URIM
Të pimë verë, të pimë raki
gotat me fund t’i zbrazim
kafenë me filxhan inxhi
dhe duhanin me kuti.
Për kohën që iku
mos u merakos
mendja le të shkojë
atje ku ka musht.
Nuk ke qenë në burg
as në spital kurrë
me çka e ha bukën
nuk të pyet kush.
Dhashtë i madhi Zot
Qeni mos të kafshojë
këlyshët dhe zagarët
lehjet i kanë zakon.
Krajë, 16.03.2023
VLERAT
Thonë, unaza ka vlerë gjithmonë
Praruar me flori, gurë diamanti
Shpejt situata e saj mund të ndryshojë
Ari humb ngjyrë, diamanti shkëlqesinë.
Unaza shndrinë në ditë martese
Në gisht të nuses e dhëndrit të ri
Zbehet qoftë larg me divorc
Nga ky i dyti na shpëto PERENDI
Thonë, produktet kanë shumë vlerë
Kanë të drejtë që këtë e pohojnë
Kur produkti ka shijen e mjaltit
Po kur skadon kush i shijon?
Thonë, me pozitë bota të shikon
Valixhet mbushur me diamant i kanë
Përmes shkretëtirës me valixhe në dorë
Ujë kërkon, diamantit afati i skadon.
Dëgjoni mirë, tha një plak i urtë dikur
Njerëzia ka qenë, është dhe do jetë
Dashuria botën e ka mbajtur në jetë
Besimi gjithmonë ka mbjellë shpresë.
Njerëzia, dashuria, besimi dhe shpresa
Vlera që kurrë s’i mbulon harresa
Janë këto virtyte njerëzore
Bota rreth tyre sillet prore
Krajë, 20.03.2023
IDILË E HESHTUR
Unë në katin e dytë
në tavernë me parmakë
shikimin kam hedhur në horizont
kohën në ikje kujtoj.
Një barrë vitesh mbi supe mbaj
të shtatëdhjetat kanë trokitur në derë
peshë motesh rëndojnë shpatullat e mia
unë flokëthinjuri bilur kujtova se s’plakem kurrë
Para meje pishina e bujtinës mandarina
truphedhurat lahen si ngjalat në ujin bilur
e unë kujtoj vitet e mia, tash idilë e heshtur
në shikime kohësh më duket sot jam dehur.
Mallkova ditët, që ikën si vetëtimë
mallkova vetën që sot s’jam ai që isha dikur
nuk kanë thënë kot të vjetrit tanë
syri, thoni e zemra s’u plakkan kurrë.
Shtator, 2023, Ulqin
UNË GJALLË SE GJALLË
Me mijëra vjet më kanë sharë
Me mijëra vjet më kanë vrarë
Me mijëra vjet më kanë varrosë
E unë prapë gjallë se gjallë.
Më thoni sa mijëra vjet ma vratë dashurinë?
Më thoni sa mijëra vjet ma ndalët dritën?
Më thoni sa mijëra vjet ma zutë diellin?
Ju nuk keni përgjigje në pyetjet e mia
Ju pa asnjë dyshim me kohë u ka zënë çmenduria.
Ju nuk njihni asnjë copë të historisë time
Nuk dini as sa i fortë është ashti im
As sa thellë në truall janë ngulitur rrënjët e mia
As sa të fortë janë gurët në mure të kullave të mia.
Sado që u duket se tradhtia e shekujve është me ju
Unë me tradhtinë nuk pajtohem kurrë
Unë gjallë se gjallë, shkruaj historinë time
Me faqe të bardhë si bora në male bilurë.
Gusht, 2023, Ulqin
KOHËT E MIA
Mbi dymijë e pesëqind vjet jam lutur pranë këtyre mureve
Me duar lart kah qielli e trupin freskuar më ujë deti
Me shijet e kohës kam gatuar bukë dymijë e pesëqind vjeçare
Mbi njëzetë e pesë shekuj jam dehur me verë nga vreshtat e Shasit
Mbi njëzet e pesë shekuj kam kuvenduar me mbretëreshën Teutë
Frymëmarrja e gurëve sot më rikujton djepin ku na përkundën nënat
Rozafa na ushqeu më qumësht nga gurët kala e me sy shikoi përherë rritën tonë
Sot në duart e mia mbaj qytetin e Teutës e sytë i kam drejtuar kah Rozafa
Një gjë e di më mirë se çdokush, këtu profetët kanë folur vetëm shqip
Kohët e mia janë dëshmitare siç janë bjeshkët Cukali dhe Rumija
Ulqin, Tetor 2023
JAM DEHUR
Sot jam dehur me fjalë
po tretem diku në plisin
e bardhë të kohës.
Nesër mbase do vini lule
mbi gurët e nishanit
te koka në varrin tim.
Mos e gjuani me gurë
diellin as shiun e as qiellin
lejoni bimët të rriten.
Unë kam plasë nga hidhërimi
nuk arrita t’i bind assesi
me freski fjalët e thëna.
Unë prapë do dehem një ditë
jo nga vetmia, as nga vera as nga rakia
por na mallkimi i fjalëve që s’i dua.
Unë nuk jam kalorës i betejës së humbur
jam vetëm një ushtar i lirisë së fituar.
Ulqin, 20.10 2023
QENTË
Në lagjen time ka shumë qenë
Lehin, lehin e lehin pa ndalim
Zgërdhijnë dhëmbët në kalimtarë rasti
Qenë që lehin e nuk kafshojnë.
Në lagjen time ka edhe shumë mace
Në shkurt dhe në mars ndërzehen
E kanë harruar siç duket zakonin e vjetër
Minj në pikë mesdite na sillën nëpër këmbë.
Sytë s’po i mbyllim dot as natën
Lehje qensh, zagarësh, mjaullimë macesh
Në errësirë lukuni ujqish e çakallesh bredhin pa droje
O Zot i madh ruaji nga bishat këta troje.
Mos i lejo qentë të shikojnë në pasqyrë
Mos u beso këlyshëve që ndjekin kudrën
Nesër lukuni ujqish do bredhin të lirë
E ne do zgjohemi nga gjumi me gotë të thyer.
