Portretizim i figurës së heroit kombëtar të të gjitha kohëve

“Në vitin 2018, në 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Kryeministria e Republikës së Kosovës e ka botuar librin 650 faqesh me këto punime të cilat po i shihni. Pra, është një libër shumë voluminoz, dhe është dashur diku dhjetë vjet për të bërë këtë hulumtim. Kjo përmbledhje këtu është shumë e vogël, ndoshta as dhjetë për qind e asaj çfarë përmban libri”, tha ndër të tjera autori i ekspozitës Luan Tashi

Tuz – Në Qëndrën Kulturore-Informative “Malësia”, të hënën mbrëma më 11 prill 2022, u bë hapja e ekspozitës “Portrete të Skendërbeut gjatë shekujve” e autorit, prof. Luan Tashi.
Të pranishmit e shumtë në këtë ekspozitë, përfaqësues të ambasadave të Kosovës dhe Shqipërisë në Mal të Zi, të Komunës së Tuzit, dhe të admiruesve të artit pamor, u njohën nga afër me 65 vepra të artistëve evropianë dhe shqiptarë mbi heroizmin e Gjergj Kastiotit-Skendërbeut, si: dorëshkrime, vula, gravura, litografi, piktura, skulptura, mozaiqe, medalje, pulla postare.
Mbi jetën dhe veprimtarinë e gjerë patriotike të Gjergj Kastriotit-Skendërbeut, foli kuratori i ekspozitës, z. Mark Junçaj i cili tha se Gjergj Kastriotit-Skendërbeu është kryeheroi i të gjitha kohërave, i cili përmes kësaj ekspozite na shfaqet në mesin tonë falë hulumtimeve dhe punës shumëvjeçare të autorit, Luan Tashi.
“Gjergj Kastrioti-Skendërbeu na shfaqet madhështor, sikurse ka qenë gjatë githë jetës së tij, përmes punimeve të ndryshme dhe nga artistë të ndryshëm për një periudhë tejet të gjatë, mbi pesëqind vjeçare. Bëhet fjalë për një figurë madhështore e cila ka frymëzuar, frymëzon dhe vazhdon të frymëzojë artistë të shumtë anembanë botës”, shprehet ndër të tjera Junçaj, duke shpalosur veprimtarinë me vlerë të autorit Luan Tashi kushtuar Gjergj Kastriotit-Skendërbeut, si dhe atë se çfarë është shkruar dhe dokumentuar ndër vite për kryeheroin kombëtar në të gjithë Evropën, nga autorë shqiptarë dhe të huaj.
Ndërkaq, të pranishmit në ekspozitë i përshëndeti autori Luan Tashi, i cili duke falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen, tha se ka qenë kënaqësi që i është dhënë rasti të flasë për personalitetin më të madh shqiptar të historisë tonë kombëtare, Gjergj Kastriotin-Skendërbeun, për të cilin kohë më parë ka botuar edhe një libër voluminoz.


“Në vitin 2018, në 550-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Kryeministria e Republikës së Kosovës e ka botuar librin 650 faqesh me këto punime të cilat po i shihni. Pra, është një libër shumë voluminoz, dhe është dashur diku dhjetë vjet për të bërë këtë hulumtim. Kjo përmbledhje këtu është shumë e vogël, ndoshta as dhjetë përqind e asaj çfarë përmban libri”, tha ndër të tjera autori i ekspozitës Luan Tashi.
Autori i ekspozitës në fjalë u zotua se rrugëtimi i kësaj ekspozite do të vazhdojë në qytetin e Ulqinit, Shkupit, etj, me qëllim të njohjes më nga afër të historisë së kryetrimit dhe udhëheqësit shqiptar.
Këtë ekspozitë e shpalli të hapur sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, Marina Ujkaj, e cila në mes tjerash theksoi se figura e Gjergj Kastriotit-Skendërbeut ishte bërë inspirim jo vetëm për burrat e shtetit, shkrimtarët e poetët, por madje edhe për kompozitorët dhe piktorët nga e gjithë Evropa.
Kjo është hera e parë që artdashësit në Malësi patën rastin të shikojnë këto vepra artistike, me një cilësi shumë të lartë, si portretin e parë të Gjergj Kastriotit-Skendërbeut, 13 vjet para vdekjes së tij, të skalitur në gur nga skulptori dhe arkitekti shqiptar Andrea Aleksi të vitit 1445, e deri tek monumenti madhështor i Gjergj Kastriotit-Skendërbeut të skulptorit shqiptar Bujar Vani, të vitit 2022.
Ky eveniment kulturor u organizua nga Sekretariati për Vetëqeverisje Lokale i Komunës së Tuzit.
Ekspozita “Portrete të Skendërbeut gjatë shekujve”, do të qëndrojë e hapur deri më 23 prill 2022.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat