Piktorja sjell në Ulqin aromën e luleve të Shkodrës

“Motivet e mia, siç e shikoni, janë lulet. Kam sjellë pak aromë Shkodre në Ulqin. Janë lulet e oborreve shkodrane, janë enë balte, enë tradicionale, qelqi, me atë transparencën, tejdukshmërinë, të cilën e kam përcjellur në piktura”, është shprehur piktorja në hapje të ekspozitës

Ulqin – Piktorja nga Shkodra, Greta Tahiraga, ka hapur të shtunën mbrëma në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin ekspozitën personale, të titulluar “Retinencë”, në të cilën ajo prezantohet me 25 punime që i përkasin zhanrit të natyrës së qetë.
Ekspozita është e përbërë nga tri pjesë, ku mbizotërojnë lulet, qelqet dhe enët tradicionale.
“Motivet e mia, siç e shikoni, janë lulet. Kam sjellë pak aromë Shkodre në Ulqin. Janë lulet e oborreve shkodrane, janë enë balte, enë tradicionale, qelqi, me atë transparencën, tejdukshmërinë, të cilën e kam përcjellur në piktura”, është shprehur piktorja Tahiraga në hapje të ekspozitës.
Ajo ka treguar se frymëzimin për të pikturuar e gjen te subjektet e heshtura.
“Zhanri i natyrës së qetë faktikisht simbolizon subjekte të heshtura. Për hir të estetikës dhe vlerës së tyre që kanë, më kanë dhënë atë impulsin krijues të shpalosi aftësitë e mia”, ka thënë piktorja.
Për piktoren Vahida Nimanbegu, stili krijues i Tahiragës është në harmoni me natyrën e saj të ngrohtë, gjë që vërehet në pikturat e saj realiste.
“Janë vërtet piktura të punuara me emocione. Edhe pse janë tema realiste, ato kanë ngrohtësinë në secilën pikturë. Kështu është edhe Greta”, ka thënë ajo.
Drejtori i Qendrës së Kulturës – Ulqin, Musa Hoxhiq, e ka vlerësuar ekspozitën e piktores Greta Tahiraga të veçantë, me të cilën ajo e ka zbukuruar mjedisin e galerisë së kësaj qendre.
Ai ka treguar se ekspozita do të jetë e hapur deri më 28 janar 2022.
Ndonëse nuk ka studiuar për pikturë, piktorja Greta Tahiraga me punimet e saj dëshmon se në art, ashtu si dhe në shumë fusha të tjera, pasioni është shumë i rëndësishëm për të krijuar dhe arritur sukses. Kudo që shkon me pikturat e saj, ajo bart me vete një copëz të së përditshmes shkodrane, madje pjesën më të bukur, për ç’gjë Shkodra është e njohur.

i. k.

Të fundit

më të lexuarat