Me moton “Dashni n’Veri”, të mërkurën (19 nëntor 2025) në Qendrën Kulturore “Kadri Kadriu” – Kroi i Vitakut në Mitrovicë është mbajtur mbrëmje letrare mbarëkombëtare me poetët Ali Gjeçbritaj dhe Hajredin Kovaçi.
Kjo mbrëmje kishte për qëllim njohjen e artdashësve mitrovicas me krijimtarinë e dy poetëve, përfaqësues të letërsisë shqipe në Malin e Zi.
Në emër të organizatorit, të pranishmëve u ka dëshiruar mirëseardhje Imbarë Kadriu, djali i Kadri Kadriut, emrin e të cilit mban kjo qendër kulturore, një ndër emrat më të njohur të artit pamor në Mitrovicë dhe Kosovë, i cili u vra mizorisht nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999.
Një paraqitje të dy poetëve e ka bërë Ismet Kallaba, kryetar i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club, anëtarë të së cilës janë poetët Gjeçbritaj dhe Kovaçi dhe me logon e së cilës i kanë botuar shumicën e librave të tyre.
Ai ka thënë se derisa Hajredin Kovaçi i ka qëndruar besnik poezisë, Ali Gjeçbritaj nuk është vetëm poet – ai është edhe publicist, ka shkruar një monografi për arsimin në Krajë etj.
Duke folur për krijimtarinë e tyre letrare, Kallaba ka thënë se “poezia e tyre është revoltë ndaj gjendjes ekzistuese dhe deformimeve të ndryshme shoqërore (të shoqërisë lokale dhe asaj shqiptare) në përgjithësi”.
Më tej, Kallaba ka thënë se për të dy krijuesit mund të thuhet se jeta ka ndikuar dhe ka lënë gjurmë në krijimtarinë e tyre.
“Ali Gjeçbritaj është poet i vendlindjes së tij – Krajës. Malli për Krajën shndërrohet në një lajtmotiv të përhershëm të krijimtarisë së tij. Hajredin Kovaçi është i dënuar politik dhe kjo ndoshta ka qenë përcaktuese jo vetëm për jetën e tij, por edhe për krijimtarinë e tij letrare”, ka vlerësuar ai.
Një analizë letrare të krijimtarisë së dy poetëve e ka bërë poeti nga Peja, Agim Desku, duke u përpjekur që të nxjerrë në pah temat kryesore, stilin, rolin kulturor dhe pikat e përbashkëta dhe dallimet mes tyre.
Duke folur për pikat e përbashkëta të dy poetëve, Desku ka thënë se “ata janë të angazhuar poetikisht me identitetin lokal: natyra, historia, vendlindja janë temat kyçe. Të dy përdorin poezinë si mjet reflektimi (jo vetëm si mjet estetik), por me synim edukativ dhe kulturor – jo thjesht për bukuri, por për mesazh”.
Ndërsa sa i përket dallimeve, ai ka thënë se stili i Gjeçbritajt “është më liriko-meditativ, natyror dhe figurativ; Kovaçi është më rebelues, kritik, shpeshherë ironik dhe reflektiv me dimension social”.
Lidhur me tematikat e krijimtarisë së tyre poetike, Desku ka vlerësuar se “Gjeçbritaj përqendrohet më tepër te peizazhi, historia, identiteti lokal si përkushtim; Kovaçi më tepër te kritika shoqërore, dhembja e largësisë, dhe vdekja e fjalës si simbol i krizës së komunikimit”.
Në fjalët e tyre, poetët Ali Gjeçbritaj dhe Hajredin Kovaçi janë përqendruar në lidhjet e tyre me Kosovën.
Poeti Ali Gjeçbritaj ka shprehur falënderime për Kosovën, duke thënë se ajo na ka dhënë (shqiptarëve në trojet shqiptare në Malin e Zi) dritën e syve.
“Sikur të mos ishte Kosova dhe shkolla shqipe që na edukoi, na mësoi, na emancipoi, ne nuk do të ishim këta që jemi sot”, ka thënë ai.
Hajredin Kovaçi ka thënë se poeti është ai që shkruan poezi, dhe poezia kalon te lexuesi, i cili është vlerësuesi më i mirë për të.
Ai ka folur edhe për konfiskimin e librave me rastin e arrestimit të tij në vitin 1982, për shkak të pjesëmarrjes në demonstratat studentore në Prishtinë, në vitin 1981.
Të dy poetët kanë lexuar pjesë nga krijimtaria e tyre, kryesisht vargje që i kushtohen Kosovës apo që lidhen me të, të cilat u mirëpritën nga publiku i pranishëm.
Vargje kanë lexuar edhe ish-gazetari i gazetës “Rilindja” dhe poeti Çerkin Ibishi, si dhe Imbarë Kadriu një poezi të babait të tij Kadri Kadriut.
Kryetari i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, Saubih Mehmeti, i cili e ka mbështetur organizimin e kësaj mbrëmjeje, ka ndarë me të pranishmit pjesë nga përvoja e tij në Mitrovicë, për të cilën ka thënë se është shtëpia e tij e dytë.
Ai ka treguar se ka ardhur në Mitrovicë si student në moshën 18-vjeçare dhe se aty është kalitur dhe ka mësuar ato që nuk i kishte në vendlindje.
“Dhe zemërgjerësia e familjeve, e kolegëve në Mitrovicë, mua sot më kanë bërë si ai shkëmbi i pathyer, si graniti, që gjithmonë zemra dhe mendja më rreh në Kosovë, por në veçanti në Mitrovicë”, ka thënë Mehmeti.
Në fund të takimit, të dy autorët kanë ndarë falas kopje të librave të tyre për të pranishmit.
Mbrëmja është konsideruar nga të pranishmit si një takim letrar, i cili i tejkalon kufijtë e një aktiviteti apo veprimtarie kulturore, sepse i shërben njohjes më të mirë me njëri-tjetrin dhe komunikimit letrar dhe kulturor ndërshqiptar.
i. k.
