Poezitë – autobiografi, histori e natyrës shqiptare

Uni dhe individualiteti poetik bashkëjetojnë në këtë vëllim, konvergojnë me dritë-hijet e jetës, ku nëna e babai, Kraja, Rumia, Ulqini e trevat e të parëve, dashuria e gjetur e dashuria e humbur, gjethnaja e vendlindjes - gjithnjë e blertë e me sumbulla vese si sumbulla shprese, të kthejnë si pa dashur në noter të një niveli artistik me kurbë ngjitjeje nga njëra poezi në tjetrën

Skënder Temali

Për mua, pa dyshim jo vetëm për mua, emri i poetit Ali Gjeçbritaj, nuk është i panjohur, falë librave të tij e publikimeve në shtyp e në rrjetet sociale. Pa mëdyshje e them se vargu i tij është vetëm i tiji, pa ndikime të gjithfarëllojshme shkollash të ndryshme poetike, pra është krejt origjinal. Ai nuk është as kërkues figurash letrare, pasi ato i burojnë natyrshëm, as peizazhesh që s’të mbesin në kujtesë e që s’të zgjojnë ndjesi, po përkundrazi, as përcjellës mesazhesh bashkëkohëse poetike të turbullta e që s’di me ua zënë fillin. Ali Gjeçbritaj është i kthjellët në figuracion e mendim poetik, e lexon të djeshmen nga këndvështrimi i së sotmes, duke lënë të hapur gjithnjë shtegun drejt së nesërmes. E mendoj se rreth këtij boshti shtjella poetike e këtij vëllimi të rrëmben, sa të tërheq në kohë e sa po në kohë të çon përpara.
Të flasësh me motet, të bashkëbisedosh me ta, patjetër që duhet të jesh vizionar poetik, të mos e humbësh për asnjë çast busullën kohore, të çash me bash pa t’u thyer direku nga furtunat e jetës. Ali Gjeçbritaj ka një qartësi poetike të admirueshme, nuk lot as me fjalën e as me figurën, përkundrazi, kanë një regjistër që nuk njeh stonatura.
Poezitë e Gjeçbritajt janë autobiografi, janë histori e natyrës shqiptare, mbi të gjitha janë jetë e kjo nuk është pak. Është ajo që do ta dëshironte çdo poet. Uni dhe individualiteti poetik bashkëjetojnë në këtë vëllim, konvergojnë me dritë-hijet e jetës, ku nëna e babai, Kraja, Rumia, Ulqini e trevat e të parëve, dashuria e gjetur e dashuria e humbur, gjethnaja e vendlindjes-gjithnjë e blertë e me sumbulla vese si sumbulla shprese, të kthejnë si padashur në noter të një niveli artistik me kurbë ngjitjeje nga njëra poezi në tjetrën.
Shumë poezi të vëllimit “Motet” kanë vlerë antologjike. Metafora, kryefigura e këtij vëllimi, shtegton nga njëri cikël te tjetri e nga njëra poezi te tjetra si pa u ndjerë, duke na e forcuar bindjen se autori e di fort mirë cakun e rëndesës me figura të panevojshme poetike e duke i lënë hapësirë edhe lexuesit për ta zgjatur edhe ai natyrën krahasuese të saj. “Ishulli i shpresës” është ilustrimi i gjithë sa shpreha deri më tani, një nga poezitë ku ajo gurgullon bashkë me mendimin:
“Ky ishull është/ Bujtinë për udhëtarin e vonuar/ Ku qielli i hapur është strehë./ Këtu në mbrëmje lind dashuria/ Për ëndrrat e bukura,/ Për hijet magjepse,/ Për mallin e jetës së pashuar./ Këtu mbyllet në thellësi/ Rreth boshtit magjik hareja.”
