Në zemër të Shasit, aty ku historia, kujtesa dhe kultura ndërthuren në mënyrë të veçantë, Shoqata “Ora” organizoi më 14 dhe 15 qershor 2025, me përkushtim të thellë edicionin e 19-të të manifestimit “Pranvera në Anë të Malit”,
Ky edicion u përjetua si një rikthim në rrënjë, në vendin ku gjithçka kishte nisur, me një ndjeshmëri më të thellë se kurrë më parë. Ngjarjet e fundit që kanë prekur zemrën e komunitetit vendor sollën një reflektim të natyrshëm në programin e sivjetshëm – duke i dhënë më shumë vend artit që flet me zemrën dhe shpirtin, dhe duke i dhënë zë dhimbjes që ndan e bashkon njëkohësisht.
Pranvera e këtij viti nuk u festua me muzikë e festime të zakonshme, por me peshën e kujtesës dhe fuqinë e artit – si një mënyrë për të nderuar jetët e humbura dhe për të shprehur solidaritetin me ata që po përballen me sfida të mëdha jetësore.
Kryetarja e Shoqatës “Ora”, Arjeta Kurti, shpalosi aktivitetet e programit të këtij edicioni të Pranverës në Anë të Malit.
“Pranvera në Anë të Malit, këtë vit, shënon edicionin e 19-të me radhë. Kemi vendosur që këtë edicion ta rikthejmë në qytetin e lashtë të Shasit, aty ku edhe e ka fillesën kjo nismë e bukur kulturore dhe shoqërore. Aktivitetet kanë nisur më datë 14 qershor, në orën 16:00, pranë restorantit ‘Shasi’, me turneun e volejbollit për femra, ku kanë marrë pjesë ekipe shqiptare nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, si dhe ekipi ‘Barbana’, përfaqësues i shqiptarëve të Malit të Zi. Ka qenë një ndeshje miqësore, ku më bukur se sporti nuk ka çka i bashkon shqiptarët në një vend – në paqe, mirëkuptim dhe dashuri”, ka thënë ajo.
Nga fëmijëria e Pranverës në Shas, tek përmbushja e ëndrrës përmes artit
Ekspozita personale e artistes së re vendase, Mevlida Salaj, një vajzë që dikur shihte me sytë e një fëmije këtë festë, sot paraqitet si artiste e formuar, me një zë të veçantë dhe thellësisht të ndjeshëm në botën e artit pamor.
“Ajo që dikur ishte një vajzë e vogël, vetëm disa vjeçe, vinte si fëmijë bashkë me prindërit e saj pikërisht në këtë vend, në festën e Pranverës. Që në atë kohë, ajo ushqente një ëndërr – që një ditë, kur të rritej, të studionte artin, të bëhej artiste, të pikturonte qytetin e lashtë të Shasit dhe të hapte një ekspozitë me punimet e saj. Dhe ja ku jemi sot, kur ajo ëndërr e hershme po shndërrohet në realitet”, ka thënë në hapje të ekspozitës, Ismet Kallaba nga Shoqata “Ora”.
Në vijim ai ka thënë se “ku ka më mirë se sa të hapësh ekspozitën e parë personale në vendlindje, aty ku ke hedhur hapat e parë të jetës, në praninë e familjarëve, shokëve, shoqeve, miqve dhe bashkëvendasve”.
Sipas tij, “kjo ekspozitë nuk përfaqëson vetëm një sukses të Mevlidës, por është një arritje edhe për Shoqatën ‘Ora’, e cila, ndër të tjera, ka për qëllim mbështetjen dhe promovimin e artistëve të rinj nga kjo zonë”.
Ndërsa piktorja Mevlida Salaj, mes emocioneve u shpreh falënderuese për të gjithë të pranishmit.
