
Artisti është gjithmonë një i burgosur i frymëzimit dhe vetëm përmes poetikës së poetëve të vërtetë mund ta shohim rrugën e luftës së tyre me intimitetin e vet, që ashtu siç di ta lartësojë dhe ta çlirojë krijuesin e saj, edhe më shumë mund ta frenojë atë. Poezia është një kopje e shpirtit të poetit, mendimeve, ndjenjave, frymëzimeve, përvojave, pikëpamjeve të botës dhe të njeriut, dashurisë, jetës, madje edhe vdekjes, kuptuar si vazhdimësi metafizike e jetës. “Poezia është ajo që njeriu ëndërron, ajo që imagjinon, ajo që dëshiron dhe ajo që ndodh shpesh. Është një emër më real dhe më i dobishëm për jetën”, do të thoshte Zhak Prever. Asnjë art nuk mund të prekë shpirtin dhe zemrën e njeriut si një poezi, madje dhe një varg i vetëm i saj. Prandaj ajo krijohet dhe lexohet me kënaqësi dhe ngjall përjetime intensive të lexuesve. E themi këtë sepse të kërkosh nëpër emocione apo kujtime, është një proces i mundimshëm, ndërsa regjistrimi i asaj gjendjeje shpirtërore mund të jetë edhe shumë i dhimbshëm. Takimi me poezinë është takimi me njerëzit dhe dëshirat e tyre, me botën, me shpresat dhe dashuritë e tyre, me qiellin, atdheun, shpirtin dhe zemrën e tyre. Por takimi me poezinë është dhe takimi me një poet dhe jetën, mendimet, shpirtin, zemrën e tij.
Nuk është rastësi që këtë paraqitje për poezinë e poetit Ibrahim Berjashi e filloj kështu, me një hyrje paksa eseistike për poezinë, për poetin dhe kujtimet e tij, sepse poezia e tij tanimë është bërë një shenjë njohëse në poezinë tonë kombëtare, ndërsa emri i tij një emër i njohur në plejadën e poetëve kombëtarë të modernes letrare.
Poezia apo hapësirat poetike nëpër të cilat lëviz Ibrahim Berjashi janë një ndërthurje e imazheve shumëdimensionale dhe shumëplanëshe, si në rrafshin tematik ashtu edhe në atë stilistik e motivor që përshkojnë pa pësuar manifestime shtesë dekorimi, dhe si të tilla në vetvete janë mjaft të fuqishme për të dërguar mesazhe domethënëse me shprehje konstante që karakterizohet me bartjen e vazhdueshme të disa motiveve apo toposeve të përhershme poetike në formë konceptuale, me konstruktet poetike origjinale, duke hequr dorë nga çdo referencialitet.
Dikujt do t’i duket se këto hapësira në të cilat lëviz poeti qëndrojnë në kufirin e imagjinatës së fuqishme, dikujt si një rrëfim intim i një njeriu që thërret për sa më shumë dritë. Ndërsa realiteti, ai i vërteti, shpërbëhet në një ëndërr onirike dhe më pastaj kthehet si këndim i poetit për të vërtetën, në përpjekje për të mos e shpërndarë atë si ëndërr ngushëllimi apo si iluzion.
I udhëhequr nga frymëzimi, si kronik i jetës shpirtërore të njerëzve të ambientit të vet, Ibrahim Berjashi ndërton kullën e tij të poetikës për të rritur në katër vëllime me poezi: “Lule prej guri”, “E tej malësi e det”, “Orët e vetmisë” dhe “Gati u harruem”, në të cilat që nga fillimi e deri në fund eksploron kodet poetike të praktikës së vargëzimit modern, duke kërkuar në mënyrë selektive nuanca, ngjyra, imazhe, duke kompozuar metafora, duke luajtur me ritmikën, me shprehje të figurshme me komunikimin poetik të lirë… Shumë sinestezi kontribuojnë që imazhet lirike dhe jo vetëm, të bëhen të pëlqyeshme, të pazakonta dhe madje edhe të prekshme.
Një dozë nostalgjie përshkon poezinë e tij, sidomos ato të fillimeve, për diçka që ishte dhe më nuk është, gjegjësisht për vendlindjen shumë të dashur për të, mu ashtu si ato personazhet e tij, atëherë kur merr hov procesi i mërgimit, poeti vajton për atë që lë përgjithmonë, për të mbetur vetëm në kujtime. Si një zog kur del nga foleja dhe kthehet disa herë për të parë nëse gjithçka është në rregull për të ardhur përsëri tek ajo. Por zogu kthehet, e njeriu, fatkeqësisht, shpeshherë jo, sepse proceset fatale dhe shoqërore nuk janë gjithmonë të favorshme. Kështu Berjashi mbetet brenda po asaj dhembjeje që ai dhe njerëzit e tij të botës reale kanë në shpirt, duke kujtuar Etlevën ilire, Tanushën – nusen e ublave, zanat e krojeve, personazhe të legjendave dhe miteve – Rozafën, Doruntinën, Gjergj Elez Alinë, Ago Ymerin, Gjeto Basho Mujin etj., por edhe ata pleqtë gojëmbël që u dridhet zemra – Halilin, Islamin, Qazimin, Nurijen, gurgdhendësin Nuh Ymerin, Xha Selën, Musë Tahir Bajraktarin që bën dasmë të madhe për të marrë nuse Gjylën e Riza Topallit e të tjerë, që të gjithë njerëz të thjeshtë e të dashur të vendlindjes, mbeten pjesë të pandara të jetës së tij, në çdo vend ku poeti gjendet, duke mbjellë një pjesë të vetes aty në rrënjët e tokës së vet dhe duke u dhënë jetë, shpirt, ujë, bukë e kripë e zemër sipas zakoneve të moçme. Me mesazhe të tilla janë pothuaj të gjitha poezitë në përmbledhjet “Lule prej guri” dhe “E tej malësi e det”, përmendim: Në Vaun e Peshkut, Nata në Shestan, Kur shkoj në Arbnesh, Natja e mirë, Maja e Rumisë, Në Liqenin e Labeatëve, Këngë majekrahu, Varri i Kurtit… Dhe, të gjitha këto poezi, në kuptimin e ndjesisë së tejskajshme shpirtërore, seç e kanë një element Shirokian (të tipit “Shko dallëndyshe”, të një nostalgjie dhe idile të jashtëzakonshme, sepse dikur kishte frymë dhe jetë në vendlindjen e poetit, në Krajë: “ – Natja e mirë! / shpërthejnë urimet /si potpuri këngësh popullore / kur vjen mëngjesi në Krajë”. Ose: “E kur ia merr këngës / Mehë Beqë Nila / malet ngrihen në këmbë / Bien pushkë”. Dhe e gjithë kjo më vonë, bëhet mall i papërmbajtshëm për poetin: “Biro, na dogji malli”, varg që poeti na e thotë përmes gojës së babait, që në Krajë dhe jo vetëm prore do të mbetet si moto e kodizuar e dhembjes së shkaktuar nga plagët e mërgimit (poezia “Kur shkoj në vendlindje”), sepse tani “Dhentë i ka vrarë moti / kulla është shembur deri në themele” (poezia Fqinji im). (vijon)
(Vështrimi është lexuar në mbrëmjen autoriale me shkrimtarin Ibrahim Berjashi, mbajtur në Librarinë “Ulqini”, më 24 qershor 2022, në kuadër të edicionit të 29-të të manifestimit letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”)
