
Salla e fakultetit ku mbanim ligjëratat kryesore gumëzhinte nga bisedat e studentëve. Dhe, pas pak, qetësia mbizotëronte në sallën që mbi derë kishte të shkruar numrin S7. Këtë qetësi në sallë e sillte me vete profesori me mjekër dhe me syze. Ecja e tij ishte e qetë, ndërsa ligjërimi i tij ishte edhe më i qetë. Në qetësinë e ligjërimit të tij përmbahej një gojëtari e theksuar mbi narracionin arkitekturor dhe konstruksionin arkitektonik. Qetësisë sikur iu mbivendoseshin fjalët dhe togfjalëshat, emrat dhe emërtimet, praktikat dhe shembujt, e sidomos teoria. Akset, shtyllat, trarët, pllakat nga betoni i armuar – ‘betonarmeja’, siç profesori e quante, meskatet, llojet e meskateve, shumëllojet e tyre, nënllojet e shumta që kishte ai konstruksion aq i veçantë, dilatimet, hollësitë, shembujt e shumtë, praktikat e shumta, jetëpërditshmëria që profesori tregonte mbi arkitekturëbërjen dhe përbërjen arkitekturore e arkitektonike të projekteve ideore e zbatuese, e bënin ligjëratën mësim të përjetshëm dhe e bënin vëmendjen e studentëve të rinj të kalonte një fazë a metafazë që gurgullonin fjalët, shprehjet, rrëfimet mbi arkitekturën. “Arkitektura ishte e para”, mund të thuhet se krijohej përshtypja pas një dëgjimi të vëmendshëm të ligjëratës së tij. Dashuria për arkitekturën fillonte të zinte rrënjë ngadalshëm, ndërsa pas rrënjosjes së saj, hovin e rritjes ndaj përkushtimit të saj e merrte më ujitshëm nga dija e tij.
Literatura arkitekturore, jo vetëm atëherë, por edhe sot është e paktë në gjuhën shqipe. Ishte moment i veçantë kur, si student arkitekture, gjeje në librari libra mbi arkitekturën. Një ndër librat e parë, që do ta thyejë këtë mangësi, i renditur krahas shumë librave të tjerë në gjuhë të huaj, është libri “Arkitektura dhe Urbanizmi Sinergjik” në gjuhën shqipe. Mburoja e qetësisë së profesorit u thye! Ecja e tij si në heshtje, tani i ngjante një vrapi mbi rrëfimin arkitekturor. Profesor Xhelal Llonçari shkruante për arkitekturën. Ishte diçka e rrallë për një student të vitit të parë, të shihje që për të mund të shkruhej, e sidomos, që për arkitekturën mund të shkruante edhe profesori i konstruksioneve dhe elementeve të tjera “të thata” e “të forta”. Arkitektura nuk ishte vetëm dëgjim nga bankat dhe akse e vija ortogonale. Arkitektura ishte frymë, ishte jetë dhe ishte përkushtim ndaj “popullit tim për sakrificat, ndër shekuj e vite, në rrugën e Lirisë”. Kjo ishte goditja e parë me të cilën profesori Xhelal Llonçari e fillon librin. Kjo ishte fjalia përkushtuese që përmes arkitekturës dhe teorisë së saj, profesori hap një kapitull të ri mbi narracionin teorik-arkitekturor në Kosovë. Një libër me kopertina të zeza, ashtu siç ekziston miti mbi veshjen e arkitektit, dhe një dritë në mes të kopertinës, si një dritë që më në fund ndriçon një ardhmëri të popullit të vuajtur, që një arkitekt mund ta bëjë të ardhmen më të ndërtuar pas shkatërrimeve të planifikuara të luftës dhe më të bukur përmes vizioneve të tij. Ishte libër që u lexua shpejt, siç thuhet me një frymë, dhe është libër që herë pas here të bën që t’i rikthehesh.
Një rikthim më ndryshe e i fuqishëm u bë pas 20 vjetëve. Shpirti i arkitektit ishte gjallë dhe jetonte në mesin e shumë teoricienëve të mëparshëm, që përmes ideve largpamëse, vizioneve shpeshherë kontradiktore, përkushtimeve të profesionit dhe misionit që profesioni mbart, gjurmëve të mëdha në lëvizjet e historisë botërore të arkitekturës përmes shkrimeve, teorive, kritikave që arkitektët kanë bërë. I tillë është edhe libri më i ri i profesorit të qetë, arkitektit Xhelal Llonçari. Si duket, natyra e pamjes së jashtme të tij është e tillë, sepse brendësia shpirtërore e tij është mjaft turravrapëse. Këtë e dëshmon libri me titullin “Genius loci i Prishtinës”, i botuar në vitin 2024, me një dizajn pak më ndryshe, pak më jo i zakonshëm dhe pak më i arkitekturshëm.
