VJESHTË E TRISHTË
(Esad Mekulit)
Gjethet e zverdhura përplasen pa adresë, metrove
Vjen erë e hirtë udhëve me gjeografi të zhdukur,
Populli yt me sharrë në krah në atë shekull,
Ashtu me “bisht” e deshe edhe e qave shumë.
Por, diçka punët s’na shkojnë mbarë, bard.
Mbush kronikat e zeza shesheve të errëta,
Përsëri, po de, në litar kërkojmë liri…
Këtë desha ta them edhe s’të gjej dot fjalë,
Hero i zanave, Nokshiqi s’ka më plis të bardhë,
S’vjen askush me bujtë një natë,
Të bëj be në qiell e tokë.
Dyert janë të mbyllura nostalgji e trishtim.
As varre nuk dalin para sysh, lahutë jo se jo,
Macja e zezë na e paska shkruar fatin.
KU JE NISUR, O GJENERAL
(In memoriam për piktorin ulqinak Rudi Goga)
Si kështu më vrave,
Ti as dorën s’ma ke zgjatur,
As s’më tregove se ke prerë biletë,
Për atë rrugë të gjatë…
Ditëlindjen nuk e festuam me aq pasion,
Siç bënim çdo qershor,
O, piktor rebel!
Më ke mbetur shumë borxh,
Për një copë diell në galeri,
Më le edhe karrigen bosh,
Në Art Club, ishte pagëzimi yt,
Për këtë akademi me plot zemër e dritë.
A s’më thua kur hap ekspozitë,
Se deti nuk po merr frymë sot,
Grafikat e pikturat grinden në kornizë,
Rrudhat e ballit i fshehim nën kapele,
Me degën e ullirit udhëtojmë në qiell,
Tryezë solemne të paska përgatitur,
Idoli yt, Musli Mulliqi,
Mos harro, gjeneral, nënshkrim lëre,
Te porta e Kalasë,
Për të hyrë në fortesën e Mbretëreshës Teutë,
O, Rudi Goga!
HESHTJE TE FIKU I MOÇËM
(In memoriam për poetin Basri Çapriqi)
Kjo heshtje po më shtrydhë dëshirën,
Edhe rëndë bie këmbana e nostalgjisë,
Me vetminë time iki në Shas që të hap pantaret,
Hija yte zhvendos heshtjen mijëvjeçare,
Kutia e Pandorës mbetet e mbyllur,
Hyn e del vetëm ëndrra hyjnore.
Diçka je duke soditur, detin e kriptë,
Apo liqenin me atë këngën tënde të heshtjes?
Ndoshta ke mbetur peng i ritit të lirisë:
Të udhëtosh me liburnë tek ulliri dy mijë vjeçar,
Ndoshta mbi krahët e pulëbardhës në Dardani?
Dritaren e ke lënë hapur, sodit nga ballkoni,
Republikën e ullinjve në kopshtin tënd?
Unë e Ti kemi mbetur duke pritur frutat e heshtjes.
Ulqin – Prishtinë, më 17 janar 2020
FLETË E GRISUR NË LIBRIN E HISTORISË
Rrënjët – t`k’putura, në zemër tjetër,
Dhe gjakun – të dalldisur e t’shprishur,
Belbëzim – pa ndjesi, të vjetër,
Udhëtarë – të kërrusur e t’braktisur…
Herë – në ferr,
Herë – në parajsë,
Skandaloze – kapriçoze:
Gur i çarë, det i tharë,
Pa fis, ulli, as farë,
Nuk lind – djalë,
As – s’vehet unazë.
Krejt – të katandisur!
Ritual – shëmti, etike,
Shurrufull – miopë pa fre,
Djall – në shishe plastike,
Dielli – o, s’po na nxe’,
Mollë – e mbetur në fyt!
Lolo – pordhecë,
Ëndrrën – kërkojmë me gisht,
Të pashpresë – e mistrecë,
Shopping – me bel e bisht!
Fusnotë – me strehë rebus në turma,
Harta – viktimë e prerë në kurma!
Kjo ikje në ambis – tej shtëpisë,
Recetë e shthurjes – deri n’amshim,
Shkruar e vulosur – pa asnjë vlerë,
Fletë e grisur – në Librin e historisë!
Dhimbje e përsosur – të qaj edhe një herë!
FILLON ME TY… E.
Edhe dita me diell,
Edhe stina e luleve,
Edhe dashuria hyjnore,
Fillon me ty…
Me ty rritet zemra,
Shërohet edhe shpirti.
Pa asnjë dhimbje rrjedh çdo lumë,
Por, sytë e tu më lënë pa gjumë!
Ulqin, më 19 gusht 2017
STUHI E SHPIRTIT TIM
Me sekonda e dekada qëndroj i ngrirë në shpirt,
Ashtu duke hëngër në tas pemën e jetës,
Kaq shumë beteja për buzët tua unazë me qershi,
Fort e paskam dënuar kështjellën e vetes,
I thellë është ky mister, për fund s’dua të di,
Ringjallet për çdo puls si e përballoj unë,
Edhe zgjuar them: unë të dua më shumë!
DASHURIA E VETME
Atje ku deti ta dhuron diellin,
Të përkëdhelë butë e pa fund,
Ëndrra blu e mbëlton fillin,
Mes nesh – jeton çdokund!
Dashuria, monument i parë,
Ka lindur një herë – s’thehet,
Firmosur me zemër, ngadalë,
Kështjella s’grimcohet, as s’shembet.
Të kam pasur portokall të shtrenjtë,
Trëndafil edhe degë e blertë ulliri,
Ishte, m’mbeti dashuri e vetme Ulqini!
