Ma kallxa nji peshkaxhi qi isht ba zenjin! (Ulqinake)

Pas Luftës së Dytë Botërore, ulqinakët kanë peshkuar me flluga me rrema, me rrjeta dhe tratka. Nuk ka pasur, motorë. Janë dashur muskujt e fortë.
Nga bashkëbiseduesit, informohemi se cilët ishin peshkatarët e moçëm.
Që reporteri juaj të mësojë historinë e familjes së peshkatarëve Dema, i është dashur të ngjitet 136 shkallëve përpjetë në Meteriz, për ta takuar Bahriun, informatorin.
Ai tregon:
- Kur ka dalë Alushi këndej, prima herë, ka nisë me u marrë me peshk e not – s`ka ditë. Ka gjuejtë peshk me të birin Hamdiun dhe shokët e moçëm: Emro Abazin, Dulo Muharremin, Sheqer Dermon, Cafo Ishmakun, Shyqon e Beqir Osmanit, Dulo Bazin, Dulo Bushatin… Grupi i tij ka qenë prej 9 vetësh. Aq ka qenë një grup në një fllugë.
Cafo Ishmaku:
Peshkatarët më të moçëm kanë qenë: Dulo Bazi, Cafë Zyberi, Emro Abazi, Dulo Muharremi, Halil Quku, Shyqo Usatabeqiri, Muharrem Ishmaku, Alush e Hamdi Dema…
Hava Leskovci:
Peshkaxhitë e moçëm. Qiroja ka qenë në grupin e peshkaxhive: Ili Rashoja, Kasymi i Bet Kashoxhës, Hamdi Dema, Muharrem Ishmi, Sheqer Dermoja, Cafo Ishmaku, Riza Harapi – Shurdha, Cafi, vëllai, Qiro Zyberi. Fadil Mavriqi ka qenë udhëheqës i Kooperativës së Peshkimit…
Jusho Nimanbegu:
Është njëri ndër peshkaxhitë legjendarë të Ulqinit, të asaj kohe kur është lundruar me fllugë me rrema, pa motor, kur është peshkuar me tratka, kur është zënë peshk me shumicë, në Zall e në Grykë të Bunës. Kallëzon se ka punuar 4-5 vjet në “Ndërmarrjen e peshkimit” të Ulqinit. Ka qenë në grup me Cafo Selën, Emro Abazin, Halil Qukun, Alush Demën etj.
Grupet e peshkatarëve në një fllugë kanë qenë nga 12 vetë. Kanë qenë dy shkujka, njëri ka qenë kapidani i grupit. - Gjonja ma e madhe – thotë – ka qenë në tetor. Kemi zënë nga një muaj, kur ka dalë qefulli prej Bune në Zall, mbasi e ka lëshuar putargën në Liqe të Shasit e në Bunë. Atëherë Buna ka qenë e pastër. Tash është e zënë, e ndytë. Peshk s’ka, se e mbytën me dinamita. Përpara, me pasë qitë dinamit, atë që e zënin, i hante 10 vjet burg.
Shkujka shikonte masat e peshkut. Ai ka pa mirë, larg. E ka dalluar peshkun kur ka lëvizur. Kur e ka hetuar peshkun, që t’i bëjë me dije shokët në largësi, shkujka e ka hedhur fesin në hava ose pallton. Ashtu u ka dhanë isharet (u ka sinjalizuar) të vijnë me fllugë dhe të nisë rrethimi i peshkut me tratkën e gjatë. Është zënë shumë. Gushtaku ka pasë edhe dy-tri qile dhe, kur është rrethuar, qefulli ka kërcyer mbi det, që të dalë prej rrjete. Është dashur të ruheshe të mos bjerë, se kur t’binte befas, në shpinë, ta kërcite mirë, që të dhembte trupi.
Adem Dema::
Burgu në Shqipëri – 1948. Një ngjarje, të cilën kurrë s’e harron Adem Dema me nëntë shokët e tjerë të grupit të peshkimit, është arrestimi dhe burgosja në Shqipëri.
Ademi tregon: – Nuk jam i sigurt a ka qenë më 18 ose më 19 gusht të vitit 1948. (I njohur si viti i Informbyrosë, famëkeqe). Kemi dalë në gjonjë. Në fllugë kemi qenë dhjetë vetë: Ilija Dragoviqi, udhëheqësi, Musa Kahari, Rashid Sylejmani, Dulo Muharremi, Cafo Zyberi, Velko Batriçeviqi, Muhamet – “Harapi” Nimanbegu, Nuho – Harapi – Shurdha, Avdo Shabani dhe unë, Adem Dema. Na kanë zënë në Franc-Jozef.