Janë shkrime të përmbledhura nën kopertina jo të zakonshme, ashtu siç edhe jozakonshëm u shkrua për arkitekturën nga ky arkitekt. A mund të dalë arkitektura jashtë margjinave të shkrimit projektues e teknik, të shkrimit teorik mbi elementet arkitektonike e dekorative, më në fund, a mund të dalë shkrimi për arkitekturën edhe jashtë ndikimeve të saj në jetën shoqërore, si njësi lëvizëse dhe kritike ndaj dukurive, disiplinave dhe zhvillimeve jetësore, politike, sociale, profesionale, kritike, metaforike, alegorike, poetike? Këto trajtime gjenden thellë në strukturimin përmbajtësor dhe shtytës të narrativës së këndvështrimit të arkitektit në librin “Genius loci i Prishtinës”.
Pse genius loci? Dhe, pse i Prishtinës? Janë disa ndjeshmëri estetike, që vetëm përmes përjetimit hapësinor dhe filozofik në arkitekturë e përmbledhin aureolën e një poetike në arkitekturë. Gaston Bachelard, në librin “Poetika e hapësirës”, thotë se “shtëpia është qoshi ynë në botë, prandaj dhe universi i parë”, pra një botë e tërë që rrjedh dhe mishërohet në konceptin ‘shtëpi’. Pa ndonjë strukturë të veçantë fizike, por më shumë një hapësirë e këndshme, e rehatshme, intime, që formëson kujtesën, ëndrrat dhe ndjesitë emocionale ndaj një vendi, ndaj thelbit të tij, ndaj shpirtërores së tij, pra ndaj ‘shpirtit të vendit’. Ndaj Prishtinës – genius locit të Prishtinës.
Prishtina është e tillë, e parregullt, e çrregullt, dinamike, lëvizëse, e zhurmshme, e pluhurosur, e kapërdisur, pa lumë. Më në fund, kjo e bën Prishtinën atë që është. Ky është shpirti i saj, i gjallë, i drejtpërdrejtë, kritik, shpërthyes, tejpërtejshpues, gjurmëlënës, me drita, me vapë, me tollovi. Vendi në të cilin jeton, vepron, punon, piqesh, digjesh, formohesh intelektualisht, diplomohesh profesionalisht, pihet kafeja më e mirë.
A është Prishtina çfarë Christian Norberg – Schulz trajton në librin “Genius Loci: Drejt një fenomenologjie të arkitekturës”, ajo, pra Prishtina, arkitektura e së cilës duhet të zbulojë dhe të forcojë karakterin unik, ndërgjegjen e pastër dhe ndërvetëdijesimin e një vendi, që njeriu, të gjejë dhe të përafrohet me genius locin e një vendi, të quajtur “shtëpi” në botë? Preokupimi i autorit arkitekt me temat e trendeve të arkitekturës dhe urbanizmit sot në Kosovë, duke e trajtuar anën psikike dhe sociale të ndërtesave të qyteteve, të cilat “ta japin përshtypjen e një konglomerati të vlerave të ndryshme, të cilat sundimi socialist i ngjyrosi me një ngjyrë të përhimët duke ua humbur shkëlqimin e së vjetrës dhe duke e topitur vlerën shprehëse të së ardhmes” (f. 16). Është një shqetësim valëvitës i zemërimit dhe njëkohësisht një shtytje e arkitektit me ide vizionare, të guximshme, të cilit nuk i dhimbset fjala që ta lëshojë fuqishëm mbi ato “trende”, “moda”, “shprehi” që po të shihen sot, në çerek të shekullit të njëzet e njëtë, ende janë të pranishme ecejaket e stileve të arkitekturës të pak para çerekut të tretë të shekullit të kaluar, atëherë fill pas Luftës së Dytë Botërore, kur mbi të gjitha, u ndërtua ndërtesa si funksion dhe konstruksion i ftohtë dhe pa ndonjë ndjeshmëri të veçantë emocionale. “T’ua kthejmë shpirtin qyteteve tona”, kjo është në të vërtetë motoja dhe thirrja e një arkitekti, që përpos shtrirjes horizontale në arkitekturëbërje, tërheqja gravitacionale dhe qendrore e tij thërret edhe në intelektualizëm.
