Tuz – Në Qendrën Kulturore-Informative “Malësia”, të mërkurën më 17 gusht 2022, u hap ekspozita individuale e piktorit të ri, por shumë të talentuar nga Malësia, Kolë Bojaj, përdryshe djali i të ndjerit Tomë Bojaj, themeluesit të Televizionit Boin.
Në prani të një numri shumë të madh të publikut, të përfaqësuesve të Komunës së Tuzit, të ministrave në Qeverinë e Malit të Zi dhe të personaliteteve të fushave të ndryshme jetësore, moderatoret e këtij evenimenti kulturor shpalosën një jetëshkrim të piktorit në fjalë, i cili krijimtarinë e tij artistike e ka formuar në kohë, vende dhe teknika të ndryshme. Ai talentin për pikturë e trashëgoi nga babai i tij, Tomë Bojaj.
Për talentin e piktorit të ri Kolë Bojaj, foli profesor Andi Hila, si njohës shumë i mirë i veprimtarisë artistike të piktorit të ri nga Malësia.
Z. Hila e konsideroi piktorin e ri Bojaj si një personazh të jashtëzakonshëm i cili ka arritur që të ndryshojë komplet tematikën dhe zhvillimet.
“Kola personifikon një shpirt të butë, të brishtë, të dashur dhe shumë të pastër, dhe një artist nuk mund të mbijetojë gjatë, pa një shpirt të tillë. Kjo ekspozitë pasqyron pikërisht shpirtin e Kolës. Kola mundohet dhe punon me shumë dashuri për çdo detaj, dhe Ju vëzhgoni me vëmendje detajet, delikatesën e ngjyrave që burojnë nga delikatesa e shpirtit të Tij”, theksoi profesori Andi Hila.
Ndërkaq, këtë ekspozitë e shpalli të hapur kryetari i Komunës së Tuzit, z. Nik Gjeloshaj.
Z. Gjeloshaj tha se me këtë eksopozitë, Bojaj na tregon se vullneti dhe shpresa janë gjithmonë më të forta se vështirësitë që ne kalojmë çdo ditë.
Autori i kësaj ekspozite indivuduale Kolë Bojaj, ka përshëndetur dhe falënderuar të gjithë të pranishmit, e në veçanti profesorin e tij, Andi Hila.
Organizimi i ekspozitës në fjalë është mbështetur nga Komuna e Tuzit.
t. u.