Adem Dema, pas një gjysmë shekulli, rezonon me urti: – Gabimi jonë ka qenë pse kemi shkue me xanë peshk në territorin e huej. Ajo ka qenë – me vjedhë peshk, për m’i pasë rrogat ma të mëdha. S’ ishtë dashtë me e ndigjue Ilinë, se ka qenë kohë e keqe.
Ruzhdi Alibegu:
Peshkatarët e moçëm kanë qenë: Alush Dema, i biri Hamdiu, Sylë Bushati, Dulo Bushati, Dulo Muharremi, Qiro Zyberi (Asllan), Cafo Zyberi (të dy vëllezër binjakë), Jonuz Zyberi (vëllai i Cafit dhe Qiros), të bijtë e Dulit; Cafo Sela – Ishmaku, Shyqo Ustabeqiri, Fiko Ustabeqiri, Muharrem Ishmi, Adem Dema, Emro Abazi; familja Kahari: Musa, Mano; Muhamet Nimanbegu (njëri ndër rremtarët më të fuqishëm); Avdo Nimanbegu, Fahri (Jusho) Nimanbegu; vëllai i tij – Hilmija.
Të rinjtë: Hashim Dervishi, Bahri Dema, Zyto Dema, Ismet Vogliqi, Cufo Lanica, Himo Vogliqi etj.
Çdo fllugë (grup peshkatarësh) e ka pasur kapidanin e vet dhe (vetëm) ai ka dhanë urdhër; ai është quajtur kapidan. Kapidana kanë qenë: Hamdi Dema, Alush Dema, Emro Abazi, Sylë (Sylejman) Bushati, të gjithë peshkatarët më me përvojë.
Ata nuk kanë pasur dallim në paj (paji).
Xhemal Fici tregon: - Dy vëllezërit Himçja i kanë pasë dy barka: “Peshikan” dhe “Sveti Nikolla”. I kanë blerë në Korçulla. “Sveti Nikollës” ia kanë sjellë emrin “Mendra”. Ka qenë barkë 25-tonëshe. Ka pasë një direk. Ka ecur me motorë. Flluga ka qenë flluga e parë në Ulqin, më e mira.
Lemo Fici: – Kemi pasur tratka qefulli, kemi gjuajtur vjeshtës, në Zall. Kemi pasur tratkë Portomilene, është dashtë të jetë me ërrmuq – thes të madh, të gjatë, 100 metrash. Kemi pas tratkë për hame. Rrjeta i ka pasur sytë më të mëdhenj. Tratkat, rrjetat i kemi blerë nëpër Dalmaci, por i kanë qepë edhe vet axha e baba. Kanë qenë mjeshtër për thurje dhe arnim të rrjetave. Ka qenë një mjeshtri e veçantë e peshkatarisë. - Kur ka hy partizani, na i kanë marrë barkat e tratkat. Barkën dyvagonash, është thirrë “Sveti Nikolla” edhe tratkat, na i kanë marrë dhe i janë dhënë Kooperativës së Peshkimit, që të gjuajnë peshk peshkaxhitë. Kur na i kanë kthyer, tratkat kanë qenë tiftik, s`janë përdorur më.
Hajro Nimanbegu:
Ulqinakët e kanë traditën e moçme, mjete arkaike të peshkimit, mënyrat e veta të veçanta të peshkimit. Kanë zënë peshk me plumçe, fushnje, rrjeta, me tratka, me kalimere, pinarë, karruba… Ulqinakët i kanë ditur mirë vendet ku flen peshku. E kanë njohur mirë motin dhe e kanë ditur kohën e peshkimit. Ulqinakët s’kanë thënë me xanë peshk, por me marrë peshk, sepse peshk ka pasur aq shumë, saqë peshkatari ka marrë peshk aq sa ka dashur…
Ulqini ende s’ka vend ku detari të lidhë sandallin. Si nis shirogu, punenta, duhet të ikin në Bunë. Buna ka qenë e papërshtatshme për strehim. Liqeni i Zogajve (Port Milena) është e vonshme. Përpara e kanë thënë gjol – laguna. Në të tash përzihet uji i detit me ujin e ëmbël të kanalit, ka lidhje të dyanshme. Dikur ka qenë rezervat i peshkut, sot është i ndotur.
Kështu ishte nja 30 vjet pas lufte.
Tash nuk ka më tratka, flluga me rrema; nuk ka më peshk si dikur: gushtak, korba, ame, hame, lojba.
Uji i Bunës nuk pihet më.
Peshku i Golit, Liqenit të Zogajve, më nuk hahet…
Nuk ka më as mole të peshkaxhive.
Edhe Mendreqi është mbyllur me rërë, s’hyjnë as sandallat.
S’është më as Jallia, ku peshkaxhitë ternin tratkat.
Nuk janë më as peshkatarët e moçëm, ata i mori perëndia e detit, Rodoni.
Kanë mbetur ndonjë kujtim dhe do fotografi…
Hajro Ulqinaku

