Dr. Gëzim Puka
“Motet” është vëllimi poetik i poetit krajan Ali Gjeçbritaj, që tejçon anekënd te lexuesit shqipfolës frymëzimin, ndjenjën, mendimin, meditimin e një udhëtari të palodhur nëpër labirintet e figurshmërisë dhe imazheve lirike.
“Motet” është dëshmi e një përpjekjeje të gjatë ndër dekada për të hedhur ura në kufijtë gjeografikë, si dhe për të mbijetuar kulturalisht përmes artit të fjalës. Mishërimi dhe rigjallërimi shpirtëror i unit lirik, po ashtu intimiteti që ia beson lexuesit, nuk ka se si të mos shpërblehet me një pranim të hareshëm të këtij zëri origjinal në skenën shqiptare të poezisë. Për lexuesit e apasionuar nuk është rastësi që autorë të tillë, në dukje në periferi të sistemit tonë letrar, të trokasin me aq ndjenjë dhe emocion në zemrat e tyre.
Ali Gjeçbritaj është poeti që ka thithur me ëndje nektarin e Naimit, Poradecit, Migjenit, si dhe ka shijuar ëmbëlsinë e vargut popullor. Të lexosh dhe të ndërmendësh vargjet e tij, nuk ka se si të mos ndërgjegjësohesh për përtypjen dhe kënaqësinë e skajshme, që i sjellin poetit jehet e poezisë shqipe.
Kjo është një përmbledhje e poezive të shkruara në mote dhe stinë të ndryshme. Janë vargje të një rrugëtimi ekzistencial, ku ngjarje të mëdha dhe të vogla gërshetohen me gëzimet, dashuritë, kujtimet, dështimet. Këtu është edhe ëndrra për të zbuluar një identitet të veçantë brenda hapësirës së paanë të intimitetit njerëzor, që nga e para dhe deri te më e fundit frymëmarrje. Lirikat janë të renditura në cikle që mbajnë tituj, duke na njoftuar për idenë e pasur të temave, që poeti ka zgjedhur të trajtojë, si: Nata me hënë, Botë mashtrimi, Heshtja që flet, Gurët e truallit tim.
Poezia e Ali Gjeçbritajt shpall thyerjen e shoqërisë ndër vite, ajo përvijon shpërthimet vetjake dhe kolektive, trajton vetminë dhe mallin, përkuljet e shpirtit nga plagët e kohëve tona. Ndaj nuk ka se si të mungojë në të kujtimi për të parët, thirrja që vjen nga kujtesa e trashëguar. Tematikisht autori lundron me një energji lasgushiane në njëmendësinë shqiptare, duke pasqyruar me mall dhe brengë vendlindjen dhe krenarinë për prejardhjen:
“Motet” është dëshmi e një përpjekjeje të gjatë ndër dekada për të hedhur ura në kufijtë gjeografikë, si dhe për të mbijetuar kulturalisht përmes artit të fjalës. Mishërimi dhe rigjallërimi shpirtëror i unit lirik, po ashtu intimiteti që ia beson lexuesit, nuk ka se si të mos shpërblehet me një pranim të hareshëm të këtij zëri origjinal në skenën shqiptare të poezisë. Për lexuesit e apasionuar nuk është rastësi që autorë të tillë, në dukje në periferi të sistemit tonë letrar, të trokasin me aq ndjenjë dhe emocion në zemrat e tyre
“Buzuku me Mesharin në dorë/ Shpërndan uratë e pagëzon fëmijë/ Nuset me mozaikun e bjeshkës në kokë/ Stolisen bukuri veshur mrekulli/ Udha zigzage kah shtegu i vashës/ Na shpie te Labeatët/ Në Arbnesh në qendrën Ilire/ Gjurmët asnjëherë nuk u fshinë/ Liqeni i labeatëve dhuron shkëlqesinë/ Udhëtojnë brezat në varg motesh/ Mikun e pritëm me ngrohtësi në vatër/ Me bukë kripë e zemër në sofër/ Asnjëherë s’e nisëm duarbosh.” (poezia “Mozaik Kraje”)
Më tutje e ndiejmë të filozofojë me fjalën e bukur shqipe. Nisur nga një qasje shopenhaueriane, për poetin, bota është një paraqitje. Njeriu që e rrëfen këtë të vërtetë e di mirë se nuk njeh as diell, as hënë, as tokë, por ka dy sy që shohin diell e hënë, si dhe një dorë që e prek këtë tokë.
“Sot doli në qiell hëna e re/ Me cepa kthyer kah deti/ Ky çerek do jetë me shi/ Toka ka etje i duhet lagështi/ Do shkojmë për kafe te miku im/ Djalë ka lindur në atë shtëpi/ Me hënë të re kafja duhet pirë (poezia “Hëna e re”).
