Poezi: Ibrahim Berjashi

TAKOHEMI N’ËNDRRA T’BARDHA

Jemi zhvendosur me ceremoni breshëri
Edhe vapë zeniti në shpirt
Fortesa pagane u bë gërmadhë
Iku aroma e rozmarinës
Nga duart e djersitura
Ka mbetur bensedini engjëll
N’k’të pyll krizantemash
Kryepersonazhet mungojnë
Sa nostalgji e trishtë
Nuk ka art ky teatër vjeshte
Vera s’ul dot perdet
Natë hamletiane
A mund t’kthehet e humbura
Ofeli, a mund t’kthehet
Shekulli i munguar
Dua t’them diçka n’vesh
Takohemi n’ëndrra t’bardha
Që t’lindim përsëri

TEK ULLIRI I MOÇËM

Po pi me fund kupat e vetmisë,
Duart tua të mëndafshta
Nuk i zgjat dot,
Mbi trupin tim të djersitur,
As pas tre mijë shekujve.
Kafeja ekspres ka shije ulliri,
Edhe aromën e puthjeve
Ulërimë
Shpirti është mbuluar me gjethet tua
Vreshta qenka zverdhur e tëra
Herë godet e trishtë
Herë ngushëllon me zjarr
Pemë e zverdhur,
Princesha ime deri në amshim
Në limanin e pritjeve
Vijnë liburna ilire kokëgjarpri
Edhe dehemi nostalgji mitike
Mungon ti edhe taverna verore

PUHIZË

Bëhem xheloz i çmendur,
Me hipokrizinë e detit,
Që vrapon pas hijes sate…
Ti vjen butë,
Miklon shpirtin tim të trazuar.
Një mijë herë më qorton:

  • Përse mërzitesh si bebush?
    Derisa më fundos të tërin,
    Qengj me ninulla molle.

UNË, TI DHE JESENINI
Z. C.

Pse m’shikon ashtu nën sy
Edhe me heshtje m’flet shumë…
“Miku im i shtrenjtë lamtumirë,
ty këtu në shpirt të kam, ta dish…”
A s’më thue ç’kishte t’re n’Spi,
A i binte kush lahutës?
Po këmbonë ogiçi, kishte Dedë Gjo Luli?
A mbushej frymë me valëvitjen
E flamurit n’Bratilë?
Po, ç’asht ky mllef n’mue,
Më ngrysesh me vetulla korb,
Edhe nostalgjia me borë,
Na merr rrëmujë lugut t’Cemit,
Pamëshirshëm na bart deri n’Rumi,
Lule ilire hedhim mbi veshë:
“Lamtumirë mik pa fjalë e lot…”

Të fundit

më të lexuarat