi burimore të qasjes shkencore, me një metodologji tipike shkencore, gjuhë të pastër dhe të kuptueshme, dhe me një përkushtim për të vazhduar punën e mëtejshme shkencore.
(Fjala e mbajtur me rastin e përurimit të librit më 11 prill 2021)
