Poezi

Ali Gjecbritaj

 

 

 

Brezi im

Liria kërkon njerëz të lirë
Kërkon njerëz bujarë me zemër të madhe
Sot ku t’i gjejmë këto qenie zemërbardhë
A janë gjëkundi?
Mos vallë kanë frikë nga hija e vet
e fjalët s’u dalin nga zgavra e mykur e fytit.
Demokracia kërkon kulla pa kufij
Godina me mure guri që s’tunden nga tërmetet
Shtëpi me oxhak në kulme që nxjerin tym zjarri ngrohtësie
Ku shkëndijat e shpresës prore  ngadhnjejnë
e falin dritë e madhështi.
Ne kemi lindur në kohë jonormale, por kemi jetuar normal
Nuk kemi patur pelena e pampersa
nuk kemi urinuar në shtrat
Na kanë mësuar ku e ka vendin shurra
Nuk kemi përmjerrë truallin e të parëve as vend e pa vend.
Brezi im është rritur me cicërimën e këngëve të zogjve
me ninulla na kanë vënë në gjumë në djep druri
Trupin na kanë mbështjellë me pëlhurë të bardhë
bërë në tezjehë
Na kanë shtrënguar me ndrija
E mbi kokë ka qëndruar gjysmërrethi
– harku i ylberit na i ka hapur sytë për të parë botën.
Brezi im në sofër i ka mbledhur dromcat
Bukën e kemi puthur tri herë dhe e kemi vënë në ballë
– na ka mbajtë shpirtin
Drithi i arave tona na mbajti gjallë dhe na ka burrëruar.
Brezi im e ka grahë biçikletën pa helmetë në kokë
– pa pedalime me çizme me pulla.
Në dimër xhepat i kemi mbushur me fiq të thatë
– gështenja të pjekura në prush.
Ujin e kemi pirë me kovë
e nga zorrët që ujitnim kopshtet
asnjëherë s’na kapi zverdhimi, as shkuarje stomaku.
Cigaren e kemi thithë me radhë
– tymin në hapësirë e kemi lëshuar në rrathë.
Kur doli në shitje coca-cola
– shishen e kemi ndarë me shokë.
Brezin tim s’e ka helmuar ideologjia
Brezit tim nuk i është shitur drogë para shkollës
Brezit tim asnjëherë nuk i është thënë hajdut
Brezi im nuk ka mbathur këpucë me lustër
Brezi im ka mbushur çantat me fletore
– fletoret i ka mbushur me shkrime e shënime
Brezi im ka shkruar me lapsa plumbi
Brezi im nuk ka patur lap-top
Brezi im kompjuterin e ka pasë në kokë.
Brezi im zemrën e ka mbushur me bujari
Brezi im e mban hapur guacën në kraharorin e tij.
Brezi im në Rumi ka dalë me gurë në krah
Me këngë maje krahu në ditën e bjeshkës
Gjithmonë e kemi bërë festën.
Brezi im gjithmonë stoik në rrugëtimet e jetës.
Kush nuk i njeh shtigjet
Doemos do bie një ditë në rrjetë marimangash.
Krajë, 19.11. 2016
Pendët e pëllumbit
Një degë ulliri m’u var në qafë
Një pendë pëllumbi vura në kapele
Bjeshka u përkul e livadhi u qëndis me ngjyra
Vera u ngarkua me drithëra
Hijet u bëjnë freski zanave në mrize
Qetësi gjithandej paqë e liri
Sot lotoj për degët e thyera
E pendlat e pëllumbit krahëbardhë që ranë për dhé.
Gjurmë
Barra e rëndë e largimit, jashtë flakë e tym
të kaluarën sfiduam me bardhësinë e shpirtit.
Arritëm ta ruajmë në njomësinë e reshjeve të bukurën.
Në gjoks tek zemra hajmalitë e vjetra thurur me grashatarë
kanë ruajtur gjithmonë mirësinë.
Shamia e bardhë mbështjell edhe sot flokët e saj.
Pjesën e botës mbërthen me mirësi
Janë gjurmët që s’i fshijnë dot as shirat e dendur të vjeshtës.
Plisi im
Malet i kemi kufij me plisa tё bardhё
Rumia me fesin bilur pёrshëndet Cukalin me kёsulё
Pelerina e zezё s’ka vend nё majё tё bjeshkёs
Me bardhёsi atje lart shqiponjat kanё çerdhet
Plisi i bardhё nё Rumi kurrё s’do bёhet i zi
Korabi me barinj kapuçbardhё
Luboteni, Sharri, Dajti, Tomorri…
Gjer nё Palёbardh, Luginё, Tivar, Çamёri
Reflektojnё bardhёsi.
Plisi i bardhё mendёsi e odave tona
Fjalёrrёnjё nё trojet e pajtimit
Bardhёsi nё çdo zemёr trimi
Plisi i bardhё ndёr mote shtroi sofёr
Me bukё kripё e zemёr bujare
Ngrohtёsi dhuroi nё votёr
Kristal si bora nё bjeshkё
Nё rrugёtim shtroi mirёsi, urtёsi e bujari
Burrёri nё logje, urtёsi nё kuvende
Kullat me gurё s’u shembёn kurrё
Emblemё e pёrjetshme gjithandej mbete
Nё vargonin e pakёputur tё jetёs.

Të fundit

më të lexuarat