Prezantim i poezisë nëpërmjet artit

Tuz- Piktorja akademike, Majda Turuskoviq, ka hapur ekspozitën e saj personale të ilustrimeve “Përgjimet”, në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, në prani të një numri relativisht të madh të miqve, kolegëve, artistëve dhe artdashësve vendas dhe nga Podgorica.
Në këtë ekspozitë autorja e ka prezantuar artistikisht poezinë si gjini letrare duke e shndërruar atë në art pamor të cilin ajo e ka paraqitur nëpërmjet një numri të madh të punimeve artistike, ilustrimeve të ndryshme grafike dhe pamore.
Ajo paraqitet me një art bashkëkohor ashtu siç e vlerësuan edhe përfaqësuese të QKI “Malësia” në Tuz në hapje të ekspozitës, teksa folën për punimet e autores Turuskoviq, duke theksuar se elitës kulturore të këtij vendi i nevojiten personalitete kozmopolite siç është autorja e kësaj ekspozite.
Majda Turuskoviq u lind në vitin 1986 në Podgoricë. Në vitin 2012 diplomoi në Fakultetin e Arteve Pamore në Podgoricë, në degën Dizajn i Komunikimeve Pamore. Puna e saj është e fokusuar në tërësi në vizatim të ilustrimeve grafike dhe pamore. Turuskoviq ka qenë e angazhuar në fushatën e UNHCR-së, Apatridija. Ka bashkëpunuar me kompani dhe organizata të ndryshme të cilave u ka dhënë zgjidhje ideore për logon e tyre. Ajo është marrë edhe me përgatitjen grafike të disa botime të revistave shkollore për nevojat e Qendrës së Resurseve “1 Qershori” në Podgoricë. Turuskoviq ka qenë pjesë e disa ekspozitave kolektive të cilat janë organizuar nën patronazhin e Fakultetit të Arteve Pamore në Podgoricë. Është profesoreshë e artit figurativ dhe komunikimit Pamore në Gjimnazin “25 Maji” në Tuz. t. u.

Të fundit

më të lexuarat