Problemet lokale nën mikroskopin e ironisë dhe sarkazmës

Me këtë shfaqje, Bashkimi jo vetëm argëton, por edhe provokon reflektim. Ai e shndërron realitetin social në skenë me aq mjeshtëri saqë publiku e gjen veten duke duartrokitur njëkohësisht artistin dhe të vërtetat që ai guxon të thotë

Aktori Bashkim Alaj ka dhënë shfaqjen e tij të radhës, në kuadër të ciklit të komedive stand up, që mban titullin domethënës “Sy në Sy”. Aktori i njohur vendas sjell një pasqyrë të sinqertë, të mprehtë dhe herë-herë therëse të realitetit tonë të përditshëm. Me atë finesën e tij karakteristike, aktori ndërthur humorin me momente reflektimi, duke na bërë të qeshim… e pastaj të mendojmë.
Këtë herë, publiku e përjetoi shfaqjen në ambientet e Shkollës së Mesme “Vëllazërim-Bashkim”, një zgjedhje që i dha shfaqjes një dimension më të ngrohtë. Nxënësit dhe qytetarët patën mundësinë të shijojnë humorin e tij të mprehtë dhe reflektues nga afër, duke e bërë përvojën akoma më të gjallë.
Në një bisedë të shkurtër për gazetën “Koha javore”, Alaj rrëfen se suksesi i kësaj shfaqjeje buron pikërisht nga afërsia me njerëzit.
“Unë dua të flas troç. Sy më sy me njerëzit e mi. Problemet i kemi të përbashkëta, dhe kur i kthejmë në art, ato jo vetëm që duken më të përballueshme, por edhe na bashkojnë”, thotë Alaj me një buzëqeshje që fsheh gjithnjë një dozë humori të hollë.
Publiku është bërë tashmë pjesë e pandashme e energjisë së tij në skenë. Reagimet spontane, të qeshurat e papritura dhe emocionet që shpërthejnë gjatë shfaqjes e bëjnë “Sy n’Sy” një përvojë unike.
“Më pëlqen t’i vë gjërat në dukje pa fyer askënd, por duke ua kujtuar të gjithëve se satira nuk është armiqësi, është mjet i shëndetshëm për t’u zgjuar”, shton ai.
Me këtë shfaqje, Bashkimi jo vetëm argëton, por edhe provokon reflektim. Ai e shndërron realitetin social në skenë me aq mjeshtëri saqë publiku e gjen veten duke duartrokitur njëkohësisht artistin dhe të vërtetat që ai guxon të thotë.
Shfaqja “Sy n’Sy” dëshmon se arti lokal, kur ka zë, guxim dhe sinqeritet, mund të flasë më fuqishëm se çdo debat. Dhe Bashkim Alaj këtë e di më mirë se kushdo.
Jo vetëm në Ulqin, por Bashkim Alaj ka marrë pjesë në shfaqje teatrale të mëdha edhe në Kosovë, ku performancat e tij janë pritur me duartrokitje të zjarrta. Me talentin dhe profesionalizmin e tij, ai ka arritur të bëhet një emër i njohur në skenën teatrale të rajonit, duke bashkuar publikun përmes emocioneve, humorit dhe mesazheve të forta sociale.
Përveç teatrit, ai ka kontribuar edhe në ekranin e vogël, duke luajtur në seriale të njohura në Kosovë, ku aftësia e tij për të portretizuar karaktere të ndryshme dhe për të kapur nuancat njerëzore e bën aktorin të veçantë dhe të pëlqyer nga publiku. Kjo përvojë e pasur ka ndihmuar që çdo paraqitje të tij, qoftë në shfaqje lokale apo në projekte më të mëdha, të jetë e gjallë dhe prekëse.
Dhe, megjithatë, mbetet një pyetje që ngjall një buzëqeshje të hidhur: si mund të jetë Bashkim Alaj, me talentin dhe përvojën e tij të pasur, ende pa punë të rregullt? A është çështje politike, burokracie, apo thjesht fat i keq?
Dhe siç thotë vetë Bashkimi me një buzëqeshje: “Me talentin dhe përvojën që kam, akoma nuk kam një vend pune të rregullt… ndoshta politika nuk e kupton humorin tim, ose thjesht nuk di çfarë të bëjë me dikë që e bën publikun të qeshë dhe të mendojë njëkohësisht. Por, nuk ka problem, unë kam skenën dhe të gjithë ju që e vlerësoni atë që bëj.”

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat