Pjesëmarrës,35 poetë ngatrevat shqiptare

Në këtë veprimtari morën pjesë poetë, shkrimtarë dhe dashamirë të letërsisë nga të gjitha trevat shqiptare. Sipas organizatorit, poezitë e tyre në këtë konkurs i kanë dërguar 81 poetë, prej të cilëve komisioni organizator ka përzgjedhur që në finale të marrin pjesë 35 poetë, në mesin e të cilëve edhe dy poetë shqiptarë nga Mali i Zi – Ali Gjeçbritaj dhe Sidorela Berishaj

Në mjediset e Pallatit të Kulturës në Lezhë, të mërkurën e kaluar (22 tetor 2025) u mbajt edicioni XIV i Takimit Poetik Kombëtar “Ora e Muzës – Lissus”, i organizuar nga Klubi Letrar “Ndoc Gjetja”, në kuadër të “Tetorit fishtjan”.
Në këtë veprimtari morën pjesë poetë, shkrimtarë dhe dashamirë të letërsisë nga të gjitha trevat shqiptare.
Sipas organizatorit, poezitë e tyre në këtë konkurs i kanë dërguar 81 poetë, prej të cilëve komisioni organizator ka përzgjedhur që në finale të marrin pjesë 35 poetë, në mesin e të cilëve edhe dy poetë shqiptarë nga Mali i Zi – Ali Gjeçbritaj dhe Sidorela Berishaj.
Juria e përbërë nga kryetarja Donika Dabishevci – poete, studiuese dhe botuese nga Kosova, si dhe poetët Azem Baliaj dhe Albi Lushi, kanë vlerësuar me Çmimet “Fishta për Poezi” poezitë e Marash Mirashit, Alketa Gashit – Fazliut dhe Bona Mulajt – Llukës.
Me Çmimet e Muzës Poetike, dhënë në bashkëpunim me Entin Botues “Gjergj Fishta”, janë nderuar poetët Barie Çupi, Mimoza Rexhvelaj dhe Fjolla Agusholli.
Klubi Letrar “Ndoc Gjetja” ndau gjithashtu Certifikata mirënjohjeje për poetët Adem Xheladini nga Kërçova dhe Ali Gjeçbritaj nga Kraja, me motivacionin “në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar në pasurimin e letërsisë shqipe dhe përkushtimin e tij në ruajtjen e gjuhës, kulturës e identitetit shqiptar përmes krijimtarisë poetike dhe veprimtarisë kulturore”.
Në fjalën e hapjes në emër të organizatorit, ish-kryetari i Klubit Letrar “Ndoc Gjetja”, poeti Viktor Gjikolaj ka treguar se si ka lindur ky takim letrar.
“Klubi Letrar ‘Ndoc Gjetja’ e sajoi, e formuloi, e sendërtoi këtë veprimtari poetike kombëtare në respekt të veprës së Gjergj Fishtës, poetit tonë kombëtar”, ka thënë ai, duke shtuar se këto takime kanë në themelin e tyre, ashtu si të gjitha klubet letrare duhen ta kenë, ndërveprimin letrar, pra që “njerëzit të takohen, të shkëmbejnë libra, por të shkëmbejnë edhe mendime, jo vetëm nga tribuna, por edhe kur pijnë një kafe”.
Programi i këtij takimi ishte i ndërthurur edhe me deklamim të vargjeve të poetit kombëtar Gjergj Fishta nga aktori Halil Tetaj nga Deçani, si dhe me muzikë, ku në skenë janë paraqitur artisti Mirgen Huba dhe talentet e reja – këngëtarja Ambra Marku dhe violinistja Melisa Figuri.
Ky aktivitet është pjesë e kalendarit të Muajit Fishtjan, një periudhë që i kushtohet reflektimit mbi trashëgiminë kulturore, gjuhën dhe mendimin fishtjan – përmes leximeve, takimeve dhe dialogut me krijuesit bashkëkohorë.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat