Strugë – Për nder të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Konsullata e Përgjithshme e Kosovës në Strugë organizoi manifestimin letrar dyditor (11-12 shkurt 2025) “17 vjet Pavarësi”, me pjesëmarrjen e shkrimtarëve dhe studiuesve nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Në hapje të manifestimit, në Teatrin “Poshka” në Strugë, konsulli i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Agim Krasniqi, në fjalën e rastit ka folur shkurtimisht për historikun e pavarësimit të Kosovës dhe për aktualitetin politik në Kosovë.
Ai ka thënë se 17 Shkurti është ditë historike dhe dita më e veçantë e popullit të Kosovës.
“Në këtë festë të madhe përkujtojmë rezistencën brez pas brezi dhe luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, nderojmë sakrificën sublime të dëshmorëve, nderojmë veteranë dhe invalidë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjen Jashari dhe kontributin e të gjitha gjeneratave për liri, pavarësi të Republikës”, ka theksuar Krasniqi.
Ai ka përkujtuar se “për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës kontribut të çmuar dhanë shqiptarët nga të gjitha trojet, ashtu sikur edhe nga Struga dhe qytetet tjera në Maqedoni”, dhe se Kosova është e lirë dhe e pavarur falë ndihmës së pakursyer të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Bashkimit Evropian, në veçanti të NATO-s në luftën kundër pushtuesit serb.
Krasniqi ka thënë se përgjatë këtyre 17 viteve të kaluara, në periudha dhe rrethana të ndryshme gjatë zhvillimit të saj, Kosova ka kaluar dhe është përballur me sprova të ndryshme, me suksese dhe vështirësi në procesin e shtetndërtimit të saj.
Duke iu referuar situatës aktuale, konsulli i përgjithshëm ka thënë se “aktualisht Kosova po kalon nëpër procese të përcjella me sfida të caktuara në konsolidimin e shtetit në planin e brendshëm, ashtu sikur edhe në rrafshin ndërkombëtar e sidomos në proceset integruese në strukturat euro-perëndimore”.
Në mbrëmjen poetike “Poetët për Kosovën”, nën udhëheqjen e regjisores Olsa Poshka, përpara publikut të shumtë strugan dhe dashamirësve të letërsisë, poezitë e tyre të zgjedhura i kanë lexuar poetët Agim Vinca, Sadik Bejko, Ibrahim Berisha, Entela Kasi, Puntorie Muça – Ziba, Binak Kelmendi, Sali Bashota, Salajdin Salihu, Lulzim Tafa, Hajredin Kovaçi dhe Lulzim Haziri. Krahas kësaj, janë recituar poezi të zgjedhura për Kosovën, të shkruara nga poetët e mirënjohur: Dritëro Agolli, Ali Podrimja, Ismail Kadare, Azem Shkreli, Bilal Xhaferri dhe Vorea Ujko.
Në ditën e dytë të manifestimit është mbajtur tryeza letrare “Shkrimtarët për Kosovën”, ku kumtesat e tyre i kanë paraqitur shkrimtarët dhe studiuesit e letërsisë Ibrahim Berisha, Sadik Bejko, Agim Vinca, Entela Kasi, Qazim Muja, Salajdin Salihu, Binak Kelmendi, Ismet Kallaba dhe Sali Bashota.
Në manifestim kanë marrë edhe Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Strugë, Petrit Musaj, përfaqësues të autoriteteve lokale, adhurues të letërsisë dhe kulturës etj..
i. k.
Pritje në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës
Poetët, shkrimtarët dhe studiuesit pjesëmarrës në manifestimin dyditor të organizuar me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, që është mbajtur në Strugë, janë pritur në hapësirat e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës.
Në takim me Konsullin e Përgjithshëm Agim Krasniqi është biseduar për tema të ndryshme aktuale, për preokupimet e përgjithshme të shoqërisë në tërësi me fokus në gjuhën dhe letërsinë shqipe.
Pas takimit, pjesëmarrësit qëndruan dhe u fotografuan para pllakës memoriale, ngritur nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje Strugës dhe qytetarëve të saj për pritjen, akomodimin dhe përkujdesjen për të shpërngulurit me dhunë nga lufta në Kosovë në vitin 1999.