“Faleminderit që keni ardhur për të më mbështetur në këto çaste kaq të veçanta për mua. Prania juaj sot këtu ka një domethënie të madhe dhe më prek thellësisht. Dua të falënderoj secilin prej jush, nga zemra, për kohën dhe vullnetin që keni treguar duke qenë pjesë e këtij momenti të rëndësishëm në jetën time artistike. Një falënderim i veçantë i shkon familjes sime, e cila më ka qëndruar pranë dhe më ka mbështetur gjatë gjithë etapave të jetës sime, duke më inkurajuar të ndjek pasionin tim për artin”, ka thënë ajo, duke treguar se meqenëse është në hapat e parë si piktore, ekspozita mban titullin “Në kërkim të vetes”.
“Ky titull përfaqëson jo vetëm një proces artistik, por edhe një udhëtim personal dhe shpirtëror. Në pikturat e mia do të hasni një larmi stilesh, teknikash të ndryshme dhe ndjeshmëri të larmishme – një pasqyrim i kërkimit tim të vazhdueshëm për të zbuluar vetveten përmes brushës dhe ngjyrës. E di që ndoshta ndryshe nga disa artistë të formuar, të cilët kanë tashmë një stil të qartë dhe karakteristik, unë jam ende duke eksploruar, duke provuar dhe duke ndërtuar identitetin tim artistik. Por besoj se ky është një proces i natyrshëm dhe i bukur, i cili më afron çdo ditë më shumë me atë që dua të jem si piktore dhe si njeri”, është shprehur ajo.
Një nga aktivitetet më të veçanta të këtij edicioni ishte monodrama “Engjëjt”, e interpretuar nga aktorja shqiptare që jeton në Greqi, Vefi Redhi. Teksti i kësaj vepre është shkruar nga Odise Plaku nga Shqipëria, ndërsa është vënë në skenë nga regjisori Naser Shatrolli nga Kosova.
Kjo monodramë trajton një tematikë tejet të ndjeshme – dhimbjen e nënave për humbjen e fëmijëve të tyre.
“Pikërisht për këtë arsye, këtë vit kemi vendosur që të mos përfshijmë programin muzikor të zakonshëm të Pranverës në Anë të Malit, duke marrë parasysh ngjarjet e dhimbshme që kanë tronditur komunitetin tonë kohëve të fundit. Humbja tragjike e jetës së një djaloshi 19-vjeçar dhe gjendja e rënduar shëndetësore e një të riu tjetër 28-vjeçar, i cili tashmë prej një muaji po lufton për jetën, na kanë prekur të gjithëve thellë. Në këtë atmosferë reflektimi dhe dhimbjeje, kemi konsideruar se më e përshtatshme do të ishte të përcillnim një mesazh përmes artit dramatik, që prek ndjenjat më të thella njerëzore”, ka thënë kryetarja e Shoqatës “Ora”, Arjeta Kurti.
Edicioni i këtij viti filloi me turneun në volejboll për femra “Shasi 2025”, ndërsa në ditën e dytë janë zhvilluar gara në vrapim në relacionin Katërkollë – Shas, pastaj turneun në shah, për t’u përmbyllur me turneun në futboll të vogël ndërmjet institucioneve lokale.
“Pranvera në Anë të Malit 2025” u mbyll me emocionin e një përjetimi të thellë njerëzor dhe kulturor. Ky edicion nuk ishte thjesht një manifestim, por një udhëtim i përbashkët nëpër kujtesë, identitet dhe shpirtin e vendit tonë. Në çdo aktivitet u ndie fryma e bashkimit, dhe në çdo vepër arti u pasqyrua dhimbja, shpresa dhe dashuria për vendin. Nëpërmjet përkushtimit të Shoqatës “Ora” dhe pjesëmarrjes së të rinjve, artistëve e dashamirësve të kulturës, u krijua një hapësirë ku fjalët, ngjyrat dhe emocionet flisnin më shumë se çdo tingull. Dhe në këtë heshtje të thellë, në mungesë muzike, u dëgjua zëri më i fuqishëm – zëri i shpirtit njerëzor që kërkon kuptim, pranverë dhe dritë, edhe në ditët më të vështira.
D. Teliqi
