Poezi: Anton Gjuravçaj

Ignis Fatuus

Syri më kap muralin e xhubletës
si pjesë e listës së pasurive jomateriale të njerëzimit
/mendoj me të parën…/
e atëherë më kujtohet fjala e dhënë…
/si ashtu të gjallë
e bëjmë hije…/

sikur të merrte dikush të na e ruante…
se pa pikën e ndërgjegjes
për ditë po e ndajmë prej ashtit…
shtrydhim prej saj
pikën e fundit të gjakut
i morëm kokrrën e fundit të kripës…
e përqeshëm
me origjinalitetin tragjik
që vetëm njeriu mund të ketë ndaj vetes
këtë shteg jete
në kohë zhbërjeje…

Fjalës së lirë
/si kategori më e lehtë/
i vihet prapa i mençur e i marrë
një ditë
mund të jetë
do të na e tregojnë albumine e saj
si një album fluturash apo barishtesh shëruese
pa marrë parasysh
se a do të dalë prej ndonjë bodrum botësh…
si dhe “guidet” turistike për fjalët e “mira”
më pak të “mira”
dhe ato të pa pranueshmet
/faza e kalimit prej turizmit politik
në njeri të huaj
në vendlindjen e vet/

Fjala e veshit
e cila prej fundit del e renditet në krye
/ për herë të parë/
si më praktike
revolucionare
shpëtimprurëse
që fluturon butë e lehtë nëpër ajër
prej atyre që dikur quheshin këshilltar
/ e tani për përdorim intern /
koka e dytë…e tretë …e katërt…
/punësim i shëndoshë dhe me dinjitet
që mos t’u sillen tjerëve nëpër këmbë/
të renditur të gjithë pas vendimit
si pas arkivolit
pa u spërkat me hi…
por dhe si kontribut i “evolucionit” sociologjik
/shok e shoqe
zonja e zotërinj
këshilltarë e këshilltare/
sa pa lidhje tingëllon
njeriu me një kokë të vetme
në vendin ku delet kërkojnë
bariun e humbur

Si gjithmonë të frymëzuar prej par(im)eve
karrige në ballë…karrige në gojë…karrige në zemër…
të “zgjedhurit” duhet të kenë
vetëm laprat e veshit pak më të mëdha
për përparësi funksionale
/të kapin këshilla edhe prej dimensioneve tjera/
kështu do të mund të punësohen
edhe të vdekurit…
çka do të shpejtonte
vendosjen në peshojë
të panteonit tonë të heronjve
dhe të sqarojnë se si u bë
që mos t’i njohin as bashkëkohësit
as ata veten…
/disiplinë e jona olimpike/

Fjala artistike
me të drejtë
shumëkush beson
se kaherë këtu
shpesh jeton me qira
te fjala e paguar

Intelektualët e pavarur dhe trima
u shndërruan në qenie mitologjike
seleksionimi negativ i politikanëve
përhap qenien dhe frymën e “idiotëve të dobishëm”
/si modus vivendi…/
në çdo pore të shoqërisë
mediat që vuajnë
prej shtyllës së kurrizit
nuk mund të çojnë nga toka
as një pikë ujë
si koha që ndahet para dhe pas Krishtit
tani jeta ka filluar të ndahet
në para e pas pluralizmit
para e pas pensionimit
apo para e pas mërgimit

Bartje e vetes në duq
defile i kutive të zbrazëta
sorollatje e subkulturës
mbi shpinën e së kaluarës…

Fjala e trembur
na ndodhi kjo “mrekulli”
edhe në demokraci…
prej buzëve gjysmë të çelura
/shëmti dhe ironi e kohës/
thyen qafën
e mbështjellë me gëzhojën e vezës së qyqes…

Fjala e rëndë
kur nuk dinin
apo nuk donin
bashkonte qiell e tokë…
sa i madh është vargu i tyre
që do të ishin me vend sot…
por t’i kthehemi mbretërisë së tij – artit
/veglës kryesore të Zotit/
dhe profecisë së tij
/ se murali me xhubletë/
prej fillimit ishte vetëm pyetje e pa kapërcyeshme…
/ në shumës/
se kush duhet ta veshë tani
në logun më të pazakontë
dhe historikisht të parin të këtij lloji …

Fjala e paguar
për fatin e keq e të gjithë injorantëve
të ngjyrave të ndryshme
ka afatin e skadimit…

Të fundit

më të lexuarat