Emri i lavdishëm e i pamortshëm i Heroit Kombëtar shqiptar Gjergj Kastriot Skënderbeu, është i lidhur edhe me poezinë botërore. Marin Barleti dëshmon për këngët popullore, pra për një traditë të këngës historike e legjendare të vetë popullit shqiptar
Vetë kryevepra e Barletit për bëmat e personalitetin e jashtëzakonshëm të Skënderbeut është shkruar plot me poezi të brendshme, me një forcë përgjithësuese, ku poezia në kuptimin e përgjithshëm dhe artistik është e pranishme.
Librin e Barletit mund ta quajmë pa e tepruar edhe si një poemë epike.
Ky libër, siç dihet u botua në Romë gjatë viteve 1508-1510.
Interesant është, të vihet në dukje se që në fillim të librit botohen edhe dy poezitë latinisht nga dy poetë bashkëkohës të Barletit tonë, e me sa duket, miq të tij, që e vlerësojnë shumë lart jo vetëm figurën e ndritshme të Skënderbeut, por edhe vetë nismën e pavdekshme të shkrimtarit e të dijetarit humanist.
Poezitë janë shkruar në distikë e kanë karakter kushtimor e vlerësues, apologjik.
Njëra poezi është shkruar nga poeti Pjetër Reguli nga Viçenca, kurse tjetra nga Domeniko de Alcenjano, nga Padova. Këta dy poetë të kohës janë intelektualë, që u ka tërhequr vëmendjen Shqipëria, historia e saj dhe një nga pishtarët më të mëdhenj të lavdisë e lirisë shqiptare – Gjergj Kastriot Skënderbeu. Ata kanë pasur patjetër lidhje me Barletin e shtojnë kështu nota për biografinë e tij, për rrethin e të njohurve të Barletit, për vetë procesin e shkrimit dhe të botimit të kryeveprës barletiane, e cila u përhap dhe u përkthye gati në të gjitha gjuhët e Evropës, duke e bërë Barletin shkrimtarin e parë shqiptar të kalibrit botëror.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “799” të revistës Koha Javore

