Tuz – Nën organizimin e Qendrës Kulturore-Informative “Malësia”, nëntë piktorë/e nga Shkodra: Andi Hila, Arben Suma, Artan Draçini, Denisa Brahimi, Fatmir Juka – kurator, Rozafa Shpuza, Senad Xhexhovi, Sidrit Lohja dhe Xhovana Preçeta prezantuan krijimtarinë e tyre të pasur artistike përpara admiruesve të artit dhe kulturës të premten më 12 maj 2022.
Kjo ekspozitë kolektive e artit bashkëkohor e titulluar “T’9 për Tuz”, që shpalosi një gamë të gjerë pikturash, skulpturash, fotografish, instilacionesh e teknologjish digjitale, paraqiti një ndjeshmëri hetimesh artistike që synojnë të përkufizojnë jo vetëm marrëdhënien e artistit me botën përreth, por mbi të gjitha njeriun si forcë gravitacionale.
Fillimisht, përshëndeti me disa vargje poezie, poetja dhe fotografja Rozafa Shpuza e cila tha se nuk ishte rastësi recitimi i poezisë pasi, siç theksoi, Shkodra ka fotografinë, ka pikturën, por ka edhe poezinë.
Ndërkohë, duke folur për ardhjen e tij për të dytën herë në Tuz dhe si pjesëmarrës i ekspozitës “T’9 për Tuz”, Fatmir Juka- kurator, falënderoi tejmase organizatorët për mikpritjen e cila, siç u shpreh, është përherë e ngrohtë dhe vëllazërore.
Ndërkaq, drejtori i QKI ”Malësia”, z. Vasel Berishaj tha se këto vepra artistike janë simbiozë e teknikave dhe formave të ndryshme që me mjeshtëri përcjellin mesazhe me vlerë universale “të cilat gjithherë na okupojnë mendjen dhe shpirtin tonë”.
Ai shtoi se përmes kësaj ekspozite paraqitet, vërehet dhe përjetohet natyra, shoqëria, tradita, e tashmja, e ardhmja dhe destruktivja në shoqëri, por edhe vlerat tradicionale.
“Gërshetimi i teknikave të ndryshme në pikturë, skulpturë, fotografi e deri tek teknologjia digjitale e pasurojnë ndjenjën tonë për artin, respektivisht e pasurojnë jetën”, u shpreh Berishaj teksa e shpalli të hapur këtë ekspozitë.
Ekspozita kolektive “T’9 për Tuz” do të qëndrojë e hapur deri nesër, më 19 maj, në orën 15.
t. u.
