POEZI: Anton Gjuravçaj

LA SERENISSIMA

Sa e ëndrrës
aq e zhgjëndrrës
sa saktësi
aq magji
burg i përjetshëm
për zemrën e poetit
këmba e të cilit
shkel në ty

Nëpër shekuj
ke marrë dorën
të dallosh
zemrat në erë
sa prite
sa përcolle
me pak mjaltë
e me shumë vrer

Sa e brishtë qenie qielli
a mundet nga ti me ik
vera e bekuar
rrezja e diellit
zjarrin tënd
se lënë mu fikë

Ti fuqi që në shishe flenë
mike e muzave në përjetësi
botë e furçës
tërë ky vend
gacë që djegë
e herë ngri….

Sa tregon dhe më shumë fshehë
bukuri që dyert përplas
nëpër sheshe
ura
e kanale tua
trupi shpirtit
i shkon pas

Sytë e drenushës së plagosur
stinë
që nuk ka të sosur
as me muaj
as me vjet
në çdo mur pallati
pëlhurë të ngjyrosur
kërkoj me i gjet

Më kujto o hirplote
që ke durim
e s’ ke maraz
moment kur të ndalen
ujërat e kësaj bote
qiellit të hapur
çka ti flas

Më fal mua ëndërrimtarin
që nuk desha të kuptoj
në lartësi të ndaluara për mëkatarin
sytë e saj të zi
të shikoj

Dëshmitare ti Salute
e atyre që krijuan
këtë mrekulli
të tunduar
vetin munduan
në ty gjetën
pak qetësi
gur
metal
letër
qelq
praruan
u dhanë zë për jetë
dashurisë
plagë gjithmonë e lënduar
kurrë s’arritën t’i thonë krejt
vullnet qielli
apo dredhi toke
për ata që fshijnë
kufijtë e vet

Krahë e duar
të plagosur
shpirtin leckosur zi
prej fillimit
në thelb të krijuesit rrënjosur
e ‘’shenjta’’ papërsosuri

Në ta a vërejte vulë mallkimin
në buzë psherëtimën gjithmonë të njomë
si festimi
ashtu harrimi
kurrë plotësisht
mos t’u takojë

Ti o zemër bute
që në këtë vend u lute për shëndet
hapit tim jepi drejtimin
mos të shkeli përsëri
në gjurmë të vet

Kush me sy çelur
mund të ndahet nga ti
bien kambanat
apo e Vivaldit melodi
zëri i saj
i hollë
i dridhur
prej Shën Markut
deri në Shën Mri
Venedik,
dhjetor 2017

Të fundit

më të lexuarat