Jaho Kollari
Hajro Ulqinaku në këtë libër mbi harapët e Ulqinit, si edhe herëve të tjera (sidomos kur i ka zënë në gojë kapedanët/detarët ulqinakë), përqendrohet në një figurë markante të komunitetit zezak, atë të Rizo Harapit. Sigurisht se autorit i jepej e drejta ta bëjë këtë përzgjedhje, meqë ai Rizo Harapin e nxori nga faktografia e historisë së gjatë të Ulqinit (një histori e dëshmuar me fjalë e pamje nga më të ndryshmet) duke nxjerrë në pah atë që harapët e Ulqinit janë mbase pjesa më e shndritshme e të kaluarës së tij.
Ulqini me një përvojë jetese mijëvjeçare, duke pasur detin si dritare të hapur në botë, shekuj me radhë arriti t´u ofrojë prehje një komuniteti të rrallë dhe ekzotik, atij të harapëve (zezakëve), duke u bërë me këtë i rrallë mes sivëllezërve të rajonit. E gjithë kjo nuk i ndodh çdo mjedisi urban, për këtë duhej pasur gjymtyrë materiale dhe kulturore, apo duhej pasur substancë që niveli i rrojtjes të ngrihej në atë shkallë të lartë etiko-morale që nënvizon shmangie të paragjykimeve sikundër tolerancë, gjë që edhe sot (edhe në shoqëritë e standardit të lartë) vë pyka që bëjnë përçarje dhe ndasi midis botëve me pamje të ndryshme të ngjyrës së lëkurës. Shpirti i hapur ulqinak bëri që në këtë nënqiell të zhvillohet një veçanti jetese që nuk ka shoqe në botën shqiptare, e cila dëshmohej me atë që asnjë administrator (as ky i fundit) nuk arriti ta shuajë atë gjen hyjnor, gjen të rrallë përshtatshmërie për të mbijetuar, duke u ruajtur kambiumi nga i cili bulojnë po ata filiza që mbajnë në jetë spiritualitetin e tij.
Me këtë vëllim autori vë theks se ndryshe nuk do të thotë varfërim por, përkundrazi, fisnikërim i jetës së një mjedisi. Pikërisht kjo kulturë e re, që dikur detarët me ardhjen e harapëve e sollën në Ulqin, begatoi edhe ofertën turistike veçmas pas Luftës së II Botërore çfarë dëshmohej në fotot e ndryshme ku shihen turistet e bardha me zezakët e pashëm ulqinakë. Derisa dikur detarët, pra, sillnin kulturën e huaj këtu, tani atë gjë bëjnë turistët nga mbarë bota.
Në shumë vëllime mbi harapët e Ulqinin bëhej fjalë mbi jetën e tyre në vendin e ri e jo se çfarë i parapriu ardhjes së tyre këtu. Rrëmbimi, zënia rob sikundër blerja e tyre në tregun e robërve janë dëshmitë më të kapshme. Mirëpo, sa human ishte i gjithë ky fillim dhe a mund t´i japë legjitimitet moral shkëputjes (mbase me dhunë) të një fëmije nga gjiri familjar dhe zëvendësim i gjithë kësaj me një jetë më të mirë në mjedisin e ri?! Mbase po, pasi që në të shumtën e rasteve ajo (jeta) ishte më e mirë sesa në vendlindjen e parë, gjë që dëshmohej me atë që brez pas brezi Ulqini pranohej si vendi i tyre çfarë tregon qartë se ata ndiheshin mirë këtu, përkatësisht, trajtimi nga ulqinakët denbabaden duhet të kishte qenë tejet human.
Arritja e tyre në masë të vogël si dhe shtimi i ngadalshëm natyror rezultoi integrim të mirë të tyre duke u formuar kështu një komunitet që ofron mundësinë që të mos ndihen të vetmuar dhe të humbur mes të bardhëve vendas.
Jeta e harapëve të Ulqinit, pra, kurrë nuk ishte e lidhur me segregim dhe formim të ghetto-s, çfarë qe një arritje e rrallë që është për t´u përshëndetur.
Mirëpo mortaja e bardhë dhe ngarendja pas një jete më të mirë (sidomos në tranzicion që zgjat sot e gjithë ditën) qenë arsyet përse në Ulqin komuniteti zezak u pakësua, në mos u zhduk fare.
Autori paraqet një fotografi të afro-ulqinakes së fundit që kohë më parë ndërroi jetë, sikur edhe vetë kryeprotagonistin, Rizo Harapi, që nga mosha fëmijërore, duke punuar në hyrje të një hoteli luksoz në Raguzë, e deri tek pleqëria e thellë e tij.
Nëse mund të tërhiqej një paralele mes barkatarisë së Ulqinit dhe harapëve ulqinakë; zhdukja e të parës u bë me fundosjen e Gloria-s, ndërkaq që shuarja e komunitetit zezak pasoi pas vajtjes në amshim të legjendarit Rizo Harapi.
Si përfundim, kush ishin harapët e parë të Ulqinit dhe si erdhën (kush i solli) ata këtu? Çfarë i detyroi të qëndrojnë këtu, mënyra më e mirë e jetesës, apo…? Këto pyetje kanë një përgjigje relativisht të saktë, por ka edhe nga ato pyetje ku mund të hamendësohej! Sidoqoftë, harapët e Ulqinin qëndrimin e gjatë këtu (me brezni) nuk e bënë nga dhuna, por ata qenë të pranuar nga vendasit si qytetarë të barabartë, duke ua mundësuar të kenë anijet e veta, si edhe prona të tjera. Kjo tregon se komuniteti zezak shpirtin ulqinak e begatoi ende më tepër.
Ky libër i Ulqinakut, si fotoalbum pamjesh nga jeta e qytetarëve ekzotikë të Ulqinit, e ngre temën e të kaluarës së begatë të këtij qyteti në një shkallë mjaft të lartë (meqë një fotografi rrëfen më shumë se një mori fjalësh), çfarë librin e fut në një raft të veçantë prej nga me lehtësi mund të nxirret duke shfletuar të kaluarën e këtij qyteti, njërën nga më të shndritshmet të historisë së tij.
