Pjesëmarrja e shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes

Ditë më parë, Shërbimi i Kuvendit të Komunës së Ulqinit iu ka dërguar organizatave të shoqërisë civile kërkesë për të paraqitur propozimet e tyre për Programin e Punës së Parlamentit Lokal për vitin 2017. Në bazë të kësaj kërkese, Grupi OJQ-ve lokale i dorëzoi këtij shërbimi një listë propozimesh, të cilat janë drejtpërdrejtë të lidhura me pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe të qytetarëve në procesin e vendimmarrjes në vetëqeverisjen lokale.
Këto janë kërkesat e OJQ-ve për Programin e Punës së Kuvendit, për vitin 2017:

• Të formohet KËSHILLI PËR ZHVILLIMIN DHE MBROJTJEN E VETËQEVERISJES LOKALE;
• Të miratohet Vendimi për Pjesëmarrjen e Qytetarëve në Kryerjen e Punëve Publike;
• Të formohet Këshilli për Bashkëpunimin e Vetëqeverisjes Lokale me OJQ-të;
• Të miratohet Plani Lokal për Parandalimin e Sëmundjeve të Varësisë;
• Të sigurohet monitorimi i rregullt dhe vlerësimi i projekteve të financuara nga Buxheti i Komunës së Ulqinit, duke miratuar një Plan Monitorues të veçantë, me detyra te qarta për anëtarët e Komisionit;
• Të publikohen në web-sajtin e Komunës emrat e anëtarëve të organeve drejtuese dhe këshillave drejtuese të ndërmarrjeve publike, themeluese e të cilave është Komuna e Ulqinit;
• Në web-sajtin e Komunës të publikohen rregullisht të gjitha aktet që miraton Parlamenti Lokal;
• Në web-sajtin e Komunës, krahas lajmërimit për mbledhjet e Kuvendit dhe rendit të ditës që është planifikuar, të publikohen edhe materialet e mbledhjeve dhe procesverbalet nga mbledhjet e mbajtura;
• Të organizohet të paktën një takim pune (brenda vitit) i Kryetarit të Kuvendit, kryetarëve të klubeve të këshilltarëve me përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit të mëtejshëm, në përputhje me nenin 179 të Statutit të Komunës së Ulqinit.
Lidhur me kërkesat e parashtruara dhe me qëllim të krijimit të politikave publike lokale sa më efektive e të promovimit të parimeve të Strategjisë së Reformës së Administratës Publike, të miratuar nga Qeveria e Malit të Zi vitin e kaluar, OJQ-të lokale i ofrojnë strukturave të Kuvendit angazhimin dhe ekspertizën e tyre.
Në ndërkohë, të hënën u mbajt mbledhja e Kolegjiumit të Kuvendit dhe asnjë nga kërkesat e OJQ-ve nuk është paraparë në rendin e ditës të mbledhjes së parë të rregullt të Parlamentit Lokal, e cila do të mbahet me 1 mars te këtij viti.

Të fundit

më të lexuarat