Është tashmë e qartë se kriticizmi nuk përbën më vetëm vlerat dhe atributet e shtjellimit të teorive, por kritika, përmes shkaqeve dhe rrethanave që ndodhin, merr një konotacion herë-herë edhe qortues. Prandaj, çfarë është arkitektura për syrin dhe çfarë është ajo për ndjenjat? “Arkitektura e mirë është ajo që preket, nuhatet, dëgjohet dhe ndjehet, pra jo vetëm ajo që shihet”, me një fjalë ajo duhet të ngacmojë dhe të nxisë në reagim “të gjitha shqisat”, shprehet Juhani Pallasmaa te “Sytë e lëkurës: Arkitektura dhe shqisat”. Është një mburojë e hekurt, e çarë guximshëm nga përvoja dhe guximi intelektual që një qytetar arkitekt, në këtë rast edhe profesor arkitekture shpalos nën timbrin e zërit ngacmues dhe ligjërues, kur kritikon, kur mëshon me argumente, kur trajton thellësi të padukshme, kur arrin maja të pakapshme për të tjerët: “Askush nuk e çau kokën të mendojë se çfarë na duhet ai objekt, çka na duhet ajo shëmti, ai relikt i zhveshur moralisht dhe fizikisht i një kohe që ka perënduar. Ai kishte perënduar me të lindur…” (f. 31).
Profesor Llonçari është rrëfimtar i mirë. Me shkrime të rrjedhshme. Fjalët e tij në fjalitë e tij përmbajnë metafora të shumëfishta dhe përmbajnë vlera estetike, sepse shkrimtaria e tij bashkëdyzohet sendërtueshëm me letërsinë, me stilin, me artin e të shkruarit. Jo në pak raste në librin “Genius loci i Prishtinës” mund të gjenden emra shkrimtarësh, heronjsh, tekste këngësh, tituj librash, parafrazime latine, saqë edhe Gustav Eiffel, Anton Çetta e Karl Gega takohen, shtyhen, përplasen, rrëshqasin nën prizim urban dhe nën peizazhin e rrugëve dhe qyteteve pashmangshëm, si ‘Faraonët dhe imhoptepët’, pastaj kritika si ‘Skënderbeu e humbi betejën në Prishtinë’, mesazhi si ‘Porosia e Rozafatit!’, metafora si ‘Incesti në arkitekturë’, mesazhe historike e politike si ‘ Jo mure’, e deri te reflektimet, absurditetet, thirrjet, monoshkrimet, udhëpërshkrimet dhe pse-të e shumta, si ‘Katarza arkitektonike dhe urbanistike’, ‘Ora’, ‘Rroftë teatri!’, ‘Unë jam e kuqja’, ‘Ëndrra e një dite vere’ dhe ‘Pse heshtin qytetet tona?’.
A bën thirrje profesori i arkitekturës për një “Bon goût” në arkitekturë? Le të kuptohet se mesazhi i librit është një domosdoshmëri dhe ndjeshmëri morale që njeriu ka ndaj së bukurës së Ekos, “që nuk është një realitet objektiv, por një ndërtim kulturor”, prandaj duke pasur parasysh parimet e harmonisë, masës dhe respektin ndaj mjedisit dhe kulturës, Xhelal Llonçari, profesor i arkitekturës, e jo i kufizuar në konstruksione, jep mesazhin e qartë të qëndrimit të arkitektit: atij, i cili me ‘shijen e mirë’ (Bon goût), trajton arkitektoniken me balancim, elegancë dhe me përshtatshmëri, duke e kthyer atë në arkitekturore, në një suazë thelbësore që ‘të ndërtosh me mendje të kthjellët dhe me zemër të ndjeshme’.
I ndërtuar si i tillë, libri vjen si pararojë e të menduarit kritik mbi hapësirat tona urbane dhe mbi zhvillimet arkitekturore në vend, por vjen edhe me disa metafora dhe nxitje të reflektimit të arkitektit. Pohimi që parafjalësi filozof Astrit Salihu nxjerr nga tekstet e profesorit Xhelal, se “Të gjitha shoqëritë shkruajnë tre libra. Atë që e shkruan politika, më së paku i besueshëm, atë që e shkruan historia, deri diku i besueshëm dhe atë që e shkruan arkitektura, më i besueshmi”, mund të jetë një parafrazim i ridefinuar mbase nga kritiku i madh i artit dhe arkitekturës, John Ruskin, kur tregon jetëshkrimin e autobiografisë së kombeve në tre dorëshkrime. Derisa profesor Salihu e fillon hyrjen e librit të profesorit Llonçari, duke e përmbyllur parathënien e librit dhe duke bërë thirrje që pasthënia e tij t’i mbetet lexuesit, le të jetë kjo ajo, pra pasthënia dhe një ndër pasthëniet e shumta për këtë libër.
Pse duhet të jemi arkitektë dhe të heshtim për problemet urbane dhe arkitektonike, të cilat dashje pa dashje janë reflektim i shoqërisë, janë pasqyrim i mjedisit të mendësisë së shëndoshë apo të çmendur, janë shfaqje dhe kundërshfaqje e jetëve tona përmes veprimeve tona në qytetet tona. Prishtina është ngado. Ajo mund të ndjehet ngado. Mund ta bartësh ngado, atë mund ta gjesh kudo. Por, Prishtina jetohet vetëm në Prishtinë. Ajo ka vrullin e saj të pashterur, ajo ka shpirtin e saj krijues. Ky është “Genius loci i Prishtinës”.