Ama e jetës i ka ofruar poetit një larushi tematike të admirueshme që, e shkrirë në vargje, i ngjet atij përroi që zbret turrshëm nga malet për t’i dhënë ushqim lumit, liqenit e më pas dhe detit të trazuar të shpirtit të poetit. Ky shpirt, sa i qetë, aq dhe i kreshpëruar, sa me klithma pulëbardhash e aq me stërkala dallgësh, sa i djeshëm e më shumë i sotëm, sa në shtrat të një jete modeste e aq dhe krenar për trashëgiminë e një ndershmërie e tradite shqiptare ku ngjizen disa nga virtytet më të ndritshme: “Këtu dyfytyrësia nuk ka pasur kurrë bujtinë/ Këtu nuk ka pasur maskarenj e batakçi/ Këtu të vërtetës asnjëherë nuk i është kthyer shpina…/ Sot pinjollët e këtyre trojeve nëpër rruzullin tokësor/ Kanë marrë me vete peshën e këtyre trojeve.” (Pesha e trojeve të mia).
Një dukuri që nuk ka se si të mos bjerë në sy është edhe rrëfimi i thjeshtë poetik. Autori nga përditshmëria e jetës merr bulëza krejt të zakonshme e me artin e fjalës u jep dritë e mbase kjo thjeshtësi perceptuese e realitetit të djeshëm e të sotëm e afron atë më shumë me lexuesin real sesa atë ideal.
Poezia “Natë në qytetin tim” është një tjetër shprehje e asaj se poeti e zotëron pa iu dridhur dora penën-penelin mbi peizazhin e qytetit të tij, duke i dhënë ngjyrim bashkëkohës: “Mbuluar me drita neoni/ Rrugicat e qytetit tim janë sonte/ Dalë kam në tavernën e gurtë/ Për të mbledhë kujtimet e moteve…”. Solla një shembull, bëra një tjetër ilustrim bashkëkohësie, se të tilla në vëllim hasen shpesh, sa të ngjan se po vështron një kaleidoskop ku ngjyrat e jetës shfaqen e zhduken për t’u shfaqur sërish me të tjera perceptime poetike, me të tjera mesazhe, zakonisht fundore të poezive, si një nga shprehjet e origjinalitetit poetik të Gjeçbritajt.
Udhëtimi me motet i poetit është i veshur me një tis të lehtë filozofik çka na bën të besojmë se ai është disa hapa në avancë nga vëllimet e mëhershme të tij, shprehje e këmbënguljes së krijuesve seriozë për të çelur e hedhur farë në brazda të reja e në shtigje të reja. Vendnumëroja e krijuesit është shterpësi e kush i shpëton kësaj, ia zgjat jetën vetes krijuese, siç dhe na shfaqet me këtë vëllim Gjeçbritaj. Plus kësaj, ai është në rezonancë me poezinë bashkëkohëse shqipe, gjithnjë me profilin e individualitetin e tij krijues, i mbështetur sa në poezinë e traditës e aq dhe në atë kontemporane, duke praktikuar te disa poezi edhe hermetizmin. Edhe pse parapëlqen vargun e lirë, tregon se njeh e aplikon me sukses rimarin e vargun e matur, se ka një fjalor poetik të pasur e gjuhë shqipe të krehur, të pasuruar me fjalë të rralla, larg orientalizmave e krahinorizmave, që jo pak vazhdojnë të shfaqen si kërpudhat pas shiut në poezinë e disa shkarrashkruesve.
“Motet” e Gjeçbritajt mendoj se shënon një sukses për autorin, me të rrugëton përkrah poetëve të tjerë shqiptarë, shkurt e thjesht duke iu bashkuar me zërin e tij krejt të veçantë korit të poetëve në trevat shqipfolëse.
Duke përfunduar këtë recension, shpreh me bindje mendimin se Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore në Podgoricë po bën një punë lavdëruese në botimin çdo vit të një shkrimtari shqiptar që jeton në Mal të Zi, duke marrë parasysh edhe propozimin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.
(Autori e ka shkruar vështrimin për librin para vdekjes së tij)

Të fundit

më të lexuarat