SHTRËNGATË
Në koncertin e fundit të stinës
Nën harkun e hënës që ka zënë retë
Numëroj ikjen e shpendëve shtegtarë
Shikoj në pëllëmbë të dorës së majtë
Dëshirat e shndërruara në ëndrra
E me dorë të djathtë shkruaj dhimbjen
Atje diku larg përtej valëve të trazuara
Liqeni valëzohet në hapësirë e kohë
Sot nuk do lagem furtuna iku përtej
Muzgu është zhytur në zymtësi mjerane
Në zjarrin e cigares jam mbytur në tym
Stinë e luleve digjet brenda meje shkrum
Thinjat tradhëtare përqafojnë globin
Gjethet dridhen në degë trungu thahet
Brenda meje shtrëngatë e dhimbje nyjesh
MURET
Rrethuan ograjat, arat, kopshtinjet
Ndaluan dheun nga vërshimi i ujrave
Rrënjët mos të dëmtojnë trungjet.
Erë djegaguri në gusht, shkrumuan buzët
Etje në këmbanën e ogiçit bridredhur
Grigja symadhe e rrethuar në vathë.
Asnjë këngë, mallkimi ka mbytur qeshjet
Muret më kujtojnë vendin e vuajtjes
Ku jetuam me xhelatë që shkaktuan britma.
Rrethuar me gjarpinj katila nën gur
Shembëm mure me vetëdijen e fjetur
Deri te porta e drunjtë me çelësin e heshtjes
HIJE
Sa shumë urrejtje
më është grumbulluar
në krahëror
për ata
të cilët thonë
se janë gjithçka
e nësermja
u del asgjë
urrejtje kam
shumë neveri
për ata
që nuk kanë asgjë
vetëm para
unë dua
t’i shporr
me durim
në heshtje
me kohën
fitimtare
nuk jam me ata
që matën
me hijet e mëngjesit
dhe i kanë
udhërrëfyese
në jetë
hija
nuk qëndron dot
me këmbë në tokë
MALL
I kam shtruar gishtërinjtë
e dorës së djathtë
mbi gjoksin e fryrë
në sy bebëzat
ndrijnë sonte si rreze
se aty do flejnë
ku qerpiku
si hark shigjete
është drejtuar
kah ti në heshtje
me syrin tim të lagur
pres kohën në ikje
që s’guxoj ta preki
as dje as sot as nesër
mbase mallin do ta shuaj
në një kohë tjetër
me frymëzimin tim
GJYKATËSI
Sa mirë
sot e paskan shkarkuar
prokurorin
i lumi unë
nësër s’do më akuzojë më
gjykatësi nuk ka më
punë me mua
avkokat/mbrojtësi
mbeti me gisht në gojë
DITË E RE
Në pëllëmbën e majtë mbaj mëngjesin
Drekën e shtroj në sofër me miq
E darkën ua jap atyre që si dua
Me rroba solemne veshem e mbathem
Pelerinën e bardhë ua lëshova krahëve sot
Të zezën e shmanga nga dollapi im
Pagëzova ditët me emra yjesh
Me hirin e zjarrit nuk e mbulova veten
Oxhaku plak nuk ma shuan etjen
Me fund i kthej gotat me verë
Nuk i vesha këpucët e kohës që iku
Ditë e re për dashuri u kthye te unë
NË DRITËN E HËNËS
Eja sonte
Me qeshje si dikur
Të bëjmë dashuri
Si moti
Në hënën e plotë
Eja sonte
Të përvëlohemi
Në rrjedhën e kohës
Në avullin e vluar
Të moshës
Eja sonte
Me rrudhat e ballit
E flokun e zbardhur
Kujtimet t’i shpalosim
Hapësira të mos vdesë
Koha mos të përendojë
FATI JONË
Shtigjeve të jetës
E kërkuam ndër mote
E takuam
Në harkun e kohës
Në udhëkryq fillin e dritës
Diku larg shikuam
Në fëmijëri kam ëndërruar
Të bëhem një ditë
Më i bukuri i botës
Më i pasuri i saj
E sot me maskë
Mbuloj rrudhat
E me kapele thinjat
Tërë jetën
Ia zgjata dorën fatit
E ai shtegtoi diku larg
Në heshtje
Sa shumë vraponte
Se zura dot
Nuk thonë kot
Njëherë vjen
Vera kah dera.
KËRKESË
Nuk fal asgjë
Nuk jam as fajtor
As semafor
Që hapë udhën
Një varg për strofë
Një ngjyrë për pikturë
Një tingull për pentagram
Unë fali gjithmonë
Dua një furçë
Të pikturoj pëllumba
E një violinë
Të luaj me valsin e lumturisë
