Ulqin – Libri me vjersha për fëmijë “Mësojmë së bashku”, i përgatitur nga Lumnije Rexha – Bisha, është përuruar të enjten në Ulqin, me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Fëmijëve.
Ajo ka përzgjedhur mjediset e Qendrës Ditore për Fëmijë dhe të Rinj me Pengesa në Zhvillim “Sirena” për të bërë përurimin e librit të saj të ri.
Në fjalën përshëndetëse, drejtoresha e kësaj Qendre, Salije Meqikukiq, ka thënë se fëmijët janë qendra e botës dhe kjo ditë (1 qershori) u kushtohet atyre.
“Duke qenë se është dita e të drejtave të fëmijëve, dua të theksoj veçanërisht fëmijët me pengesa. Janë ata që kanë të drejtë dhe mbështetje të veçantë të pjesëmarrjes aktive në shoqëri”, ka thënë ajo.
Autorja Lumnije Rexha – Bisha ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur dhe ndihmuar në përgatitjen dhe botimin e librit të fundit dhe librave të mëparshëm.
Përurimi është ndërthurur me pika artistike të fëmijëve të kopshteve “Solidariteti”, “Xixëllonjat” dhe “Arushi Pu”. Autorja ka dhuruar disa kopje të librit “Mësojmë së bashku” për Qendrën Ditore “Sirena” dhe kopshtet e fëmijëve në Ulqin.
Libri “Mësojmë së bashku” është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. Redaktor i librit është shkrimtari Asllan Bisha, recensente Lafe Osmani, konsulente Iliriana B. Tagani, Minire Fazliu dhe Emine Vejseli, lektor Ismet Kallaba, radhitjen kompjuterike e ka bërë Fjolla Bisha, ndërsa faqosjen Gazmend Çitaku. Libri është shtypur në shtypshkronjën IVPE – Cetinë.
Lumnije Rexha – Bisha punon edukatore në Institucionin Parashkollor Publik “Solidariteti” në Ulqin. Deri tani ajo ka botuar këta libra për fëmijë: “Hapi krahët – Mëso, zbavitu, ngjyros, përgatitu”, “Gjëegjëza, Fjalë të urta (Mësim dhe argëtim)”, “Gëzohuni fëmijë”, “Duart tona punëtore”, “Punë të mbarë”. “Mësojmë së bashku (vjersha për fëmijë)” është libri i saj i gjashtë.
i. k.