E më pas të admirojë bukuritë e natyrës: “Lulet nuk flenë/ Kur drita zbardh/ Ato thithin vesën/ Që natyra ua fal me dashuri…” (poezia “Lulet”)
Dashuria është një tjetër temë, që nuk mund t’i mungojë këtij vëllimi me plot ndjenjë: “Dikur/ Sytë e saj/ Lëshonin shkëndija./ Dikur/ Letra e saj/ Ishte plot dashuri./ Dikur ia recitoja/ Lorkën, Eseninin/ Petrarkën, Naimin./ Dikur/ Dashuronte si Zhulieta/ Sot/ Më falni që e dashuroj/ Si Romeo/ Më falni.” (poezia “Rrëfim”)
Liriku e ka kuptuar se ka aq shumë gjëra për t’u zbuluar në botën e brendshme. Asnjë varg nuk vjen në formë thirrmore, por edhe as në mënyrë të pëshpëritur. Është një varg i fortë dhe i goditur, që kushdo mund ta dëgjojë dhe çdo mendje mund ta kuptojë. Fjala kërkohet me mund dhe përpjekje, për të kënaqur shijen e lexuesit. Gjeçbritaj me sigurinë dhe përvetësimin e mirë të ligjërimit poetik mbërrin të hyjë në thellësinë e formave të mëdha jetësore dhe shoqërore duke na dhënë një përmasë pasqyrimi, ëndërrimi, si dhe një mesazh thellësisht njerëzor. Ndërgjegjësimi për rënien brenda kësaj përmase të përvijuar, do të kuptohet si ai ishulli i vetmisë, në të cilin arratisen njerëzit që përjetojnë mundimet e artit.
“Në këtë ishull/ Ëndrra është shpresë/ Krijohet mozaik./ Ky ishull është/ Bujtinë për udhëtarin e vonuar/ Ku qielli i hapur është strehë./ Këtu në mbrëmje lind dashuria/ Për ëndrrat e bukura,/ Për hijet magjepse, / Për mallin e jetës së pashuar./ Këtu mbyllet në thellësi/ Rreth boshtit magjik hareja./ Këtu në gjumë/ Me shpresë për nesër/ Udhëtari i vonuar/ E kalon natën” (poezia “Ishulli i shpresës”).
Në disa raste duke prekur me sy vargjet e përmbledhjes, na ngjanë se gjendemi para një peizazhi dhe përjetojmë kënaqësinë nga gjëra që i kemi para syve tanë, futemi brenda kësaj bote imagjinare dhe komunikojmë me të.
“Anijet velbardha na bartin përtej detit/ Na shpërndajnë anë e kënd si era polenin/ Lotët që derdh qielli mbushin sytë e nënave/ Shpirtrat lahen nga loti i pastër/ Na duket se shkojmë në derë të parajsës/ Në buzë që dridhen na është skalitur frika” (poezia “Anijet velbardha”).
Në këtë fjalë të parë për librin, qëllimisht nuk po ndalemi në nxjerrjen në pah të vlerave të shprehësisë stilistikore, pasi nuk po pretendojmë t’i shterojmë idetë, apo t’i bëjmë atij një kritikë komentare. Megjithatë, kjo s’do të thotë se prej vargjeve të poetit të mos befasohemi nga përdorimi i bukur i metaforës, krahasimit, i simbolit, asonancës, ndonjëherë edhe rimës e më së shumti edhe ritmit, përmes të cilit fjalët lidhen dhe tingëllojnë shumë bukur.
Ali Gjeçbritaj përdor vargun e lirë, por në disa raste nuk nguron t’i japë muzikalitet poezisë përmes vargut të matur apo përdorimit të strofave, duke dëshmuar në këtë mënyrë përpjekjen krijuese, jo vetëm prej rrugëtimit të gjatë tematik, por edhe prej atij formal. Ai është rritur e burrëruar nga pesha e rëndë e moteve dhe e vargjeve.
Të gjithë ata lexues, që e duan dhe e përpijnë me dëshirë poezinë, do të vërejnë se njohja e mirë teorike e poetit për vargun shqip, nuk e ka zbehur aspak spontanitetin dhe origjinalitetin e veprës. Krejtësisht e kundërta ka ngjarë, magjia e këtyre vargjeve nuk është zvogëluar nga rrekja e vazhdueshme mjeshtërore për t’i përpunuar ato.
Duke përfunduar do të theksoja se pesha e rëndë e mundimeve lirike te “Motet” e poetit Ali Gjeçbritaj, jep po atë kënaqësi që sjell një punë e lodhshme, por shumë e dobishme.
