MA KTHE LIRINË…
M’i ke rrëmbyer të gjitha pemët e gjelbra,
Që kanë kundërmuar jetë në sheshin e ullinjve,
Atje ku jam dehur me aromën e trupit tënd,
E verë të kuqe pimë në ishullin e puthjeve,
Ardhjen e mëngjesit e kishim harruar,
Nën shtratin e flijimit.
- Ma kthe lirinë…!
Altari i mungesës sate, pyrg,
S’kapërcehet as pas dy mijë vjetëve,
Fantazmë e kristaltë rishikohemi edhe një herë,
Pak edhe mund të vdesim,
Edhe të murosemi në Rozafat. - Ma kthe lirinë…!
Kafsho sa mundesh lëkurën time kripë,
Edhe shqyeju në dashuri, floçka ime,
Merr çfarë të duash,
Nga gjethet e zverdhura,
Edhe nga përpëlitjet e mbrëmjeve. - Ma kthe lirinë,
Se mbetëm pa fjalë që të dy.
XHELOZOJNË MES VETI ULQINI E VLORA
Një dramë, deri më tash e paparë:
Xhelozojnë dy qytete shqiptarë.
VLORA: Unë, jam historia vetë,
Nënshkruam shtet,
Kush s’na i solli lulet,
Plakut – t’i përkulet…!
ULQINI: Ngadalë motër,
Vlorë e lumnueme,
Jam mbretëri tash tre mileniume.
Po, ti aq të lartë e ke Ismail Qemalin,
A nuk ma njeh mua, fare, Ali Rizain?
VLORA: Hape historinë, ti bir i ujkut,
Jam Aulona e thellë e trungut.
- Edhe përtej bjeshkës së borës,
Thonë: Ah, k’to vajzat e Vlorës!
ULQINI: Unë kreshnik i praruar në ar,
Pacifist, sykaltër, më i larti i Tokës,
Sherr, ngucakeq, hajdut – kusar,
Do ta vjedh t’Bukurën e Vlorës.
LOTËT E PLAKËS
Pranë zjarrit që po fiket,
Plaka dridhet si thupra në ujë,
Shkriva jetën, po ku ikët:
- Unë mbeta n’dorë t’askuj!
Madhja thotë: Me k’to duar,
Petulla t’ëmbla u kam sjellë, - Sa kënaqësi, me djathë e reçel,
U kam puthë e përqafuar!
Qoftë mallkuar ky mërgimi,
Rrjedhin lotët, më shumë se Drini,
Pëlcet zemra, ka edhe ngrica,
Për ju i bëra ato sakrifica!
Vjen e shkon stina e motmotit,
As urime nuk më vijnë,
Mbeta unë n’dorë të Zotit,
E urrej shumë vetminë!
ULQIN
Sa i madh që je
O Vigan
Plagët e Gjergjelezalisë i ke bartur mbi supe
Tri mijë vjet
Edhe mallin e Ymer Agës
Edhe hingëllimën e Kalit të Trojës
Gjallë je
Emri yt
Nuk përtypet
As shtrohet
Desert
Në tryezën e piratëve
Gurët
Betohen
Para biografisë sate
Një puthje vere
Ka mbetur legjendë
U l q i n
FLOÇKË DETI
Sot është hapur Porta triumfale
Të alivanosur ishim
Nuk arrinim dot
Ta gjejmë çelësin e stinëve.
Ti edhe përtej jetës
Shëron të gjitha drithërimat e zemrës
Detin e paske zënë peng
Në sytë e tu
A mund të zbritet pak, shumë pak
Të lulëzojë kopshti i ëndrrave
Lirikë e gjelbër
Mos ik më
Se do gurëzohem eklips
Muranë koralesh na pi gjakun
Sot është hapur Porta triumfale
Të alivanosur ishim, Eva!
T’KAM GJITHÇKA…
Qengj i urtë që vjen nga nostalgjia ime
T’kam gjithçka.
T’kam më shumë se verën e kuqe
Më shumë se ullirin me dy mijë unaza
T`kam më shumë se diell
Edhe më shumë se zjarr
Që gufon nga brendia e trupit tim
T’kam më shumë se dëshirë
E gjithë ç’kam n’shpirt
Je ti e tëra,
T’kam shikim t’vetmin
T’kam mall pranvere, t’kam
T’kam më shumë se shpresë
Toka ime e ëmbël
ZBRITJE SOLEMNE
Ditën kur zbrite ti
Kishte kjen’ Hana e plotë
Edhe mëngjes i virgjër
Magjia e qershisë
Përjetësisht
Skuqur t’i ka buzët
Nën qerpikun e syrit
E ke nxan peng qiellin
K’tu s’ka romantizëm
Sa ambël kafshon
Edhe pafundësisht nuhat
Aromën e djersës që m’përmbyt
Mbretëreshë,
Vetëm atë ditë pihet verë
Edhe ulërijmë si bishat n’ujdhesë