Prezantim i prodhimtarisë vendore

“Në vitin 2022 mes tjerash do të ketë përkrahje për prodhuesit bujqësorë me masa, si pagesa direkte për njësi sipërfaqësore, përkrahje e prodhimit të qumshtit, përkrahje për prodhimin e drithrave, participimi në pagesën e kontributeve të prodhuesve bujqësorë, si dhe masa të tjera të cilat kanë për qëllim zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Vizioni ynë është që të kemi produkte me të cilat do të njihemi jo vetëm në Mal të Zi, por edhe më gjerë”, theksoi Ismeta Gjoka, sekretare e Sekretariatit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Tuzit

Tuz – Panairi i dytë i punimeve artizanale dhe i ushqimit të shëndetshëm u hap në Tuz, më 7 tetor 2022, në prani të përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale, të Ministrisë së Bujqësisë, dhe të një numri të konsiderueshëm të ekspozuesve të cilët prodhimet e tyre i shpalosën në stendat përpara godinës së QKI “Malësia”.
Në fillim të hapjes së këtij panairi u tha se njëra ndër shtyllat e zhvillimit të Komunës së Tuzit është bujqësia dhe prodhimet vendore të bujqësisë dhe agroturizmit, me synim që ky panair të bëhet tradicional për të evidentuar të arriturat në këtë fushë.
Ndërkohë, duke e shpallur të hapur këtë panair, kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj tha se kjo fushë e veprimtarisë shoqërore është tejet e rëndësishme për Komunën e Tuzit të cilën siç tha, vazhdojnë ta promovojnë dhe mbështesin fuqishëm.
“Çdo vit e më shumë do të vazhdojmë me përkrahjen ndaj fushës së bujqësisë. Sikur e dimë, në vendin tonë janë duke u ndërtuar edhe fabrikat të cilat do të lidhen drejtpërdrejt me bujqësinë. Nga viti në vit kemi rritur mbështetjen për bujqësi në buxhetin e Komunës së Tuzit. Këtë vit kemi arritur afërisht shifrën prej 550 mijë eurosh për subvencione të drejtpërdrejta për fermerët tanë, dhe kështu do të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, u shpreh Gjeloshaj, teksa njoftoi se ditët në vijin starton me punë edhe fabrika e përpunimit të patates, përkatësisht e prodhimit të patatinave.
Ndërkaq sekretari shtetëror i Ministrisë së Bujqësisë, Budimir Mugosha theksoi se Komuna e Tuzit ka bindshëm potencialin më të madh në sektorin e bujqësisë, e në veçanti në fushën e perimtarisë dhe pemtarisë. Zoti Mugosha njoftoi edhe për mbështetjen që kjo ministri do të ketë ndaj fermerëve në tërësi, dhe të atyre nga komuna e Tuzit.
Në të njëjtën kohë, sekretarja e Sekretariatit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Tuzit, Ismeta Gjoka duke përshëndetur dhe falënderuar të pranishmit në këtë panair, u shpreh se Komuna e Tuzit disponon me kushte të jashtëzakonshme natyrore për zhvillimin e sektorit të bujqësisë.
“Në këtë zonë janë të përfaqësuara prodhimtaria bimore dhe blegtoria. Prodhimtaria bimore është dominuese, veçanërisht perimtaria dhe vreshtaria. Këtë vit në territorin e komunës së Tuzit u kultivuan 1 mijë e 140 hektarë të tokave bujqësore. Kulturat dominuese kanë qenë patatja me treqind hektarë, pastaj shalqini me njëqind e nëntëdhjetedy hektarë, gruri me njëqind e dyzetedy hektarë, etj.”, tha Gjoka.
Ajo më tutje ka prezantuar një kronologji të shkurtër të mjeteve financiare me të cilat Komuna e Tuzit ka mbështetur prodhuesit bujqësorë nga viti 2020 e tutje.
“Në vitin 2022 mes tjerash do të ketë përkrahje për prodhuesit bujqësorë me masa, si pagesa direkte për njësi sipërfaqësore, përkrahje e prodhimit të qumshtit, përkrahje për prodhimin e drithrave, participimi në pagesën e kontributeve të prodhuesve bujqësorë, si dhe masa të tjera të cilat kanë për qëllim zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Vizioni ynë është që të kemi produkte me të cilat do të njihemi jo vetëm në Mal të Zi, por edhe më gjerë”, theksoi Ismeta Gjoka, sekretare e Sekretariatit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Komunën e Tuzit.
Panairi në fjalë korrespodoi me Ditën ndërkombëtare të ushqimit të shëndetshëm, i cili çdo vit shënohet më 16 tetor, ndërsa u organizua nga Sekretariati për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Tuzit.
Panairi zgjati tre ditë rresht. Ditën e dytë është mbajtur një trajnim i shkurtër mbi kulturën e verës dhe mënyrën e prezantimit të saj, ndërsa është përmbyllur në Triesh me Panairin e ushqimit dhe të prodhimeve tradicionale.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat